Më pyet me ngulm: “Pse?”
Pse të bëri padrejtësi?
Pse të lëndoi?
Pse u soll ashtu me ty?
Pse nuk të çmoi, nuk të zgjodhi, nuk të deshi siç doje?
Pse të tradhtoi?
Pse, pse, pse…?
Por e vërteta është kjo: sado që ta ndjekësh këtë “pse” nëpër labirintet e mendjes, në fund do ta gjesh veten përballë mureve që s’flasin. Nuk ka një “pse” që të të shërojë, as një që të të japë të drejtë. Çdo “pse” që lind nga dhimbja është një përpëlitje e mendjes për të gjetur kuptim atje ku nuk ka. Një mbetje në hi, në vend që të frysh për të ngjallur një zjarr të ri.
Nëse do e pyesje atë? Do të tundte supet: “Isha i humbur.” “Isha i lënduar.” “Nuk dija çfarë doja.”
Nëse do pyesje pasuesin e tij? Do të të thoshte: “Kështu jam unë.” “Ti meritove më mirë.” “Edhe ti kishe faj.”
Po nëse do ta pyesje vetë jetën? Do të kthente sytë bosh drejt teje dhe do të thoshte: “Kështu ndodh.”
Sepse njerëzit lëndojnë. Jo gjithmonë nga ligësia, por nga frika. Nga pasiguritë e tyre. Nga një papjekuri që nuk di të durojë, që nuk njeh përgjegjësi. Ndonjëherë thjesht sepse në atë çast nuk patën forcën shpirtërore për të qëndruar para teje me dinjitet.
Ndaj, pyetja që vlen nuk është më: “Pse ma bëri këtë?”
Por: “Çfarë do të bëj unë me këtë?”
Do të rrish mbi rrënojat e shpirtit tënd, duke pritur një përgjigje që nuk vjen kurrë? Apo do mbledhësh veten, do ta ngresh kokën lart dhe do ecësh përpara…, më e fortë, më e kthjellët, më e ndershme me veten?
Ti e di përgjigjen.
Vetëm se ke frikë ta pranosh. Ashtu si kemi pasur frikë të gjithë, njëherë e një kohë.
Por, ama, mbaji sytë te ora e rërës…, se koha s’pret. Dhe as jeta.
Thjesht pse-të na torturojnë dhe dalin në pah si autoimune.
Po, pse-të janë si plagë që trupi vetë krruhet për t’i mbajtur hapur. Si sëmundje autoimune të shpirtit: mendja kthehet kundër vetes në përpjekje të dëshpëruara për të gjetur kuptim, fajtor ose lehtësim dhe në vend të shërimit, rihap plagën.
Në fillim duket se pyesim për të kuptuar tjetrin. Por në thelb, pyesim për të shpëtuar veten nga ndjenja e pamjaftueshmërisë, nga tradhtia, nga pafuqia. Dhe kur përgjigjja nuk vjen ose është e vakët, mendja fillon të helmojë veten. Pa zhurmë. Pa ndërprerje.
Prandaj duhet ta ndalim vetveten. Të ndalim “pse-në” përpara se të na kthehet në mallkim të heshtur. Dhe ta kthejmë pyetjen: Çfarë më duhet tani për të jetuar më e plotë?
Sepse e vetmja përgjigje që shëron, është ajo që lind brenda nesh, jo ajo që presim nga tjetri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.