Në fokus

July 10, 2016 | 7:17

Prindër më të afërt me fëmijët!

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Fenomeni i pedofilisë, sa aktual aq edhe shqetësues, tanimë qarkullon në të gjithë botën. Shumë vende përballen me këtë ‘sëmundje’, e cila po shënon rritje. Pedofilia është një nga brutalitetet më të ashpra, më të hidhura në historinë njerëzore. Një fenomen, që është një nga tragjeditë më të mëdha të etikës së njerëzimit. Shtetet perëndimore kanë krijuar rrjete të forta për ta luftuar. Gjithsej janë 28 organizata në mbrojtje të fëmijëve, pjesë e koalicionit për kujdesin tërësor të fëmijëve.

Pasojat janë të thella dhe mund të kenë ndikim në zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve. Studimet tregojnë se pedofilia rezulton më shumë të jetë shkak nga faktorët psiko-socialë sesa nga ata biologjikë apo gjenetikë. Një nga arsyet mund të jetë se vetë personi mund të ketë qenë i abuzuar vetë në fëmijëri. Për të mbrojtur fëmijët e tyre, prindërit jo vetëm duhet t’i kenë nën vëzhgim, por duhet t’i informojnë se si duhet të ruhen nga personat e panjohur, apo edhe nga çdokush që bëhet i afrueshëm pa qenë pjesë e familjes. Ka ardhur koha që nëpër shkolla të bëhet më shumë për t’i informuar fëmijët rreth këtyre problematikave. Nga një studim mbi abuzimin e fëmijëve, i bërë kohët e fundit, rezulton se 16% e fëmijëve të marrë në studim raportojnë forma të abuzimit seksual.

Tri hapa që mund të bëjë çdo prind me fëmijën e tij:

1. Bëhuni vija e parë mbrojtëse për fëmijën. Një prind duhet të informohet vetë në fillim, pastaj të informojë fëmijën për këtë problem të shoqërisë njerëzore.

2. Jepini fëmijës njohuritë e nevojshme rreth intimitetit. Ai nuk di asgjë, prandaj mashtrohet lehtë nga abuzuesit. Fillojeni duke i mësuar pjesët e trupit e kështu me radhë. Mësojini fëmijës disa mënyra për t’u mbrojtur. Mësojini t’u thotë “Jo! Ik! Largohu!” të panjohurve. Këto mësime përsëritjani herë pas here. Prindi apo mësuesi në momentin e parë që nuhat se fëmija është abuzuar duhet t’i flasë atij me sa më shumë dashuri, ngrohtësi, besim, qetësi, kuptueshmëri. T’i shprehë atij se është krenar për kurajën dhe guximin e tij, se e kupton që ai ka frikë dhe është i tmerruar. Në rastin më të parë drejtohuni te një specialist për ndihmë, pediatër, psikolog këshillues për fëmijë, oficer policie, punonjës social apo dhe te mësuesi përkatës i fëmijës.

3. Post-trauma kalohet me kalimin e kohës duke u trajtuar nga psikologu, nga ndihma e prindërve, mësuesit, shoqëria apo institucionet përkatëse. Psikologu punon për një kohë të gjatë me të miturin. Ai synon që fëmija të bëhet më i hapur, më social, sepse në këto raste fëmija mbyllet në vetvete dhe bëhet më pak i komunikueshëm. Gjithashtu, kjo gjendje shoku kalon nëpërmjet teknikave speciale për trajtimin e saj.

 

Mënyrat e përballjes së prindërve me posttraumën e fëmijëve të tyre:

• Përballu me realitetin me kurajë

• Mbaje në kontroll situatën

• Përballu me problemin, që të mënjanosh përsëritjen e një abuzimi të dytë

• Diskutoje problemin me një terapist. Ai mund të të ofrojë mbështetje dhe këshillat e duhura

• Çështja duhet çuar në organet kompetente për të ndërhyrë sa më parë

 

Teknikat e post-traumës te fëmijët:

• Ndërhyrjet e hershme

• Ndërhyrjet psikoterapeutike

• Terapia konjitive – biheviorale

• Relaksimi nëpërmjet imazheve

• Ndalimi i mendimeve negative nëpërmjet teknikave specifike

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top