Posta

April 21, 2020 | 8:06

Posta nga Denata Toçe / Vajza ime ka frikë të rrijë vetëm

Vajza ime është 6 vjeçe. Udhëtova së bashku me të. Hipa në autobus. Duke pritur i thashë, qëndro këtu pasi po shkoj të marr diçka për të ngrënë, e cila ishte sapo zbrisje nga shkallët e autobusit (shumë afër). Marr diçka dhe shkoj tek një dyqan (që ishte diku pak metra më larg) për një shishe unë. Vajza më kishte vështruar dhe ka zbritur e lemerisur duke bërtitur me të madhe: “Mamiii”. Jam mërzitur aq shumë për atë sjellje, jo se është e keqe, por sepse tregohet kaq ‘frikacake’. E njëjta situatë në një dyqan të mbyllur. Trembet shumë kur nuk më sheh. Unë me vajzën flas shumë. Çdo veprim që bëjmë ose situatë që kalojmë ia sqaroj. Më kupton shumë mirë, por më duket se frika s’e lë. Edhe në dhomë nuk do të rrijë vetëm.Tani, ajo që më shqetëson mua, është se unë kam vuajtur nga fobia e të ndenjurit vetëm, pa njerëz, dhe vuaj shumë kur mendoj që vajza ime mund të ketë diçka të ngjashme. Ju lutem një mendim dhe sugjerim. Faleminderit.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Nuk është në dorën tonë të përcaktojmë frikërat e fëmijëve tanë, por është në dorën tonë të respektojmë ndjenjat e fëmijëve tanë. Ne flasim shumë pak për ndjenjat me fëmijët. Nuk i pyesim ata se si ndjehen. Ndërsa mendojmë që situata të reja mund të jenë ankthndjellëse edhe për vet ne. Nuk preokupohemi t’ia përshkruajmë në nivel ndjesor fëmijëve.

Prindi do të duhet të bëjë kujdes, duke thënë diçka të ngjashme si ky skenar i improvizuar: “Do shkojmë te shtëpia e re e gjyshes. Ndoshta nuk do ndjehesh si te shtëpia e parë, por shumë shpejt mund të ambientohesh. Nuk ka problem nëse ndjehesh keq fillimisht. Mund të ma thuash kur të mbërrijmë…” Kjo është një situatë e ngjashme me mijëra të tjera që ndeshim gjatë ditës.

Madje edhe festën e ditëlindjes do të duhet t’ia përshkruajmë në nivel ndjesor. Më pas, të mos harrojmë t’i pyesim realisht si janë ndjerë pas përjetimit të situatave, pasi përshkrimi ynë është hipotetik. Kështu i tregojmë fëmijëve se sa të rëndësishme janë ndjenjat e tyre, sa vlerë kanë dhe se sa shumë vet ai do të duhet të merret me to. Kështu fëmija i menaxhon më mirë këto ndjenja.

Fillimisht dua t’ju them se në autobuz do të ishte më e sigurtë të mos e linit vetëm vajzën. Pra do të duhet t’i bëhet dallimi edhe fëmijës se cilat prej situatave mund të qëndrojë vetëm, dhe në cilat prej tyre do të duhet prania e një të rrituri. Nuk është e udhës që një fëmijë deri në moshën 10-11 vjeç të lihet vetëm në banjot publike, restorante etj, pasi mund të jetë e rrezikshme në kohët që jetojmë, por në banjon e shtëpisë tuaj, gjyshes dhe të afërm shumë të besueshëm, mund të ndodhë.

Ka dhe situata të tjera, ku mund të bëhet dallimi, pasi ndonjëherë për të realizuar qëllimin e qëndrimit vetëm pa të rritur, humbasim drejtimin e qëndrimit të duhur mbi situata që mund të jenë me risk. Mendoj që vajza juaj do të duhet të respektohet mbi ndjesitë e saj dhe të bëni lëvizje me hapa bebesh për qëndrimin e saj vetëm. Fillojeni me një kohë që ajo e toleron, dhe më pas rriteni kohën gradualisht. Mbi të gjitha, fillojeni me ambiente të cilat i toleron më shumë, pra janë të sigurta.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top