Përshëndetje e nderuar psikologe! Jam mami i një djali 3-vjeçar. Kam një problem: shpeshherë djali i mban duart tek organet gjenitale. A është normale kjo sjellje, pasi nuk di si të veproj me të? Desha një zgjidhje nga ju, ju lutem!
Denata Toçe, Psikologe Këshillimi
Këtu nuk ka asnjë shqetësim për të zgjidhur. Këto janë forma natyrale të testimit të organeve gjenitale të fëmijëve, dhe nuk janë aspak me natyrë seksuale sikurse mund ta mendoj ndokush. Fëmijët kanë nevojë të eksplorojnë trupin e tyre sikurse kanë nevojë të eksplorojnë gjërat jashtë trupit, lodrat apo aktivitetet dhe vendet ku veprojnë. Është një proces mëse i shëndetshëm dhe kërkon mirëkuptimin e të rriturve dhe aspak vëmendje të tepruar, duke i thënë fëmijës të mos e bëjë ose se çfarë duhet të bëjë.
Vetëm një gjë është e rëndësishme në këtë mes: nëse fëmija e kryen këtë veprim në sy të njerëzve të tjerë, ju mund ta drejtoni drejt një vendi më privat, në dhomën e tij/saj ose kur jeni në ambientet jashtë shtëpisë, të mund t’i drejtoni duart në vende të tjera të përshtatshme, xhepa, ose të ulura poshtë, duke i treguar se këto janë gjërat e tij të cilat nuk kanë pse të tjerët t’i shikojnë. Ky diskutim bëhet në një moshë mbi 3 vjeç dhe me shumë dashamirësi.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 164
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.