Këshilla & Arsye

November 1, 2017 | 8:09

“Puthje mbi Bosfor”, përkthyesja Rozana Belli sjell 100+1 autorë në antologjinë e poezisë turke

Nga Orjona Tresa

Në lëmin ku i ka dhënë jetë pasionit, ngjan me një udhëtim të bukur çdo herë. E lidhur verbërisht pas përkthimit, ajo ka zbuluar te vetja, njeriun që do të mundte të zbërthente ndjesi të paçmueshme. Me shpirtin e një udhëtari fisnik ndër rreshta, ajo sjell për lexuesit shqiptarë autorë të njohur, poetë të letërsisë turke, përfshirë gjithaq dhe veten e saj si pjesë e këtij misioni. Për përkthyesen e gjuhës turke, Rozana Belli, “për njeriun është e pamundur të përkthejë një gjuhë nga e cila nuk ndjen gëzim apo dhimbje, një gjuhë të cilës nuk ia njeh brinjët”. Për herë të parë ajo guxon me një antologji të mirëfilltë të poezisë turke, ndërsa librin e titulluar “Puthje mbi Bosfor” do të mund ta gjeni dhe në panairin e librit në 15 nëntor.

rozana

Si lindi ideja e kësaj përmbledhjeje?

Eksperienca ime e parë me përkthimin e poezisë Turke ka qenë krejt rastësore. Para disa vitesh, teksa pija kafen e pasdites në shtëpi, lexoj një poezi nga shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe udhëzuesi Xhan Jyxhel “Nuk duhet të lidhesh pas një gjëje verbërisht”. Lexoja dhe rilexoja poezinë duke qarë, derisa dëshira për ta sjellë në Shqip u bë më e fuqishme se unë. Në një moment dobësie qeshë lidhur verbërisht poezi pas poezie, përkthim pas përkthimi, pa kthim…

Çfarë ju ngacmoi për të ardhur me një numër poezish që i përkasin shifrës 101?

Kur kontaktova Shtëpinë Botuese “Klubi i Poezisë” autorët e përkthyer i përafroheshin numrit 100. 100 apo 101? Ramë dakord për 100 poetë dhe një shpirt… (qesh)

Si i keni klasifikuar autorët në këtë përmbledhje, nisur nga periudhat kohore kur ata kanë shkruar?

Na u duk e drejtë që renditjen e autorëve në antologji ta bënim në bazë të vitit të lindjes. Rastësisht vendi i parë në këtë renditje i takoi një autori me origjinë shqiptare: Jahja Kemal Bejatllë lindur në Shkup (1884).

Pse i keni vënë këtë titull librit?

Bosfori është pika kyçe ku ndahen dhe bashkohen dy botë. Puthja mbi Bosfor vjen si një ftesë mirësie dhe dashurie nga 101 poetë në bashkimin e dy botëve dhe dy kulturave të ndryshme.

libriSi mendoni, sa do t’i shërbejë kjo antologji kurrikulës jashtëshkollore?

Besoj se poezia mbetet kënga më e bukur e dhimbjes, e dashurisë, e dilemës, e së vërtetës njerëzore. Në këtë antologji, shpirti turk shpaloset përtej dimensionit të dhimbjes dhe dashurisë së një populli. Vjen si një takim i lexuesit me vetveten në një dimension ndryshe, kaq mund të them.

Cila është lidhja juaj me gjuhën shqipe dhe përkthimin në turqisht në veçanti?

Kam arritur në përfundimin se gjuha, noti dhe biçikleta mësohen sa je fëmijë. Me mirënjohje të thellë kujtoj mësuesen time të letërsisë Elvira Dilo: tekstshkruese e librave të Leximit Letrar në atë kohë. Përsa i përket përkthimit letrar, besoj se për njeriun është e pamundur të përkthej një gjuhë nga e cila nuk ndjen gëzim apo dhimbje, një gjuhë të cilës nuk ia njeh brinjët. Fakti që unë jam rritur mes këtyre dy gjuhëve më ka ndihmuar shumë.

Të shqipërosh një vepër nga një gjuhë e huaj kërkon shumë mund, mbi të gjitha një botë shpirtërore që pasuron dhe atë që flet gjuhën e vendit. Sa ia keni dalë në këtë drejtim, marrë shkas se ju jeni përkthyese me përvojë në këtë fushë?

Në fakt ishte hera e parë që përktheja poezi turke, por mbetet një ndër eksperiencat dhe udhëtimet më të bukura të jetës. Nuk di si dhe sa mund t’ia kem dalë, vërtet nuk e di.

Sa botime apo emra të letërsisë turke keni sjellë deri më sot në vendin tonë?

Antologjia e Poezisë Turke është prurja ime e parë. 101 emra 101 histori… Po të mundesha do t’i sillja të gjithë autorët një nga një…

Cili është libri që keni në plan në vazhdim?

Janë gati për botim disa proza poetike nga një autor tepër i dashur për mua. Ndërkohë po punoj mbi dorëshkrimet e një tjetër autori të madh.

Po në sirtarin tuaj të punës a ka ndonjë preferencë të veçantë që e keni ruajtur për një kohë të dytë për ta sjellë në shqip?

Në fakt është një vëllim voluminoz i cili ka tronditur opinionin publik në periudhën kur është botuar. Më pret aty pa bërë zë, ndërsa unë bëj sikur nuk e shoh…

Kush është për ju autori më i preferuar i letërsisë turke?

Janë shumë, por po rendis disa prej tyre. Oguz Ataj, autori që la pesë vepra e gjysmë. Ahmet Erhan, poeti i trishtimit. Xhemal Syreja, poeti i dashurisë. Lale Myldyr, ndër poetet femra më të dashura për mua dhe Nazim Hikmet, gjiganti me sy të kaltër.

Pse do ta këshillonit letërsinë turke të lexohej?

Letërsia turke ka një qasje aq të thellë shpirtërore sa kërkon notarë të guximshëm, është kaq qiellore sa kërkon krahë të fuqishëm. Nuk është letërsi cekëtinash, por furtunash mbi Bosfor. “Më shiko drejt në sy që të kuptosh pse jetojnë të vdekurit”, thotë Sezai Karakoç. Ose siç citon Adnan Azar: “Më bëj të flas, unë rrjedh gjak aty ku hesht më shumë”.

Si ndiheni emocionalisht pas kësaj përvoje?

Thjesht ndihem…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top