Marrëdhënie

November 6, 2020 | 8:15

Prindërit autoritarë, stili më i keq i prindërimit

 

Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

authoritative-parenting-style-characteristics-and-effects

Prindërit autoritarë kanë tendencë ta vendosin stekën shumë lart, të bëjnë kërkesa të tepruara ndaj fëmijëve të tyre, t’i shtypin ata dhe t’i ndëshkojnë ashpër.

Prindërit autoritarë nuk kanë aspak durim ndaj gabimeve apo sjelljes së gabuar të fëmijëve të tyre. Ata nuk bëjnë kompromise, nuk diskutojnë për të gjetur një zgjidhje ose për të dëgjuar këndvështrimin e fëmijës së tyre dhe, megjithatë, ata nuk pranojnë të negociojnë ose të shohin një këndvështrim tjetër. Gjithashtu, prindërit autoritarë janë “të ftohtë” dhe nuk ofrojnë lidhje emocionale dhe mbështetje për fëmijën e tyre.

Prindërit autoritarë kërkojnë por nuk u përgjigjen nevojave emocionale të fëmijës së tyre. Ata kanë rregulla të pafund për gjithçka, të rëndësishme ose të parëndësishme, dhe ata menaxhojnë jetën e fëmijës së tyre në çdo detaj. Ata gjithashtu kanë një sërë rregullash të pashkruara, të cilat nuk i kanë përcaktuar shprehimisht, por presin që fëmija t’i marrë me mend dhe t’i ndjekë.

Nuk janë të ngrohtë dhe emocionalisht të afërt me fëmijën

Prindërit që kanë një stil autoritar janë të ftohtë dhe të largët, ata nuk e shprehin dashurinë dhe afeksionin e tyre për fëmijën. Ata nuk tregojnë butësi dhe emocione dhe sigurisht nuk janë të lidhur emocionalisht me fëmijën e tyre. Ata nuk e inkurajojnë, nuk e mbështesin dhe, sigurisht, nuk e lavdërojnë fëmijën e tyre. Ata e konsiderojnë disiplinën të rëndësishme dhe nuk lënë kohë për lojëra dhe argëtim.

Ndëshkojnë për gjënë më të vogël dhe pa shpjegime

Mënyra se si ata menaxhojnë sjelljen e keqe ose mënyra se si ata duan të mësojnë sjelljen e duhur është një: ndëshkimi. Ata mund t’i japin një shkop në vithe një fëmije më të vogël ose një shuplakë një më të madhi dhe presin që pas këtij nënshtrimi të plotë, të ndalojnë sjelljen e keqe dhe ta zëvendësojnë atë me një të saktë. Nuk përforcojnë ose shpërblejnë sjelljet pozitive.

Nuk i japin fëmijës zgjedhje

Fëmija nuk mëson të shprehë mendimin e tij ose të ketë një mendim për atë që dëshiron ose beson. Ai duhet t’i përmbahet asaj që thotë prindi pa asnjë mendim të dytë.

Nuk kanë durim me sjelljen e keqe

Ata besojnë se fëmija duhet të jetë 100% i bindur dhe i programuar që të sillet siç duhet, sipas standardeve të tyre.

Nuk i besojnë fëmijës së tyre

Ata nuk i japin atij lirinë që në moshë të vogël, për të treguar se ai mund të marrë një vendim të mirë dhe të tregojë sjelljen e duhur, për moshën e tij. Prindërit autoritarë qëndrojnë sipër fëmijës për ta luftuar në momentin që ai bën një gabim dhe për ta korrigjuar atë.

Nuk negociojnë

Ata nuk besojnë se të tjerët, edhe nëse janë fëmijë, mund të kenë një mendim dhe këndvështrim ndryshe nga i tyre. Ata kurrë nuk pyesin mendimin e fëmijës së tyre. Ata bëjnë atë që duan.

Ata e bëjnë fëmijën e tyre të turpërohet dhe të ndjehet fajtor për sjelljen e mirë.

Prindërit autoritarë janë shumë kritikë dhe përdorin fajin dhe turpin për ta detyruar fëmijën e tyre të sillet mirë. Me fajin dhe turpin fëmija rrëzohet dhe nuk fiton besim dhe, zakonisht, madje as sjellje të mirë!

Faji dhe turpi nuk janë motiv për sjellje të mirë. Në vend të kësaj, ata e bëjnë fëmijën të reagojë dhe të rrokulliset.

Rezultatet e stilit autoritar të rritjes së fëmijëve

Stili i prindërimit lidhet jo vetëm me sjelljen, por edhe me performancën në shkollë dhe aftësitë shoqërore. Kështu, fëmijët e prindërve autoritarë kanë këto sjellje:

Priren të barazojnë nënshtrimin, disiplinën dhe suksesin me dashurinë.

Mund të kenë sjellje të keqe atje ku i “çon”, pra larg shtëpisë, për shembull në shkollë. Janë shumë të ndrojtur ose të tërhequr në jetën e tyre shoqërore. Përgjithësisht kanë vështirësi në jetën shoqërore sepse nuk kanë mësuar të marrin vendime dhe të kenë guximin e mendimit. Ata kanë vetëvlerësim dhe vetëbesim të ulët. U nënshtrohen lehtësisht të tjerëve dhe dëshirave të tyre. Shpesh kanë depresion dhe ankth. Kanë vështirësi me vetëkontrollin.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top