Posta

March 10, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Shpërthej në të qara me provokimin më të vogël…

Që e vogël më ka ndodhur një gjë e tillë… dhe dëgjoja të më thoshin se me kalimin e kohës kjo do të më kalonte. Fatkeqësisht, koha kalon dhe asgjë nuk ka ndryshuar tek unë. Mjafton një situatë e pakëndshme dhe lotët e mi janë aty… Kjo situatë më bën të ndjej turp dhe siklet… F. Tiranë

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Njeriu është një qenie unike, reagimet dhe sjelljet e të cilit janë shumë të individualizuara në raport me shkallën e ndjeshmërisë, skemat mendore të mësuara gjatë jetës dhe predispozitat gjenetike, temperamentit. Të gjitha këto bashkë na bëjnë të kemi personalitete të ndryshme dhe në kontekste të caktuara reagojmë sipas mënyrës sonë.

Jo të gjithë reagojnë si ju me “rubinetin” e të qarave. Por kanë mënyrat e tyre: mund të thyejnë objekte, janë gjaknxehtë, por mundet edhe ta mbajnë brenda pa e treguar reagimin. Zhgënjimi është një ndjenjë që provokon emocione të fuqishme brenda nesh, por format se si i shprehim janë të ndryshme. Kurse ju keni mënyrën tuaj të sjelljes dhe reagimit: qani shpejt. Pra, shkalla juaj e ndjeshmërisë është më e lartë. Por kjo nuk do të thotë që është gabim.

Nëse kjo ju është bërë pengesë, ju bën që të ndjeni turp, atëherë filloni duke pranuar vetveten, mënyrën unike se si ju jeni “gatuar”. Mendoni anët pozitive të ndjeshmërisë së lartë. Njerëz të tillë janë më shumë intuitivë, kanë prirje artistike etj… Sigurisht, ju duhet të shqetësoheni atëherë kur të analizoni situatën, duke riparë edhe një herë mënyrën e reflektimit që bëni në raport me të.

Mos ndoshta ka episode të shtrembërimeve konjitive, të cilat ju çojnë ta gjykoni një situatë në mënyrë irracionale? Ndoshta ndonjëherë ju mund të bëheni profetike, parashikuese e mendimeve që të tjerët mund të kenë për ju. P.sh, ndoshta ju pa pasur një informacion, parashikoni se çfarë mund të mendojë tjetri për ju. Mendoni se tjetri nuk ju do, ju ka inat dhe sillet në këtë apo atë mënyrë që t`ju provokojë… Në këtë rast, ia vlen t`i rishqyrtoni mendimet për të pasur një raport më të mirë me racionalen.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com