Përshëndetje. Kohët e fundit nuk ndihem mirë. Jetoj jashtë Shqipërisë, dhe bashkë me familjen jeton me ne edhe mamaja e tim shoqi. Ajo është e ve prej vitesh, por ka një ndikim mbi mua, që më shqetëson jashtë mase shumë. Duke qenë se është një tip që vetëm ankohet dhe nuk kënaqet kurrë, gjithë mërzinë e saj e shkarkon te ne. Unë e ndjej më shumë. Kam filluar të kem dhimbje koke sa herë e shoh të mërzitur apo kur i ankohet të birit për mua. Më kap ankthi, dhimbje koke, të rrahurat e zemrës më shtohen dhe më këputet trupi.
Ka 4 vjet që jetojmë bashkë dhe janë shumë skena të errëta që ajo ka lënë në mendjen time, por unë nuk i jam kundërpërgjigjur asnjëherë. Ajo flet dhe unë vetëm hesht. Me qindra mendime më vijnë në kokë, por hesht që të kuptojë se nuk është ashtu siç ajo thotë. Ngaqë nuk kam kurajë t’i kthehem, thashë, bllokohem komplet. Ajo më ka tjetërsuar. Thuajse nuk flas fare në shtëpi. Kur dal qoftë për një kafe me tim shoq apo kunatën, nuk shijoj momentin, por mendoj çfarë do të thotë ajo kur të kthehem. Nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë një fjalë të mirë për mua, vetëm ankohet, dhe janë gjëra absurde.
Më dukej sikur po mësohesha me këtë situatë, por kohët e fundit kam filluar që kur jam vetëm, kur bëj ndonjë punë, qoftë duke larë enët, filloj e imagjinoj skena sikur grindem me të, sikur ajo ankohet për mua dhe unë i kthehem dhe ia them të gjitha ato që më ka bërë të vuaj. Duke ndodhur kjo më zë dhimbja e kokës. Kur vjehrra nuk është e pranishme, unë jam më e lirshme, jam më e qetë. Këtë gjë e kanë vënë re dhe kunatat me kunetërit. Figura e vjehrrës në fakt ka qenë diçka e frikshme për mua që kur kam qenë vajzë e pamartuar. Çfarë të bëj që të dal nga kjo situatë?
E dashur lexuese,
Marrëdhëniet brenda familjes janë delikate, pasi kërkojnë që midis shoqi-shoqit të ketë mirëkuptim dhe pajtueshmëri. Është e vështirë të kalosh ngahera momente të mira, pasi në marrëdhënie ka edhe konflikte të cilat do të duhet të zgjidhen. Kur këto të fundit zgjidhen me mirëkuptim pasi të gjithë palët janë të interesuara që përfundimi të jetë i mirë, atëherë bashkëjetesa shkon gjithashtu mirë. Por ndodh të mos jetë kështu në të shumtën e rasteve dhe është për të ardhur keq. Shumë prej palëve, mund të kenë arsyet e tyre për t’u përfshirë apo krijuar situata jo të këndshme në familje. Disa arsye burojnë prej fëmijërisë, dhe disa prej historikut në vazhdim të jetës së tyre.
Shumë prej eksperiencave na tregojnë ne se për çfarë jemi të përgatitur dhe për çfarë do të duhet të përballemi, pra të përgatitemi. Janë këto eksperienca që zhvillojnë, ndryshojnë dhe përcaktojnë perceptimet tona. Mendoj se në rastin tuaj, kemi të bëjmë me perceptime të ndryshme brenda një çatie, ose me keqperceptime. Përplasje eksperiencash dhe kulturash apo këndvështrimesh. Ndaj, është e rëndësishme që çdo familje e re të mund të gjejë strehëzën e saj, gjithmonë kur kjo është e mundur, pasi vetëm kështu familja do të mund të gjejë mekanizmat dhe rregullat e saj për të jetuar. Vetëm kështu do të mund të ndërtojë çdo ditë, në suksese dhe dështime, mësimet e veta dhe si rrjedhojë eksperiencën e saj.
Për një grua të ve, nuk është e lehtë të përballesh me vetminë, ndaj dhe eksperienca ka treguar që ka zemërim në marrëdhënie hera-herës, por kjo nuk do të thotë që nuk ka vend për përmirësim të këtyre episodeve. Ndërkohë somatizimet tuaja si dhimbja e kokës, rrahjet e zemrës, etj., janë karakteristikë e një situate, e cila është kthyer në stres intensiv që krijon dhe momente deprimimi si mungesa e gëzimit në kohën që shpenzoni me familjen.
Ju sugjeroj që të flisni hapur, por pa paragjykime mbi situatën tuaj me bashkëshortin. Tregojini atij si ndjeheni, pa i treguar “fajtorët”, pa paragjykuar dhe analizuar shkaktarët, por duke menduar mundësitë së bashku dhe se si mund të shkoni drejt zgjidhjes.
Mbani mend, asnjë fëmijë nuk mund të mohojë dhe të refuzojë familjen e tij, ndaj dhe pritshmëritë për të krijuar konflikt dhe më pas përjashtim të familjes është e vështirë dhe jo e drejtë. Ju do të duhet të merreni vetëm me ndjesitë dhe vështirësitë tuaja dhe t’i kërkoni një mendim se si mund ta zgjidhni së bashku.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.128
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.