Posta

January 25, 2017 | 8:55

POSTA/ Vëllai im luan kumar ! Familja jonë po shkatërrohet … na ndihmoni, po çmendemi…

 1Përshëndetje !

Problemi është im vëlla. Prindërit mezi e kanë rritur dhe për shkak të problemeve të tij shëndetesore, ai u përkëdhel shumë, duke u toleruar çdo gabim i tij dhe tani s’dimë ç’të bëjmë. Është mbi 30 vjeç, i martuar. Përveçse nuk punon, luan kumar ose lloto pa fund. Ai di vetëm të kërkojë lekë dhe ne, motrat apo prindërit, e kemi për detyrë t’i japim lekë. Ai kur fiton 1 herë në vit lloto, ato lekë ia jep shokëve apo i shpërdoron, kurrë nuk i ka dhënë babit njëherë lekë, edhe pse s’i duam lekët e tij. Nuk ka njeri që ai njeh dhe s’i ka kërkuar borxh. Për t’ia dalë vetë mbanë, prindërit e mi e çuan në Tiranë, por prapë babi vazhdon t’i japë herë pas here lekë. Nusja i punon dhe ne i kemi thënë, mos i jep lekë atij, por ajo thotë, s’kam çfarë të bëj kur ai i bie murit me kokë se do lekë. Ai është mësuar me lekë dhe i ka rrënuar prindërit dhe kam frikë mos bën ndonjë vetëvrasje. I kemi folur me të mira, apo dhe i kemi bërtitur apo refuzuar si vëlla, se ndoshta preket, por ai ndihet shumë superior. Nuk dimë çfarë zgjidhje t’i japim. Kemi menduar ta çojmë jashtë shtetit, por nuk kemi njeri. Ka kaq shumë për të treguar se ai njeri po na çmend dhe këto që kam shkruar janë pak, prandaj ju lutem na ndihmoni me këshilla.

Nga Msc.Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Nga Msc.Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

Përgjigje nga psikologe Adelina Pjetra: 

E kuptoj që ju ndodheni në një situatë të vështirë, jo vetëm ju personalisht, por familjarisht. Sjellja e vëllait tuaj, që tashmë shikohet si një varësi nga lojërat e fatit ka prishur ekuilibrat familjarë dhe po shkakton vuajtje. Më lejo të të jap disa informacione mbi varësinë nga lojrat e fatit, duke ju krijuar një mundësi për t’u orientuar më tepër për gjendjen aktuale të vëllait tuaj, por edhe si një formë psikoedukimi për familjen. Në mënyrë që ju të merrni vendimet dhe hapat e duhur për ta kuruar këtë “patologji”, e cila nuk është më një formë zgjedhjeje për të kaluar kohën, por është kthyer në një varësi që ka nevojë për të bërë ndërhyrje profesionale dhe për të marrë trajtimin e duhur.

Varësitë mund të krijohen kur një ndjenjë e dëshiruar dhe një sjellje bëhen të fiksuara së bashku. Për shembull: në qoftë se ndjenja e të qenit një fitues, është bërë e fiksuar me sjelljen e lojërave të fatit, personi luan me to në mënyrë që të ndihet si një fitues. Edhe kur ai humbet, fiksimi në mes të ndjenjës si fitues dhe sjelljes së lojërave të fatit do të vazhdojë. Rezultatet e këqija, të tilla si, humbja e një shume të hollash, nuk do ta ndryshojë këtë fiksim, që sfidon të gjithë të mësuarin racional.

Një varësi mund të jetë një mënyrë për të mpirë emocionalisht kujtimet apo ndjenjat, që janë të vështirë për t’i toleruar të tilla si, zbrazëti, mërzi, izolim apo tjetërsim.

Nuk ka një arsye të veçantë që njerëzit të bëhen të varur. Megjithatë, është e nevojshme të theksohet se varësia nuk është një zgjedhje, por më tepër është një sëmundje, që mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh. Ndoshta lidhja më e zakonshme në mes të atyre që vuajnë nga varësia është një histori e traumave në jetë.

LOJËRAT E FATIT JANË:

MANIPULIM GLOBAL, SUPERSTICION, DHIMBJE, VUAJTJE, PAGJUMËSI, MUNGESË URIE, FRIKË, JERM, ZEMËRIM, KËNAQËSI, SHKËPUTJE PSIKIKE.

Për shumë lojtarë patologjikë, LOJA mund të jetë një strategji përballuese jo funksionale, ose një mënyrë për të kërkuar gjendje emocionale të dëshiruara.

Ja cilat janë disa nga tipologjitë e identikitit të personave që janë të varur nga lojërat e fatit:

  • Eufori, dëshirë e madhe për të bërë efekt tek të tjerët
  • Provokim i plotfuqishëm, të bësh pjesë në aktivitete të rrezikshme (që emocionet e forta të lojës të tejkalojnë ndjesitë depresive dhe bosh)
  • Konkurrencë
  • Dëshirë për t’u rebeluar dhe për t’i shkelur rregullat
  • Dëshirë për të pasur pavarësi ekonomike
  • Dëshirë për pranim social
  • Një formë vetëshërimi
  • Për të ikur nga emocionet e forta, të dhimbshme dhe të pa tolerueshme

Një lojtar i varur është një person, i cili impulsin për të luajtur e ka një nevojë që nuk mund ta ndalojë dot, kur ai ndjen një tension të fortë emotiv.

  • Në DSMV: Gambling = është e klasifikuar si patologji e sjelljes

Do ju sugjeroja të kontaktoni një psikolog profesionist, që të fillojë menjëherë trajtimi psikologjik i vëllait tuaj. (Në raste të tilla është e domosdoshme të bëhet edhe ndërhyrje psikologjike te familjarët, në formë psikoedukimi apo më tepër, në mënyrë që të forcohet rrethi mbështetës për shërimin nga kjo lloj patologjie).

Terapistët që punojnë me varësitë, shikojnë individë që kanë vështirësi në marrëdhënien e tyre me vetëvarësinë që kanë. Marrëdhënia që individi ka me varësinë shpeshherë bëhet lidhja dominante që ka në jetën e tij. Ky atashim është i pashëndetshëm dhe shkakton dëme në marrëdhënie të tjera në jetën e tyre (të punës, familjes, etj).

Ajo që mund të jetë sfiduese për të punuar me varësinë janë pengesat për trajtim. Këto pengesa mund të jenë financiare, të menduarit negativ, shoqëria me turmën e gabuar, apo turpi. Terapistët mund të ndihmojnë  individët që kanë varësi të ndryshme për t’i adresuar këto pengesa, në mënyrë që të arrihet një trajtim i suksesshëm.

Shpresoj që me shpjegimin e mësipërm, ju kam dhënë orientimin e duhur, sesi mund ta ndihmoni vëllain tuaj. Duke njohur më mirë çfarë është varësia dhe si ndikon tek një individ, të kërkoni ndihmë është një hap shumë i rëndësishëm. Një ndërhyrje profesionale nga specialistë në fushën e psikologjisë është e domosdoshme.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top