FB

November 23, 2022 | 9:15

Proceset komplekse të të menduarit / Misioni i shkollës sot, metodologjia efikase për konstatimin dhe zgjidhjen e problemeve

 

Janë mëse të vetëdijshëm të gjithë edukatorët se zhvillimi i njohurive të të menduarit është një mënyrë sinjifikative për të ndihmuar nxënësit të përshtaten ndaj ndryshimeve. Studiuesit, psikologët, sociologët, mësimdhënësit, drejtuesit e arsimit, prindërit etj., janë bërë të vetëdijshëm në këtë kohë se po jetojmë në një proces ndryshimi, jashtëzakonisht të shpejtë, duke u bazuar në arritjet dhe përvojat më bashkëkohore. Shoqëria jonë po ndryshon drejt një progresi me vlera dhe standarde të një shoqërie demokratike ku ka për bazë, në një drejtim: detyrat, të drejtat dhe interesat.

000

Nga Prof.Assoc.Doc.Dr.Ilia S.LARTI

Ndërsa në drejtimin e dytë: shtetin demokrati, shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës. Në këto ndryshime po thellohet kuptimi dhe qëndrimi dhe aplikimi i ekonomisë së tregut të lirë, kundrejt koncepteve të ekonomisë së centralizuar të para viteve ‘90. Po kështu nga një makineri e prapambetur, në një teknologji informative, ndaj dhe nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., sikurse dhe mësuesit, pedagogët dhe drejtuesit në arsim i të gjitha niveleve, u nevojiten shprehitë dhe dijet teorike të qëndrueshme dhe ato aplikative të vetëdijshme, për t’u a përshtatur sa më shpejt e sa më lehtë ndaj këtyre ndryshimeve që ndodhin dhe që janë të pakthyeshme. Në këtë sens po qe se mësuesit nuk pajisen vetë me shprehitë e kohës dhe të stadit të zhvillimit shoqëror, nxënësit që ata mësojnë, formojnë dhe edukojnë, do të jenë të pa përgatitur për të përmbushur kërkesat e sotme të shoqërisë dhe të zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë së digjitalizuar.

k-1

Është mëse e ditur që sot shkolla e ka të pamundur që të transmetojë te nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., gjithë informacionin i cili prodhohet dhe qarkullon me shpejtësi marramendëse. Nga ana tjetër, problemet, shqetësimet, me të cilat përballet dhe ballafaqohet shoqëria dhe individët si pjesëtarë të saj, janë shumë komplekse dhe të panumërta dhe herë-herë dhe të sofistikuara. Nisur nga këta faktorë të rëndësishëm (që herë-herë dhe nënvlerësohen), misioni i shkollës sot është kuptimi dhe vlerësimi më se i domosdoshëm, për t’i pajisur nxënësit, studentët, kërkuesit e masterave etj., me metodologjinë më efikase për konstatimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, si dhe të kultivojnë te ata shprehitë e të menduarit sa kritik e krijues.

Duke iu referuar këtyre kërkesave, në këtë material do të trajtojmë disa arritje nga më të suksesshmet nga studiuesit e fushës së psikologjisë, në lidhje me të menduarit dhe sidomos të menduarit kritik. Të nxënit krijues, duke u përqendruar te teknikat e të pyeturit dhe më me detaje zgjidhjen e problemit.

 

Shprehitë e të menduarit

Psikologët e edukimit të preokupuar për proceset komplekse të edukimit, kanë bërë një punë mjaft të studiuar, sa kërkuese dhe shkencore, në lidhje me fushën e arsimimit, duke patur për objekt të menduarit, nisur nga vlerat dhe shkalla e lartë e dobishmërisë si për mësimdhënësit, nxënësit e gjithë të interesuarit për arsimin.

Gjithë teknologjia arsimore (si rezultat i ndryshimeve ekonomiko-shoqërore), sado e vlefshme që është, duhen bërë përpjekje edhe të mëtejshme, të shoqëruara me dije teorike, mendime, propozime dhe angazhime serioze dhe të argumentuara për të bërë më të mirën për të përmbushur sa dhe si duhet kërkesat e kohës në fushën e arsimit dhe sidomos për t’i pajisur nxënësit, studentët dhe kërkuesit e masterave etj., me shprehi dhe vlera qytetarie. Ndaj ky material mësimor do të pajisë kërkuesit e masterit shkencor, me aftësi të veçanta, teknika dhe strategji, që të jenë në gjendje t`i përcjellin në klasat dhe auditoret ku ata/ato, mësojnë, formojnë dhe edukojnë nxënës, apo studentë.

