FB

March 22, 2021 | 8:02

Prindër, edukojuni fëmijëve fjalët magjike! Dëshmi nga aktualiteti, qahemi nga fëmijë të paedukatë, kur në fakt kemi të rritur të paedukatë

Nga Orjona Tresa

20200919_104950

E kemi thënë e stërthënë. Do e themi dhe stërthemi. Është detyrë e jona, gazetarëve. Jemi pushteti i fjalës që zë më shumë vend tek populli.
Të kthehemi tek thelbi.
Është bërë jo vetëm e bezdisshme, por e padurueshme, fyese. Qahemi nga fëmijë të paedukatë, kur në fakt kemi të rritur të paedukatë. Janë produkt i pjellë gjatë pluralizmit dhe tranzicionit të gjatë, që ka prishur rendin shoqëror të atyre që etikën e komunikimit dhe tw sjelljes e kanë të shenjtë.
Do flas me raste konkrete.
1. Jam kthyer e lodhur nga puna. Pres ashensorin të ngjitet në katin e 11-të dhe të bëjë zbritjen e kërkuar te zero. Pres, sepse ka ndalesa mes kateve. Ashensori inteligjent nuk e ndryshon komandën, është i përpiktë. Ikën 3 a 5 minuta. Nejse. Vjen një 20-vjeçare. Pres të më përshëndesë, meqë më gjeti aty. Hiç! Madje, më kthen kurrizin. Varja, i them vetes, qiraxheshë. Kushedi si i ka shkuar dita. Presim! Befas hapet dera e ashensorit. Një djalë i ri qëndron aty dhe pret. Vjedhurazi futet 20-vjeçarja. Sa bëj hapin të hedh, njëherazi qiraxhesha shtyp butonin për katin e saj, ndërsa djali, që kishte zbritur për ta marrë (ashensori ka çip) më pyet: do ngjiteni dhe ju? Pas 20 vitesh në këtë pallat, m’u duk vetja e huaj. Kuptohet, si një vajzë e lindur dhe e rritur në Tiranë, me prindër gjithashtu autoktonë, m’u mblodh një lëmsh fjalësh fyese në kokë. Nuk e dhashë veten. Falenderova djalin që më pyeti dhe e çip-osa vetë katin për te hyrja ime. Kur dola ngushëllova veten, qiraxhi ishte dhe djali, por jo aq rëndë sa ajo vajza.

2. Sërish para ashensorit. Më ishin lodhur këmbët nga të ecurit. Takime pune, të cilat janë të paplanifikuara, nga njëri cep në tjetrin, të lodhin. Pa makinë. Një mesogrua afrohet tek ashensori dhe rri si dru. Prapë nuk përshëndeti. E kanë zënë me hyrjen tonë, mendova. Treçereku qiraxhinj, kanë halle. Nejse. Vjen ashensori dhe hyj brenda, ftoj dhe zonjën. Ajo, sikur të ishte sulltanesha më jep urdhrin suprem: më shtyp 10-ën, aty jam! I kthej vështrimin dhe me dashamirësinë e një të rrituri para një foshnjeje i them: Më fal, po sikur nuk i dëgjova fjalët magjike? Nuk mund të bëj gjë për ty! E kapi situatën dhe pa asnjë skuqje, madje dyllë si e sëmurë tha menjëherë: Më fal, të lutem…
Qesha. I them: Tani po, e meriton!
3. E shtunë pasdite. Isha me familjen. Pas një udhëtimi qetësues do ngjiteshim për në shtëpi. Hyrja sigurisht që vjen nga ashensori. Meqenëse isha e para, hap derën e pallatit dhe e mbaj që të hyjnë familjarët e mi. Befas ndërmjet tyre sulet rrëmbimthi një moshatarja ime. Ajo eci ballëlart po ia bërë tërr syri, jo më të gjente shprehje etike falenderimi. Mbeta si dru. Bashkëshorti, që ma di ndjeshmërinë në këto situata ma kthen: Po çfarë prisje, të të thotë faleminderit? Jo, jo, ia kthej. Nuk e prisja, e pretendova! Moshatarja ime, që duket i ngeci në grykë fjala që e shoqëroi me zë, ishte në katin e parë të pallatit, përplasi derën e hyrjes së saj sa nuk e hodhi në tokë.

4. Nuk mund ta përjashtoja dhe këtë situatë, që është e përditshme.
Jam në markatë për të bërë blerjet e nevojshme. Pres radhën civile duke ruajtur distancën. Mbërrij te kasa, pas xhiros së shpejtë për të shmangur njerëzit dhe “ngacmimet” e tyre ngjeshur pas teje për të marrë në rafte produktet që duan. Nuk ka respekt, ndjesë jo e jo. Rrëmbejnë mallin dhe të kalojnë para syve duke ta humbur vizionin për çfarë je aty. Nejse. Mbledh veten dhe gjërat që kam ndërmend të marr dhe drejtohem pwr tek arka. Pres, ka edhe radhë. Është radha ime. Zbraz koshin dhe shtyhem të marr qesen dhe ta mbush. Pas veshit më është ngjeshur një blerës. Ia ndjej frymëmarrjen në vesh. Kthehem pak që ai/ajo të kuptojë se nuk më pëlqen kjo gjë. Por jo. As ka për ta kuptuar kurrë. Duket sikur po i ikën radha, ndërkohë që Covidi bën kërdinë. Epo, as këtu nuk m’u ndanë, i them vetes. Kot e ke, ma kthen ajo. Iku koha e edukimit etik në komunitet. Jemi akoma tek epoka e dhèut!
Ky lloj inferioriteti është bërë i pranishëm në çdo ambient ku jetojmë, punojmë apo ndajmë kohën tonë. Një jetesë vulgare që referon gjithnjë e më shumë injorancë dhe rritje të keqe.
Do ta vuajmë edhe më shumë, kjo është e sigurt! Ky është vetëm fillimi… fatkeqësisht!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top