Marrëdhënie

July 10, 2016 | 6:30

Dëshmi/ Vjosa Berisha: Diferencat në çift, jo çështje moshe!

vjosa dhe fatosiPo të mos ishte rastësia që i bëri bashkë ata të dy, me siguri që sfera profesionale do e kishte gjezdisur në cilindo kënd të botës. Por, kthimi rastësor në Prishtinë e njohu me njeriun me të cilin do të lidhte jetën, për të vijuar një martesë të shëndoshë, fryt i së cilës është edhe i biri, Leka. Për Vjosa Berishën dhe të shoqin, të përbashkëtat profesionale janë vetëm një aspekt i qenësishëm që e ushqen marrëdhënien, ndërsa tipologjitë dhe karakteri tyre i kanë dhënë tjetër hov raportit në çift. Dallimet dhe të përbashkëtat mes të dyve nuk i kanë detyruar të ndryshojnë, por të përshtaten për të ‘vjelë’ më të mirën nga njëri-tjetri.

Kur bëjmë zgjedhjen e jetës përballemi me disa të kundërta, por që i bëjnë mirë çiftit. Si erdhi njohja te ju të dy?

Me Fatosin jam njohur rastësisht në janar të vitit 1993. Sapo isha kthyer nga Londra. Në fakt, Prishtina nuk po më pëlqente fare, sepse ishte një situatë shumë e tensionuar politike, duke përfshirë dhe universitetet. Fatosi u bë arsyeja pse nuk hoqa dorë nga Prishtina. Një vit më pas u martuam dhe shumë shpejt na lindi djali ynë Leka, i cili sot është 18 vjeç.

Si i bashkërenduat të përbashkëtat dhe diferencat mes njëri-tjetrit?

Profesionet tona janë lidhur me njëra-tjetrën dhe besoj se ky aspekt ka kontribuar shumë në lidhjen tonë. Fatosi është Drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, por për mua vazhdon të jetë personi nga i cili marr gjithmonë gjykimin më të drejtë dhe këshillat më të mira si për punën, ashtu edhe për çështje jetike. Jemi më shumë se bashkëshortë. Deri tani ka funksionuar shumë mirë dhe s’ka pse mos të vazhdojë kështu përderisa kemi një jetë të lumtur.

Si i gjykonit shijet e ndryshme, interesat reciprokë në fillim të lidhjes?

Jeta në çift normalisht që kërkon shumë përshtatje dhe kompromise që të funksionojë si duhet. Përshtatjet na kanë ardhur natyrshëm dhe jemi adaptuar mjaft me njëri-tjetrin. Gjatë vitit 2002, Fatosit iu desh të linte punën që të më përkrahte mua. Erdhi në Londër dhe më ofroi shumë ndihmë duke u përkujdesur për Lekën dhe duke punuar njëkohësisht. Kjo nuk është gjë e vogël sidomos kur bëhet fjalë për mentalitetin e shoqërisë sonë. Fatosi e bëri me shumë dëshirë këtë hap dhe unë i jam mirënjohëse. Janë shumë momente në jetët tona, ku e kemi përkrahur njëri-tjetrin. Është shumë me rëndësi për një çift që të kuptojë dëshirat dhe kërkesat e partnerit.

Thuhet se partneri me diferencë moshe të jep më tepër siguri, mbrojtje… Si ka ndodhur në çiftin tuaj?

Ne kemi gjashtë vite diferencë dhe ky dallim ka funksionuar më së miri. Tek im shoq figuroj njeriun që veç të tjerash di të më japë këshillat më të mira, sepse është gjykues dhe analitik më i përkorë se unë, por besoj se ky aspekt ka të bëjë me personalitetin e individit. Nuk mendoj se mosha luan rol shumë të rëndësishëm, gjithsesi.

Sa i përshtateni njëri-tjetrit kundrejt preferencave personale, udhëtimet, frekuentimi i jetës së natës…?

Ne kemi një dinamikë të jetës pak më ndryshe, ndoshta nga çiftet tjera, sepse të dy udhëtojmë shumë, shpesh udhëtojmë bashkë. Unë kaloj mjaft kohë edhe në Tiranë për shkak të angazhimit në zyrë, kemi shoqëri të zgjeruar, dhe jeta e të dyve është shumë aktive andaj kemi një mirëkuptim të madh ndaj njëri-tjetrit dhe gjithmonë i përshtatemi kërkesave respektive.

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top