Mirëqenie

January 9, 2018 | 9:44

Pse besojmë në heronj?

Fëmijëria jonë ka qenë e mbushur me personazhe të ndryshme filmash vizatimorë, të cilët u kthyen në heronjtë tanë. Aktet e tyre heroike ishin ato veprime që u kthyen në simbolin e fëmijërisë sonë. Dëshira që një ditë të bëhemi si ata, ishte rruga që na udhëhoqi drejt pjekurisë sonë. E me kalimin e kohës, kur kuptojmë se ai personazh është vetëm një gjë joreale e kësaj bote reale, e se veprimet apo superfuqitë e tij janë paksa të parealizueshme në një tokë me mundësi të pakufishme, heroi apo heroina jonë përgjithësisht ndryshon.
Me arritjen e pjekurisë mendore dhe shpirtërore, heronjtë tanë janë më tokësorë ose më të vërtetë. Këtu lind pyetja: Pse kemi nevojë të besojmë në heronj?

Ndihmojnë që të përpiqemi për më shumë
Heronjtë janë shembuj për ne e janë ata që na tregojnë kush është e mira dhe e keqja duke luftuar kundrejt armikut të ligë. Në këtë përballje e përgjatë gjithë historisë së tyre, ata bëjnë diçka që ne admirojmë e në këtë mënyrë ata përfaqësojnë atë çfarë ne çmojmë më shumë duke na kthyer ne në imitues të tyre. Kjo nënkupton se ne do fillojmë të ecim në hapat e tyre e do të përpiqemi
njëlloj sikundër ata që të arrijmë synimet tona.
Rrisin vetëbesimin tonë
Shumë gjëra që përjetojmë në jetët tona mund të na dekurajojnë dhe të na shpërqendrojnë. Ajo çfarë për ne ishte e mundur, tashmë na duket e pamundur. Megjithatë, heronjtë na kujtojnë të vërtetën, na kujtojnë atë çfarë ne jemi realisht, një luftëtar në rrugët tona të jetës e jo një frikacak që me vështirësinë e parë e ka të pamundur ringritjen, e zgjedh lehtësisht dorëzimin. Por, qoftë edhe atëherë kur ne jemi dorëzuar, arrijmë të ringrihemi përmes tyre, përmes vetëbesimit tashmë të fituar, e kjo falë tyre.

 

Mësojmë nga dështimet e tyre
Ne nuk mësojmë vetëm prej sukseseve dhe fitoreve të heronjve tanë, por gjithashtu edhe prej dështimeve dhe disfatave të tyre. Të ngjisësh shkallët e suksesit nuk është asnjëherë e lehtë. Gjatë këtij rrugëtimi, pengesat janë të tepërta, por jo të pathyeshme.

Heronjtë janë të rëndësishëm në jetën e gjithsecilit. Janë ata shpresa pas së cilës kapemi për të mbijetuar apo jetuar, janë ata që na japin forcë edhe pse ndonjëherë mund të jenë vizual. Gjithçka që njeriu ka nevojë në këtë botë është një dritëz shprese, e atëherë kur në krahë ke mbështetjen e duhur, asgjë nuk mund të të ndalë se ti ke në zemër atë, heroin tënd.

Enveida Kajushi, nxënëse në vitin e tretë, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

Enveida Kajushi

Përgatiti Enveida Kajushi, nxënëse në vitin e tretë, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com