Është mëse e nevojshme që në një shoqëri demokratike dhe sidomos në institucionet e arsimimit, anëtarët e kësaj shoqërie, duhet që të mendojnë në mënyrë kritike, ndofta dhe ndryshe, të bëhen vetëkorrigjues, të zbulojnë dobësitë e tyre dhe të veprojnë realisht për të korrigjuar gabimet dhe për të kapërcyer pengesat, pse jo dhe për t’ju nënshtruar llogaridhënieve.

k-2

Mendimi kritik është aftësia për të menduar qartë dhe në mënyrë racionale. Ai përfshin aftësinë për t’u përfshirë në mendime reflektive dhe të pavarura. Një person me mendim kritik mund të bëjë gjërat e mëposhtme.

  • kuptojë lidhjet logjike midis ideve
  • identifikojë, ndërtojë dhe vlerësojë argumenta
  • zbulojë gabime të zakonshme dhe mungesë konsistencë në arsyetim
  • zgjidhë probleme sistematikisht
  • identifikojë lidhjet dhe rëndësinë e ideve
  • reflektojë mbi justifikimin e besimeve dhe vlerave të veta

Mund të thuhet se qartësia dhe racionaliteti përbëjnë bërthamën e konceptimeve të ndryshme mbi mendimin kritik. Mendimi kritik nuk ka të bëjë me akumulimin e informacionit. Një person me kujtesë të fortë dhe me bagazh të madh faktesh nuk është e thënë të jetë një njeri i mirë kritik.

Një njeri kritik është i aftë të nxjerrë rrjedhojat nga faktet që njeh, dhe di gjithashtu si të përdorë informacionin për të zgjidhur probleme dhe për të kërkuar burime të sigurta informacioni për veten. Mendimi kritik nuk duhet ngatërruar me të pasurit argumenta, ose me të qenit kritik me persona të tjerë. Megjithëse aftësia e mendimit kritik mund të përdoret për të nxjerrë në pah të metat e një arsyetimi të keq, mendimi kritik mund të luajë një rol të rëndësishëm në arsyetimin bashkëpunues dhe detyrave konstruktive.

Mendimi kritik mund të na ndihmojë për të përvetësuar njohuri, përmirësuar teoritë tona, dhe për të përforcuar argumentat. Mund ta përdorim mendimin kritik për të rritur eficensën dhe efikasitetin e proceseve të punës dhe për të përmirësuar institucionet tona sociale.

 

Mendimi i mirë kritik mund të shihet si themeli i shkencës dhe i një shoqërie të lirë demokratike. Shkencës i nevojitet mendimi kritik për eksperimentimin dhe konfirmimin e teorive. Funksionimi i duhur i një shoqërie liberale dhe demokratike ka nevoje për qytetarë të aftë për të menduar në mënyrë kritike mbi çështjet sociale dhe për të dhënë gjykimin e tyre të drejtë mbi qeverisjen e drejtë dhe kapërcimin e tendencave të paragjykimit.

Për të menduarit kritik ka shumë përcaktime, por në këtë material mësimor, kemi zgjedhur dy prej tyre:

a.“Të menduarit kritik është procesi i reflektimit të arsyeshëm që përqendrohet në marrjen e vendimeve, se çfarë do të besojmë ose të bëjmë praktikisht” Robert Enis (Robert Ennis, 1987)

Enisi shprehet se përmbajtja e përkufizimit është me bazë filozofike dhe ka terma mjaft përcaktues si: praktik, reflektiv, i arsyeshëm, besim dhe veprim.

Të menduarit kritik është një veprimtari praktike dhe reflektive, që ka qendër besimin e arsyeshëm ose veprimin si qëllim të tij. Kur arrijmë të shqyrtojmë shprehitë që shfaqen nga ky përcaktim, do të zbulojë se përcaktimi i Enisit përfshin prirjet dhe aftësitë.

b.“Të menduarit kritik përmbledh proceset mendore, strategjitë dhe përdorimin e shembujve të njerëzve për zgjidhjen e problemeve, për marrjen e vendimeve dhe për përvetësimin e koncepteve të reja”. Robert Sternberk (1985).

Ky përkufizim reflekton angazhimin psikologjik, rreth të menduarit dhe inteligjencës. Përcaktimi sipas tij i këtij koncepti është rezultati i një analize psikologjike me fokus mendimin kritik, veçanërisht për lidhjen e tij me inteligjencën. Sipas kësaj pikëpamjeje inteligjence do të zbulojmë më tej cilësitë e të menduarit kritik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top