Posta

January 28, 2017 | 9:13

POSTA/I përkushtohem tërë ditën vajzës, por kur vjen i ati më braktis. Po më ‘mbyt’ xhelozia, çfarë duhet të bëj?

1Përshëndetje! Kam një pyetje për psikologen. Kam vajzën 22 muajshe dhe është femija e parë. Nuk e di a është normale kjo që do t’ju tregoj, por për këtë arsye edhe po shkruaj. Unë jam shumë e përkushtuar ndaj vajzës, e dua më shumë se çdo gjë në këtë botë. Kur lindi ajo, m’u duk sikur çdo gjë tjetër nuk kishte më vlerë për mua, gjithë dashuria që kisha për gjithë njerëzit që më rethonin përfshi këtu edhe bashkëshortin u akumulua vetëm te vajza. Shumë herë ndjej xhelozi, nuk duroj dot faktin që ajo t’i përkushtohet dikujt tjetër dhe të më lërë mua pas dorë. Unë rri 24 orë me të, bashkëshorti im ka punë me orar të zgjatur dhe e shef pak gjatë ditës. Kur kthehet ai ne shtepi, ka pasur raste që vajza rri vetëm me të dhe ndaj meje tregon një indiferentizëm. Nuk guxoj as ta marr e ta ndërroj se fillon ulëret me histerizëm dhe thërret babi, babi pa pushim dhe qan pa pushim! O Zot, duket sikur po e torturoj. Burri e tërbon shumë kur rri me të sa gjithë rastet e bën me djersë dhe mua kjo nuk me pëlqen, sepse gjithë sikletet i heq unë mbrapa, ai nuk merret me të. Më heq trurin në ato moment! Kjo sjellje me ka bërë xheloze edhe ndaj burrit tim. Pyes veten a është normale? Vajza gjatë ditës nuk afron njeri përvec meje, është shum e lidhur. Si ka mundësi që me babain të kthejë komplet? Ndoshta jam egoiste pak, po siç edhe shkruajta më sipër, ajo është bota ime. Çfarë mendimi mund të më jepni? Si mendoni ju, më thoni diçka, nuk kam eksperiencë tjetër dhe kjo po më mundon disi?

Nga Msc.Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Nga Msc.Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

Përgjigje nga psikologia: E kuptoj që mund të ketë disa nëna, që duke menduar se mund të jenë nëna perfekte, e fokusojnë ekzistencën e tyre rreth fëmijës, aq më tepër kur është fëmija i parë apo fëmija i vetëm.

Kjo lloj dashurie që i ofroni vajzës mund të quhet “dashuri-patologjike”, dhe mund të jetë e dëmshme për fëmijën. Gjithçka që është ekstreme, “dashuri mbytëse” apo ” neglizhim total “, janë njësoj shkatërruese për fëmijën. Fakti që gjatë ditës është e lidhur me ju ( duket sikur nuk ka zgjidhje tjetër), ndërsa kur vjen i ati shkëputet nga ju dhe lidhet më tepër me të, mund të tregojë vetem sesa po e mbyt kontrolli juaj i tepërt.

Fëmijët kanë shumë mënyra për të komunikuar me prindërit edhe pa përdorur fjalët. Mundohu ta kuptosh sjelljen e saj. Ajo po mundohet të të thotë shumë. Efekti kohë që shpenzon me një fëmijë nuk është indikator tregues sesa e përkushtuar jeni ndaj fëmijës, por një kohë cilësore (1-2 orë në ditë) do të ishte e mjaftueshme për një rritje të shëndetshme psikologjike të fëmijës. Të gjitha nënat i duan dhe bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre, patjetër që dashuria juaj është e domosdoshme dhe e nevojshme, por mundohuni t’i krijoni dhe hapësirën apo lirinë e nevojshme fëmijës suaj, që të rritet më e plotësuar.  Për sa i përket djersës apo gjërave të tjera, mësohu që një fëmijë nuk mund të rritet në inkubator, por ka nevojë të eksplorojë dhe të ndjejë gjithçka. Bëjeni bashkëshortin tuaj pjesmarrës në rritjen e fëmijës tuaj, mos e shmangni atë. Për të rritur fëmijë të shëndetshëm psikologjikisht dhe jo vetëm fizikisht është e domosdoshme të funksionojë sistemi familjar, ajo që në psikologji quhet, “Trekëndëshi i një marrëdhënie të shëndetshme” nënë-baba- fëmijë , i cili duhet të jetë i fuqishëm dhe bashkëpunues ndërmjet njëri-tjetrit, duke mos vendosur lidhje të njëanshme apo shmangëse, duke forcuar vetëm një lidhje, nënë-fëmijë, apo baba-fëmijë.

Fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit njëkohësisht dhe me të njëjtin intensitet kujdesi dhe dashurie.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top