FB

February 27, 2021 | 8:07

Ra ky COVID-19 e kujtuam njëri-tjetrin

Koha për reflektim për cilësinë e jetës e për të çmuar shumë atë që ke, një jetë plot shëndet e mundësi për shumë dashuri dhe kënaqësi. Ka kohë që njerëzillëku nuk është më në modë, gjyshet nuk janë më në modë, të qëndisësh me shoqe, të gatuash, të mbjellësh lule, perime, të njohësh fqinjin përballë, të shpërndash ushqimin me banorët përreth…

Nga Anxhela PEZA | Psikologe Këshillimi dhe Klinike

Çdo gjë sociale e njerëzishme është demode. Pasi një kult të lartë i është ngritur individualizimit, duke filluar me mënyrën se si edukohet fëmija sot. Kjo botë është shndërruar në një “dyqan online”. Të merreshe shumë me njerëzit krijonte një lodhje psikologjike e preferoje më mirë marrëdhëniet në distancë. Edhe fjalët, gjuhën tonë e kemi kthyer në ikona kompjuterike.

COVID -19 sfiduesi i drejtpërdrejtë i njeriut për t’i thënë se jo gjithmonë jetën tënde e ke nën kontroll ti. Izolimi i gjithë botës, duke i privuar lirinë njeriut, e bëri të kuptojë se sa rëndësi paska pasur liria pa kufi, takimet me njerëzit, të puthesh e të përqafohesh sa herë ta ka ënda. Të këndosh, kërcesh, të përjetosh gëzimet, ditëlindjet, dasmat… Të kalosh nga një vend në tjetrin për të prekur pjesëza të botës.

Historia e mbarë njerëzimit ka treguar se mikrobet dhe viruset kanë ekzistuar më gjatë se njeriu në Tokë. Rreth viteve 1600 para erës sonë, liria filloi të përhapej nga njerëzimi. Ka të dhëna dhe për shpërthimin e epidemisë vdekjeprurëse në periudhën e Egjiptit të Lashtë 4.000-5.000 p.e.s. Në Dhiatën e Vjetër, fjala “murtajë” del 65 herë, ndërsa “epidemi” 47 herë. Nga shekulli i 19-të deri në vitet ‘70 të shekullit të 20-të, në mbarë globin shpërthyen 7 pandemi kolere. Në vitin 1918, e gjithë bota u infektua me të ashtuquajturin “Gripi spanjoll”.

Tani jetojmë në një shekull ku Covid -19 është global, një shënim i rëndësishëm në historinë e njerëzve në tokë. Pikërisht kjo tragjedi po kthen sytë nga shëndeti psiko–social gjithashtu, sa vlerë ka jeta jonë e sa kujdesemi ne për të? Si po e jetojmë ne jetën tonë? Pavarësisht nga përmirësimi i transportit si rezultat i globalizimit, apo lehtësimi i përhapjes së viruseve midis kafshëve e njeriut si pasojë e urbanizimit të shpejtë, rreziqet e pandemisë dhe llojet e sëmundjeve të ndryshme, janë më të ndërlikuara se 100 vjet më parë. Historia ka treguar se viruset përshtaten me natyrën dhe me përballimin e imunitetit të njeriut. Me stilin e jetës të jetuar në gjendje karantine u kujtuam se familja është e para, se sa e shtrenjtë është koha, shëndeti, të jetuarit bukur e të mbushesh me kujtime, të bërit mirë e të flesh në paqe me ndërgjegjen tënde.

Mësimet nga koha e karantinës nuk janë njësoj për të gjithë. Varet nga metrat katrorë, nga oborri, kompjuterët disponibël për mësimet e fëmijëve dhe për punën gjithashtu. Nga mundësitë e abonimit, nga mundësia për të mbushur frigoriferin me ushqime pa punuar. Gjithçka mund të ndodhë, nga një vrap i vrullshëm se një punë nuk mjafton dhe duhen bërë dy, tani nuk ke si të vrasësh kohën. Ama për të vrarë mendjen koha është plot e për të bërë gjërat si duhet e si është më e mira. Historia e njerëzimit është e gjatë, e historia e jetës së njeriut ka mundësinë e ndryshimit nga vetë ai.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 155

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top