Sipas një studimi të fundit, mbështetja prindërore për pavarësinë e fëmijëve ndihmon mirëqenien e tyre në fazat më të rëndësishme edukative; nga fillorja në nëntëvjeçare, nga nëntëvjeçarja në gjimnaz dhe nga gjimnazi në universitet.
Profesore Katariina Salmela-Aro thekson se mbështetja që ofrojnë prindërit për ndërtimin e pavarësisë tek fëmija parandalon depresionin në të gjitha këto faza tranzicioni dhe rrit vetëbesimin e tyre në dy fazat e fundit.
“Më parë mendohej se roli i prindërve ishte i rëndësishëm vetëm në fëmijëri, por ky studim tregon rëndësinë e tyre përgjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme”, thotë Salmela-Aro.
Rezultatet e studimeve të reja tregojnë se njerëzit ndikojnë në mirëqenien e njëri-tjetrit. Prindërit ndikojnë mirëqenien e fëmijëve sikurse fëmijët ndikojnë në mirëqenien e prindërve. Kur fëmijët nuk ia dalin mbanë mirë, prindërit ndërhyjnë direkt të ndihmojnë duke penguar kështu ndërtimin e pavarësisë tek fëmija.
“Gjithsesi, për hir të mirëqenies së fëmijëve, është shumë e rëndësishme që prindërit të ndihmojnë zhvillimin e pavarësisë në të tilla raste sepse është provuar nga shumë studime që ajo redukton depresionin”, thekson Salmela-Aro.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.