Posta

March 9, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Ndjej se jam e padukshme në punë…

…Do të dëshiroja të isha e vlerësuar si një profesioniste, por njëkohësisht e marrë në konsideratë edhe për cilësitë e mia njerëzore. Por, ndjej se nuk u interesoj mjaftueshëm të tjerëve. Gjatë orarit të punës përveç komunikimit për arsye pune nuk ndjej afrimitet me kolegët. Kjo gjë ka filluar të më shqetësojë kohët e fundit.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Ndoshta ju ndiheni e padukshme në mjedisin ku punoni për faktin se pritshmëritë tuaja në raport me vendin e punës, natyrën e punës dhe detyrave që ju keni në këtë vend mund të jenë më të mëdha në raport me çfarë realisht ju ofrohet.

Do t’ju rrëfej përvojën time personale: kam punuar në një organizatë, pozicion të cilin e pranova për të bërë thjesht një punë fillimisht, dhe me kalimin e kohës besoja se do mund të ngjitesha më lart, të vlerësohesha për të dhënat që kisha si profesionalisht edhe në aspektin human. Sot nuk jam më në atë organizatë, pasi vlerësimi që unë kërkoja nuk korrespondonte me pritshmëritë, qëllimet dhe objektivat e organizatës. Unë isha e padukshme për atë organizatë, por sot mund të konfirmoj që jam e dukshme në vendin ku punoj, sepse terreni më ofron mundësinë për të dhënë më shumë dhe përputhet me pritshmëritë e punëdhënësit.

Ky është një aspekt i rëndësishëm. Shpesh ne zhgënjehemi dhe nuk ndihemi mirë me diçka pikërisht për shkak të pritshmërive jorealiste ose të papërputhshme që kemi mbi një person, disa persona, situata, vend pune etj.

Kini parasysh: pjesa më e madhe e marrëdhënieve që ne ndërtojmë, ka një qasje interesi, qoftë ky profesional apo personal. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të krijojmë marrëdhënie. Vetëm se disa marrëdhënie mbeten veç profesionale, por sërish marrëdhënie të domosdoshme. Cilësisht, në marrëdhëniet tona sociale ne mund të numërojmë shumë pak veta dhe kjo është sërish shumë e zakonshme.

Ju sugjeroj të shikoni edhe një herë rreth e qark jush, marrëdhëniet që ju keni dhe të kuptoni realisht se për kë jeni të dukshëm, sipas mënyrës së tyre dhe të krijoni pritshmëri reale mbi to. Ne mund të presim që njerëzit të tregojnë interes për ne sipas mënyrës sonë, por ata mund ta realizojnë atë sipas mënyrës së tyre dhe kjo mund të jetë një mënyrë që ia vlen ta konsideroni.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com