Posta

April 11, 2018 | 14:13

POSTA nga Denata Toçe / Kam komunikim të keq me eprorin?

Përshëndetje! Kohët e fundit po më kthehen në shqetësim debatet e mia me eprorin dhe kjo gjë më shkakton stres. Për t’ju ilustruar se të çfarë kategorie janë konfliktet e mia me shefin, po ju jap një rast:

Shefi: Përse s’e ke bërë këtë gjë?

Unë: Të lutem, më dëgjo pak të të shpjegoj se si është situata.

Shefi: Mëso të flasësh, se s’jam shoku yt!

Është një situatë shumë e përsëritur… Pse ndodh kështu? Problemi i shefit? Apo mos ndoshta ka të bëjë me etikën time të të komunikuarit dhe jam unë që duhet të ndryshoj? Mbetem në pritje të përgjigjes suaj, Mandi.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Është shumë e rëndësishme që të reflektoni me shprehjen e njohur: “Shefi ka gjithmonë të drejtë”. Nuk është e lehtë të ndërtosh një marrëdhënie komunikimi me eprorët, sidomos kur këta të fundit kanë stile drejtuese jo të përshtatshme. Me pak fjalë, forma drejtimi me raport force, por jo me raport respekti, ku autoriteti sërish nuk mungon… Unë do t’ju ftoja ta shikonim këtë situatë në të dy këndvështrimet: tuajin dhe të eprorit.

Një drejtuesi i duhet të vendosë disa rregulla që të mund të mbrojë interesin më të lartë të asaj që përfaqëson, të kompanisë p.sh. I është besuar ajo detyrë pikërisht për këtë gjë. Ose vetë eprori mund të jetë pronari, zotëruesi i kompanisë. Në këtë rast mbron drejtpërdrejti interesat e veta. Ju jeni në varësi të këtyre interesave. Ja përse “shefi ka gjithmonë të drejtë”. Kjo është çfarë bën, si e bën është një tjetër çështje. Punëmarrësi mund të hasë shpesh vështirësi në punë, por që me kalimin e kohës kthehet në eksperiencë.

Kurdoherë ju do të përballeni me gjëra që nuk do të dini t’i bëni shumë mirë. Prandaj ka: shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, dobët… Këto ndodhin në jetën tonë profesionale dhe ne çdo ditë përpiqemi të mësojmë prej tyre dhe të ndërtojmë eksperiencën më të mirë të mundshme. Nuk është lehtë, në fakt askush nuk ka dëshirë të marrë vërejtje, kritika, por le të mësojmë t’i kuptojmë ato përpara se të shqetësohemi për to. Ne nuk mund të kontrollojmë dot reagimin e të tjerëve, por mund të kontrollojmë dhe përmirësojmë tonin.

Po provoj t’i kthehem replikës suaj me versionin tashmë: “Shefi ka gjithmonë të drejtë”:

Shefi: Përse s’e ke bërë këtë gjë?

Vartësi: Të lutem, më dëgjo pak të shpjegoj se si është situata.

…Provoni ta nisni përgjigjen duke i thënë se ka të drejtë që është i shqetësuar, pastaj jepini arsyen reale se përse nuk e keni bërë aksh punë. Ose, vazhdojeni gjysmën tjetër të fjalisë duke thënë se e keni bërë, por sipas mënyrës suaj dhe ai duhet t’ju tregojë se si duhej bërë më mirë…

Shefi: Mëso të flasësh, se s’jam shoku yt!

Në këtë rast mënyra më e mirë është të mos flisni fare. Mos harroni, jeni në marrëdhënie profesionale dhe këtu nuk ka vend për inate apo gjykime personale. Kthejuni punës dhe bëjeni atë me pozitivitetin dhe qëllimet që ju shtyjnë të jeni në atë punë. Me ambiciet personale brenda këtyre qëllimeve. Kundërshtimi i punëmarrësit shpesh përkthehet sikundër shtimi i punës për punëdhënësin.

Ju siguroj që shefi më i mirë, sërish do ta bëjë punëmarrësin e pakënaqur, sepse raporti i drejtuesit është delegues, kërkues etj, ndërsa raporti i punëmarrësit është zbatues dhe dhënës.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com