Posta

November 19, 2020 | 8:20

Posta nga Denata Toçe / Vuaj për të dashurin!

Më ka lënë i dashuri, një natë para Krishtlindjes. E donim njëri-tjetrin pafund. Por atë natë ai ndryshoi dhe më tha vetëm: “Nuk ishte një lojë, por as realitet i plotë. Ushqyem ndjenja që shpeshherë nuk na përkisnin, por… Dëshiroj një ndarje miqësore… besoj më kupton. Nuk shoh një dritë në fund të tunelit. Më fal pra. Ishe e mrekullueshme. Uroj të kesh fat!”, ishte gjithçka më tha. Nuk e kuptoj pse iku duke më lënë kështu. Nuk flisnim për një ditë, por kthehej, gjë këtë herë iku vërtet përgjithmonë. Jam shumë keq, po hyj në depresion aq sa të vetëvritem, sepse nuk jetoj dot pa të. Ju lutem më ndihmoni!

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Shumë e dashur lexuese. Më vjen keq që jeni ndarë nga partneri juaj paraardhës. Them paraardhës, sepse mendoj se do të ketë të tjerë, ose një tjetër që do të vijë në jetën tuaj me siguri. Jam krenare për ju që gjetët kurajën të më shkruani dhe të më pohoni se si ndjeheni. Pas çdo ndarjeje, duhet pak kohë që lëndimi i humbjes të konsumohet, por fatmirësisht ajo ndodh. Sigurisht që të mungon për momentin, sepse je mësuar që të kesh një rutinë të përditshme me të. Por, sa mirë që njeriu është i përgatitur të përshtatet me ndryshimet.

T’i marrësh jetën vetes? E për çfarë? Për një ndarje që ka ndodhur disa herë dhe që të ka shkaktuar pasiguri dhe iluzion? Për një njeri që duket se ka vështirësitë e tij në marrëdhënie, duke mos ditur nëse është në një realitet të plotë apo jo? A ka diçka më reale se një njeri që të do? A nuk është egoiste të heqësh dorë nga jeta për dikë që nuk e di as vet nëse të do, dhe të lësh pas të tjerë, prindër, motër apo vëlla që të duan? A nuk është për të ardhur keq që të lësh mundësitë e tjera të jetës tënde fare të re e njomëzake të njohin shpirtra të tjerë që mezi presim të falin dhe marrin dashuri?

Kjo është zgjedhja më e mirë për të mësuar se sa me fat është njeriu që nuk dashuron vetëm një herë. Zemra jote ka vend për shumë dashuri, të cilën meriton ta kesh nga vetja dhe nga ai që do të dojë po aq sa ti do veten tënde.

Nëse mendimet e papërshtatshme rreth dëmtimit të vetes, qëndrojnë në mendjen tuaj për një kohë të gjatë, atëherë do të duhet të ndërmerrni disa takime pranë një profesionisti klinicist, për të marrë një ndihmë më të strukturuar. Kam besimin se gjërat do të shkojnë mirë për ju.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top