Zemërimi po më shkatërron jetën. U përpoqa të ruaj qetësinë dhe të gëzoj kohën time por shoh se e është e pamundur për të gjithë. Nëse dikush ndeshet me mua në rrugë, mbi autobus apo treg, ndihem e ngarkuar ose ndodh të shkrehem në lot. E urrej këtë ndjenjë dhe nuk e di pse po më zgjat. Punën e kam shumë të stresueshme. Si mund të ruaj kontrollin?
Fatkeqësisht shekulli XXI përmban shumë individë si ju, të stresuar, në ankth e të zemëruar. Sot ne të gjithë i përdorim energjitë e mendjes sonë në më shumë se një drejtim. Shumëpunësimi ose punësimi me orë të zgjatura është një kërkesë e konkurrencës së tregut. Duket sikur sapo mbaron një ngarkesë të madhe pune, i premton vetes se e nesërmja do të jetë më mirë, por krejt papritur vjen një ngarkesë tjetër, datelinet e së cilës nuk kanë rrugëdalje përveçse të përveshësh mëngët e të punosh. Familja kërkon më shumë përkushtim. Kërkesat janë rritur, kur flasim për rritjen e fëmijëve p.sh.
Pra, jeta është bërë më e shpejtë dhe në varësi të shkallës sonë të ndjeshmërisë apo kapaciteteve, integrohemi ose jo shëndetshëm në këtë sistem. Edhe sikur të mund të jemi në linjën e duhur, sërish shumë prej kërkesave që jeta na drejton, dalin jashtë kontrollit dhe kompetencës sonë dhe e bëjnë këtë të fundit shumë frustuese. Pyetja që shtrohet është, e çfarë lidhje ka kjo me zemërimin? Sigurisht që ka. Ditët e zemërimit tuaj lidhen drejtpërdrejt me frustrimin ndaj të gjitha detyrimeve e përgjegjësive të cilat dalin jashtë mundësive dhe dëshirave tuaja. Nëse ju do t’ia atribuoni dështimit tuaj apo përpjekjeve të pamjaftueshme çdo gjëje që ju ndodh, duke marrë përsipër përgjegjësi që nuk ju takojnë, atëherë, pa dashur dënoni vetveten në mërzitje, dëshpërim dhe zemërim.
Filloni të mendoni se nuk mund të keni gjithçka nën kontroll. Përfitoni më shumë nga jeta. Ju meritoni të keni kohë të lirë. Gjërat e punës në punë dhe ato të shtëpisë në shtëpi, ndryshe do rraskapiteni psikologjikisht. Ju i detyroheni shumë vetvetes. Atëherë, forca, bëni diçka për të sot. Planifikoni një ditë relaksi. Lini një takim me masazhatorin. Një pasdite planifikojeni vetëm për miqtë tuaj më të mirë, duke ngrënë një darkë. Mos harroni t’i thoni atyre se sa vlerë kanë për ju. Vlerësoni çdo gjë që ju keni në jetë, qoftë edhe më të voglat fare. Nuk e keni idenë se çfarë lumturie është.
Një tjetër mënyrë është të regjistroheni në një kurs Yoga dhe të praktikoni meditimin (frymëmarrjen e gjatë dhe të thellë plus mendimet relaksuese). Mund t’i shoqëroni edhe me ushtrime të cilat ua siguroj që do të bëjnë të ndjeheni shumë më të qetë. Vetëm fakti që po bëni diçka për veten do ju çojë në paqe. Zemërimi është një klithmë ndihme nga vetvetja. Dëgjojeni me kujdes dhe jepini përgjigjen që meriton.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.