Shpesh, si prindër, themi se duam që fëmija ynë të jetë mirë. Por “mirë” ngatërrohet lehtësisht me “siç duhet”, me “i rregullt” apo “i përsosur”dhe kështu humbet thelbi. Një bluzë e ndotur lahet, një mur i vizatuar rilyhet, një lodër e thyer zëvendësohet. Por një fëmijë që ndjen se është “gabim” për shkak të spontanitetit të tij, nuk rregullohet aq lehtë.
Fëmija nuk ndot apo prish për të sfiduar prindin. Ai e bën sepse jeton, eksploron dhe përjeton botën. Kur i themi vazhdimisht “Mos e bëj kështu” apo “Përsëri e prishe”, mesazhi i nënkuptuar është: “Kështu si je, më vështirëson”. Dhe fëmija, që ka nevojë për prindin, fillon të tërhiqet, të kufizohet dhe të mendojë para se të shprehet. Ajo që duket si qetësi, shpesh është fillimi i tërheqjes së tij. Kujdes, sjelljet korrigjohen, por identiteti i fëmijës duhet të pranohet. Pranimi dhe respekti ndërtojnë vetëbesim dhe marrëdhënie të shëndetshme, ndërsa kritika e vazhdueshme çon në tërheqje dhe pasiguri.
Kufijtë janë të domosdoshëm dhe janë shprehje dashurie, por mënyra si vendosen ka rëndësi. Ndryshe është të udhëzosh (“Muri nuk është për vizatim, le të gjejmë një vend tjetër”) dhe ndryshe të gjykosh (“Përsëri e prishe”). Fëmijët nuk mbajnë mend vetëm fjalët, por ndjesinë që përjetojnë. Njerëzit nuk kërkojnë ndihmë psikologjike sepse dikur kanë ndotur një bluzë, por sepse kanë ndjerë se nuk pranohen ashtu si janë. Asnjë fëmijë nuk rritet duke vlerësuar muret e pastra, por shumë rriten duke dëshiruar të ishin ndjerë më të pranuar.

Kjo nuk do të thotë mungesë kufijsh. Fëmijët kanë nevojë për strukturë, por brenda saj duhet të ndihen të pranuar. Respekti nuk mësohet me frikë apo presion, por kultivohet përmes mënyrës se si i trajtojmë ata.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

