Në fokus

April 22, 2017 | 14:35

Psikologjia e krimit

Nga Hysen Kica

Aktualisht vendi ynë po kalon një periudhë të rrezikshme të rritjes së kriminalitetit. Në studimin e veprimeve kriminale të njerëzve, psikologjia niset nga parimi themelor se njerëzit nuk lindin kriminelë, por bëhen të tillë gjatë ecjes në rrugën e jetës. Ndër shkaqet kryesore që e çojnë njeriun në rrugën e krimit dominojnë ato të ndeshjes së interesave dhe pas tyre vijnë ato të egos për superioritet, të ndikimeve dhe edukatës fëminore, të përpjekjeve për të dalë nga varfëria, të disavantazheve fizike e shoqërore, të xhelozisë dhe problemeve familjare, të problemeve mendore, të alkoolit dhe drogës, etj.

prisoner

Shkaqet janë të shumta, por përgjithësisht kanë motive të përbashkët, që janë mungesa e ndjenjave të solidaritetit njerëzor, varfëria shpirtërore, mungesa e interesit apo dashurisë për njerëzit dhe paaftësia e vetëkontrollit të instinkteve. Në jetën e përditshme të gjithë kemi probleme dhe dëshira, për të cilat punojmë e jetojmë gjithmonë në harmoni me njerëzit që kemi rreth nesh. Të gjithë synojmë t’i kapërcejmë vështirësitë e pengesat për të arritur në një të ardhme të dëshiruar, por kjo nuk na jep të drejtë të synojmë ato që gëzojnë të tjerët. Të jetosh do të thotë të ekzistosh në një hapësirë të planetit tonë dhe të shfrytëzosh të gjitha të mirat që të dhuron kjo hapësirë. Nëse nuk jemi të aftë, nuk na ka faj askush. Praktikisht na mungojnë forcat mendore e fizike, na mungon përgatitja profesionale e shkencore, na mungojnë aftësi të lindura, të edukuara e të trashëguara, na mungojnë vlera monetare e shoqërore dhe këto duhet t’i pranojmë si fakt dhe jo si dështime. Duhet pra t’i pranojmë dhe të bashkëjetojmë me to, pa e urryer jetën pse na ka vendosur në këtë pozicion. Bukuria dhe kënaqësia e jetës nuk maten vetëm me vlerat ekonomike. Njeriu duhet të krenohet me vlerat e mëdha morale, të ece i lirë në rrugën e jetës dhe të binde veten se ka ardhur në këtë botë për të gëzuar e për të jetuar i lumtur. Ka shumë faktorë që e kanë vendosur popullin tonë në një situatë kaq dramatike në rrugën e kriminalitetit, ku duhet përmendur rrënimi ekonomik, shpirtëror e kulturor, shkëputja nga rrjedha e zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe edukimi i një ndërgjegje false nën presionin e frikës dhe diktaturës. Koraca e padepërtueshme, që izoloi shoqërinë tonë nga bota për gjysmë shekulli u thye dhe ne u gjendem të pambrojtur nga penetrimi i të gjitha dukurive më kriminale të botës njerëzore. Në vendin tonë gjetën shtrat të gjitha poshtërsitë e botës. Kur e pamë botën me sytë tanë ne mësuam se ata, jo vetëm nuk vdisnin për bukë por, kishin makina private, ekonomi shumë të zhvilluar dhe shumë gjëra që na mungonin. Po ne? Ne ishim ndër popujt më të varfër në botë jo vetëm në ekonomi, por edhe në shpirt. Varfëria na kishte shkatërruar shumë nga cilësitë morale. Morëm të ashtuquajturën pronë të përbashkët dhe e ndamë si bishat e pyllit, morëm vajzat e motrat tona i përdhunuam dhe i shitëm në rrugët e prostitucionit të Europës perëndimore. Morëm armët dhe… u bëmë vrasës. U bëmë kriminelë. Po sot? Shkaqet më kryesore të krimeve mbeten ato të hakmarrjes dhe përplasjes së interesave, për të cilat mund të ndërhyhet dhe të parandalohen në një përqindje të konsiderueshme, por nuk mendon kështu shteti. Ai ka deklaruar se vrasjet e tilla bëhen për larje hesapesh dhe kjo papërgjegjshmëri u jep dorë të lirë kriminelëve të vrasin të gjithë ata që duket se i pengojnë në rrugën e tyre kriminale. Me sa duket kriminelët ndjehen të lirë në aktivitetin e tyre dhe çdo ditë na paraqesin skena të tmerrshme krimi. Sido që populli i sheh, i njeh dhe i tregon me gisht, shteti nuk i gjen dot kriminelët. Ka shumë raste që gjykatat falin fajtorët dhe dënojnë të pafajshmit. Mungesa e drejtësisë dhe mos dënimi i kriminelëve i shtyn njerëzit në vetëgjyqësi apo edhe në vetëvrasje. Ku po shkojmë vallë? Populli ynë nuk e meriton një dënim kaq të rëndë. Njerëzit duhet të kujdesen që të mbjellin më shumë lule në rrugën e jetës së tyre dhe jo të dergjen gjak. Të bashkohemi për të rritur pasurinë shpirtërore dhe të edukojmë te fëmijët tanë dashurinë për njeriun. Të gjitha vlerat e mëdha, ekonomike apo shpirtërore, e gjithë lumturia njerëzore dhe dashuria për njeriun sigurohen vetëm në një shoqëri humane. Mendoj se kemi forca të bëhemi njerëz të mirë dhe të shkëputemi nga rruga e kriminalitetit. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top