Posta

February 28, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Si ta mbështes fëmijën?

Kohët e fundit jemi ndeshur me situata që janë shndërruar në fenomene. Rrëmbimi, përçudnimi dhe vrasja e fëmijëve. Vajzën e kam në klasë të katërt dhe ka filluar të trembet, qoftë dhe nga hijet e njerëzve në rrugë. Si t’ia bëj, pasi unë jam përpjekur që me njohuritë e mia t’i zbërthej fenomenin e t’ia shpjegoj se përse ndodh, por ajo ka krijuar pasiguri që nuk mund ta ndaloj dot. 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Komunikimi është mënyra më e mirë për të afruar, siguruar dhe qetësuar fëmijën tuaj. Ju këtë e bëni më së miri, ndaj dhe ju përgëzoj. Fëmijët në moshë të vogël kanë nevojë të ndjehen se jetojnë në një mjedis të sigurt. Kur ky mjedis cenohet nga informacione tronditëse si këto (dëmtuese, lënduese), atëherë tek fëmija fillojnë të ngjallen frikëra ndonjëherë edhe të forta.

Në këtë moshë fëmija fillon të njihet me konceptin e vdekjes dhe frikërat ndaj saj, dhe ka shumë të ngjarë që ngjarje si këto t’i përkeqësojnë duke i kthyer edhe në makthe ëndrrash të padëshirueshme. Pra fëmija fillon të kuptojë se mund të dëmtohet dhe lëndohet. Në këto raste prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në informimin dhe afrimin e fëmijëve pranë tyre.

Me kujdes nënkuptoj: sigurojeni që ju do t’i qëndroni pranë në çdo rast, se do ta merrni nga dora për ta shoqëruar atje ku ajo shkon nëse ka frikë, do të lini dritën e dhomës ndezur nëse fëmija dëshiron, tregojini histori me fund të lumtur për të parë natyrën pozitive të jetës. Nxiteni fëmijën të pikturojë duke i caktuar një tematikë të bukur. Vendosini muzikë të qetë në një moment të ditës.

Me kalimin e kohës mund t’i shpjegoni kujdesin që fëmija duhet të tregojë në raport me njerëzit e huaj sepse jo të gjithë kanë qëllime të mira. Mund ta këshilloni që kur të luajë të mos largohet aq sa të humbasë pamjen e prindërve. Ata duhet ta shikojnë njëri-tjetrin. Këto janë disa udhëzime që i japin fëmijës mundësinë të besojë se jeton në siguri, pranë njerëzve që e duan edhe pse jeta nuk është e njëjtë për të gjithë fëmijët. Ju jeni një prind që po ia dilni mbanë.

Jepini kohë fëmijës suaj për ta kaluar këtë fazë delikate. Kujdes! Nëse situata kthehet në një gjendje të vazhdueshme ku frikërat intensifikohen, për të paktën tre muaj radhazi, ju lutem t’i drejtoheni një specialisti për mbështetje të mëtejshme.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top