Lifestyle

February 9, 2021 | 8:45

“Pusulla dashurie”, eksplorimi i një prej ndjenjave më themelore të përvojës njerëzore, histori që do t’ju ngrohë zemrat

Edhe në çastet e mbrame, njeriu gjen lumturinë në dashurinë e të shtrenjtëve të vet.

Ata që e kanë dashuruar romanin “P.S. Të dua”, kanë pritur me ankth vijimin e historisë së Olit dhe tashmë, “Pusulla dashurie” është në duart e tyre. Mallëngjyes dhe shpresëdhënës, ky vijim i mrekullueshëm do të na rrëfejë për udhën e re që ndërmerr Oli drejt zbulimit të vetes.

2

Kanë kaluar shtatë vjetësh që nga humbja e bashkëshortit dhe ajo ka gjetur më së fundi pakëz qetësi. Tani që ka një punë të re dhe një njeri i veçantë është bërë pjesë e jetës së saj, është plotësisht e vendosur që ta hedhë të shkuarën pas krahëve dhe të shohë përpara, vetëm përpara. Por teksa zbulon që historia e letrave të Xherrit ka frymëzuar lindjen e një shoqërie të çuditshme, të quajtur pikërisht “P.S. Të dua”, kujtimi i çasteve më të dëshpëruara kanoset ta përfshijë sërish në kthetrat e trishtimit. Vetëm pasi pranon të ndihmojë anëtarët e shoqërisë “P.S. Të dua” për t’u dhënë lamtumirën e fundit njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo do të kuptojë se çfarë dëshiron në të vërtetë. Kështu do të zbulojë kuptimin e njëmendtë të fjalëve “kujtim”, “e shkuar”, “dashuri”. Dhe mbi të gjitha “e ardhme”. Pesëmbëdhjetë vjet pas “P.S. Të dua”, historia e Olit pasurohet me një kapitull të ri.

Kritika

Një histori e mrekullueshme, mallëngjyese dhe e mbushur me shpresë, që me siguri do t’i përlotë lexuesit por do t’u ngrohë dhe zemrat. – Irish Indipendent

Prekës, plot humor… një libër që i thotë po jetës. Ahern shkruan me sinqeritet dhe empati. – Irish Times

Një libër që eksploron një prej ndjenjave më themelore të përvojës njerëzore, me ngrohtësi, humorizëm dhe pasion. – Sunday Indipendent

3-cecelia-ahern

Cecelia Ahern është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim. Në 2004, në moshën 21-vjeçare shkroi romanin e saj të parë “P.S. Të dua”. Qysh atëherë ka shkruar 17 romane. Në 2019, erdhi dhe vijimi i “P.S. Të dua”, “Pusulla dashurie”. Deri më sot, librat e Cecelia-s kanë shitur më shumë se 25 milion kopje në mbarë botën dhe janë botuar në mbi 40 vende, në 30 gjuhë. Librat e saj janë bërë gjithashtu pjesë e kinemasë, duke filluar që nga romani i saj i parë, ekranizuar me të njëjtin titull, me aktoren Hillary Swank.

Fragmente nga libri

…Nuk besoj se do të vijë dita që s’do të të dua më. Sa më pak jetë më mbetet, aq më shumë të dua, a thua se të gjitha hapësirat e zbrazëta brenda meje po mbushen me dashuri…

…Ndihem krenare për këtë që po bëj. Nuk më kredh aspak në dëshpërim, siç besonin të tjerët dhe unë vetë në fillim. Të kthesh kokën pas, të kthehesh pas në kohë, nuk është dobësi. Nuk t’i rihap plagët. Nevojitet forcë, nevojitet kurajë. Që të arrish të hedhësh një vështrim të paanshëm, aspak gjykues, mbi atë që ke qenë dikur, duhet të jesh njeri tejet i sigurt në vetvete. Nuk kam as më të voglin dyshim se ky kthim prapa do të më japë flatra, jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që janë prekur nga historia ime…

…Papritur gjeta një forcë të re brenda vetes, e gjeta në fund të një vendi të errët e të shkretë, ama e gjeta. Dhe, për fat të keq, pikërisht ky është vendi ku gjejmë shumicën e thesareve të jetës. Pasi gërmojmë deri në rraskapitje nëpër vende të errëta e plot llumë, ndeshim më në fund diçka të fortë. Unë zbulova se tabani i ngurtë mund të shndërrohet në sustë kërcimi…

…Ah, sikur Xherri ta dinte se ç’lloj fare ka mbjellë! Pa dyshim, nuk kam për ta mësuar kurrë se çfarë mendonte Xherri gjatë kohës që shkroi ato dhjetë letra, por një gjë e kam më se të qartë tani. Ai nuk i shkroi vetëm për mua, siç kisha besuar asokohe. Ato ishin mënyra që ai zgjodhi për të qenë i pranishëm në këtë jetë, edhe pasi kjo t’ia mbyllte të gjitha shtigjet dhe vdekja t’i afrohej për ta pritur në krahët e vet. Ishte mënyra e tij për t’i thënë, jo vetëm mua, por të gjithë botës: “Mos më harro!”. Sepse, tekefundit, kjo është ajo që dëshiron gjithkush. Që të mos humbasë, që të mos ngelet në të shkuarën, që të mos e harrojnë, që të jetë pjesë edhe e atyre çasteve që, së gjalli, nuk do t’i shijojë dot kurrë. Ta lërë emrin e vet diku. Të kujtohet përngaherë…

 

1Titulli: Pusulla dashurie

Autore: Cecelia Ahern

Përktheu: Oriana Tamburi

Zhanri: Roman

Data e botimit: shkurt, 2021

Koleksioni: Fluturëzat

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top