Posta

February 8, 2020 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Më mungon bija ime

 

Prej gati një viti marrëdhënia me time shoqe përfundoi në divorc. Vajza jonë 11-vjeçe qëndroi me të ëmën ndërsa mua si baba m’u lejua orari i takimit të përcaktuar nga gjykatë. Në fakt, ky është shqetësimi më i madh që unë kam. Kam nevojë të komunikoj më shpesh me time bijë, t’i dëgjoj zërin, të flas hapur me të si midis dy të rriturve, por duket një lloj ftohtësie nga ana e vajzës. Syresh bëhem dhe dëgjues i fjalëve që më vijnë nën telefon nga nëna e saj. E kuptoj që është një situatë që lë gjurmë, por kjo ishte zgjidhja më e mirë për të tre. Por unë nuk dua ta ‘humb’ vajzën time. E kam të shtrenjtë dhe dua ta ndjej afër. Si mund ta ndryshoj këtë raport të vakët që kam me të?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Divorci është një nga situatat kur, edhe në rastin më të “mirë” të ndarjes mes partnerëve, fëmijët si pjesë e saj përjetojnë dhimbje. Ju siguroj për një gjë se, fëmija ju do të dyve shumë. Fëmijët e kanë shumë të vështirë të mund të ndajnë emocionet e tyre nga prindërit, dhe këtu po flas për raste ku dinamika familjare nuk është e mbuluar me patologji traumash dhune apo të një natyre tjetër.

Në rast se familja është e rregullt, por arsyet e ndarjes janë mosmarrëveshjet apo ftohja e ndjenjave midis bashkëshortëve, atëherë pozicionimi i fëmijës është shumë i vështirë. Kur njëri prej partnerëve, dhe zakonisht ndodh të ndodh me babain, largohet nga shtëpia ku ka banuar më parë për të jetuar diku tjetër, atëherë fëmijët fillojnë të mbajnë një qëndrim të anshëm, të pa llogjikuar, të pa përtypur, në të shumtën e rasteve ndodh emocionalisht të mendojnë se babi i tyre është larguar, i ka braktisur. Këto janë disa nga arsyet pse fëmijët mund të mbajnë qëndrime të ftohta.

Prindërit, në të tilla raste vlen të marrin vendime për të mos ndryshuar qëndrimin e tyre. T’u sigurojnë fëijëve që ata janë të njëjtët për ta, do të jenë gjithnjë prindërit e fëmijëve të tyre. Më e rëndësishme në këtë situatë është KOMUNIKIMI. Kulturalisht ne e kemi të vështirë të komunikojmë hapur me fëmijët tanë. Kërkojmë të shmangim biseda dhe arsyetime të situatës. Në këtë rast i nxisim fëmijët tanë që të mos bëjnë shumë pyetje dhe ata përfshihen në situata ankthi të cilat shpesh mund edhe të përkeqësohen nëse nuk kalojnë nëpër stade të shëndetshme komunikimi.

Nëse vëreni se fëmija juaj është i ftohtë, atëherë mund t’ia thoni se si ndjeheni nga ajo që keni vërejtur. Fëmija mund t’ju thotë mesiguri diçka. Përgatituni që të qetësoni katastrofizimin në të cilën mund të jetë përfshirë emocionalisht fëmija. Komunikojini se sa mall dhe dëshirë keni të qëndroni me të. Edhe komunikimi emocioneve është një e metë e cila na karakterizon në bisedën me fëmijët tanë. Kjo përkthehet nga fëmijët si një mënyrë për të mos i shprehur emocionet dhe si rrjedhojë, kjo nuk është e mirë për shëndetin tonë mendor. Flisni hapur me vajzën tuaj. Ajo është 11 vjeç. Keni për t’u befasuar se çfarë mund të mësoni prej saj.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top