FB

January 15, 2022 | 8:02

Qëllimet e mira për të përmirësuar jetën në vitin 2022

Tani që festat e fundvitit kaluan, kemi vendosur të dalim nga tema e festimeve dhe t’ju japim disa ide mbi qëllimet e mira për vitin 2022. Ndonjëherë, në fund të dhjetorit shumica e njerëzve bëjnë një listë për objektivat e vitit të ri ndërkohë që flasin me miqtë, të afërmit apo edhe thjesht me veten. Por sa nga këto objektiva arrijnë t’i vënë në praktikë? Ju ka ndodhur dhe juve kjo gjë? Me siguri, po…

Me të kaluar janari, shumica e njerëzve që i vendosin qëllime vetes i braktisin ato, ndoshta sepse përzgjedhin shumë, ndoshta për shkak të ngarkesës së përditshmërisë. Sot, ju sugjerojmë disa qëllime të mira për vitin e ri. Një nga arsyet kryesore për të cilën pak njerëz ia dalin të përmbushin synimet që i caktojnë vetes është fakti se përqendrohen maksimumi në tri qëllime të mira.

Në këtë mënyrë kanë më shumë kohë të punojnë për to dhe i realizojnë pa stresin e mbingarkesës. Fillojmë gjithmonë me qëllimet më të mira, duam të rivlerësojmë përparësitë, shpesh idealizojmë gjëra të mëdha, të cilat me kalimin e kohës veniten që në javët e para të vitit. Përditshmëria duhet shijuar çdo ditë dhe në të gjitha momentet e vitit, duke u përpjekur të kultivojmë mirëqenien personale në çdo rrethanë. Duke filluar që nga gjërat e vogla arrijmë të shijojmë sukseset e mëdha dhe falë shpresave të vogla ia dalim të përmbushim hap pas hapi objektivat dhe njëkohësisht të rrisim edhe vetëbesimin.

Për këtë arsye, kemi përzgjedhur disa këshilla që përmirësojnë mirëqenien. Përdorini për t’u përmirësuar dhe për t’u fokusuar në objektivat tuaja.

  1. Përballoni gjithçka me lehtësi

Stërvitni aftësinë që të mos përfshiheni nga humori i keq për çdo gjë që nuk shkon ashtu siç doni. Të merrni shumë seriozisht çdo gjë bën të mundur që të rëndohet situata, krijohet nervozizëm dhe jeni të pakënaqur. Të hidhni çdo gjë pas krahëve nuk është sinonim i superficialitetit, por do të thotë t’i jepni rëndësi gjërave dhe njerëzve që e meritojnë me të vërtetë.

  1. Përdorni më pak telefonin

Përdorimi i vazhdueshëm i celularit dhe i kompjuterit, duke kontrolluar në çdo çast rrjetet sociale dhe internetin pakëson aftësinë e memories dhe të qenit i kujdesshëm. Pakësoni kohën që kaloni para ekranit dhe jetoni jetën e vërtetë, me dashuritë e vërteta, në maksimumin e mundësive tuaja. Kultivoni marrëdhëniet, mos u shndërroni në një skllav të objekteve.

  1. Çdo ditë një mendim pozitiv

Kush ka humorin e mirë dhe di të gëzojë gjërat e vogla, ndikon pozitivisht veten dhe ambientin ku ndodhet. Mund të kujtoheni që të shënoni në një letër gjënë më të bukur që keni kaluar atë ditë… pas disa ditësh do të keni një bagazh mendimesh pozitive për të shijuar dhe për të përjetuar.

  1. Përfshini të afërmit tuaj

Çfarëdolloj synimi të keni apo çfarëdolloj rrugë të ndërmerrni, mundohuni ta ndani atë me njerëzit më të afërt: nuk do të ndiheni vetëm dhe do të keni mbështetjen e tyre kur të jeni të pamotivuar ose në vështirësi. Njëkohësisht ofrojini atyre mbështetjen tuaj, duajini, sepse marrëdhëniet e mira janë ato që e bëjnë jetën më të mirë.

  1. Jepini hapësirë aktivitetit fizik

Kapni sinjalet që ju dërgon trupi: stresi dhe lodhja duhen dëgjuar! Nuk është e nevojshme të regjistroheni në palestër apo ta ekzagjeroni me lëvizjen për t’u dobësuar: është e mjaftueshme një shëtitje e shkurtër çdo ditë, në mënyrë që të kaloni pak kohë me veten, të largoni tensionin dhe të kthjelloni idetë.

  1. Njeriu më i rëndësishëm jeni ju

Mos e nënvlerësoni veten! Mos mendoni se jeni më pak se ata që ju rrethojnë, mos kritikoni veten, mos u sakrifikoni për dikë që ju lë pas dore. Ju jeni të veçantë, duhet ta doni veten dhe të jetoni çdo ditë me vetëdijen se jeni me të vërtetë njeriu më i veçantë dhe i rëndësishëm.

  1. Jini të qëndrueshëm në qëllimet tuaja

Këshilla më e rëndësishme është të stërviteni për vazhdimësinë. Për çfarëdolloj objektivi që i vendosni vetes, ushtrohuni që ta çoni atë deri në fund, ushtrohuni vazhdimisht për të arritur rezultatin. Kujtoni se sukseset më jetëgjata, në çfarëdolloj fushe, nuk fitohen “tani dhe menjëherë”, por me qetësi, me këmbëngulje, duke monitoruar mbarëvajtjen dhe duke mprehur durimin.

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 163

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top