Radiografi

December 22, 2017 | 9:27

Radiografi/ DIELA ANNA PREKA, kur ëndrrat bëhen realitet

Nga Orjona TRESA / Foto: Vlasov SULAJ

Vetë fytyra e saj është si një e diel, ditë pushimi e paqeje, ditë meditimi e relaksi universal. A ndoshta është si një diell, rrezatim universal gjithashtu që ngroh dhe ditën e bën më të gëzueshme. Duket si një lojë fjalësh… Por në fund të fundit le të jetë si e tillë. Vetë emri i saj i përfaqëson të dyja. Ndërsa ajo vetë përçon aq shumë dashamirësi sa duket se këmbëngulja dhe egoja për të qenë e suksesshme si një femër në karrierë janë strukur në një qoshe të errët e rrinë në pritje. E ndoshta shfaqen vetëm atëherë kur vetë ajo përballet me një ego tjetër të vështirë, atë të një mashkulli karrierist, me të cilin i duhet të ndeshet ballas e të mos tërhiqet. E për çudi e quajnë Diela…

1

…Përjetimi i një mëngjesi të kthjellët, vjen si ato emocione të forta pozitive në përfundim, pas një dite me stuhi. Retë e bardha gërshetuar me ato gri në një sfond ku dielli mezi ç’depërtonte, m’i çelte qepallat në rrugëtimin e herët drejt një qyteti që kisha vite pa shkelur. Ndonëse një rrugë e vështirë, e njohur si “autostrada e vdekjes”, bukuria natyrore që ajo falte në petkun e gjelbër që gjithësia vesh me një matje të mirëllogaritur, shpirti falej në dimensione gati të mbinatyrshme. T’i besosh këtyre ndjesive, është dhurata më e mirë shpirtërore që mund t’i bësh vetes. Pas afro 1 orë e 40 minuta rrugëtimi, mbërrijmë në destinacionin e nisur për një qëllim, në Shkodrën që Perëndia i ka falë një mrekulli gjeografike të pamatë, ku lumi dhe liqeni i qytetit krijon klimën më fantastike në pjesën veriperëndimore të vendit, gjithçka mbetet aty, në atë shtrirje gjeografike, me ato pak investime buzë liqenit, një parajse ekonomike që do t’i bënte mirë vendit nëse do të ishte ca më e zhvilluar. Kafeja e mëngjesit erdhi si një çlodhje nga tensioni i kilometrave që bëmë me stafin. Mungon ende kultura e rregullave të qarkullimit në rrugë të ngushta, ku veç pak kilometra ishin një copëz e investimit serioz midis Lezhës dhe Laçit. Mbi lumin e Bunës, gjelbërimi i pemëve me ujin e rrjedhshëm dhe të thellë, më ngacmoi në motivim, ma përkëdheli sedrën. Më la pa fjalë. Sa pak flitet për të! Ky qytet, si dashuria që falin shkodranët, ato lajkat që shumicës u bëjnë përshtypje, se iu duken të zbukuruara, në fakt e kanë një burim. Bukuria që ua ka fal vendlindja bën ta japin pa kufi. Me po kaq dashuri ajo i rikthehet shpesh vendlindjes, ku veç mallit për njerëzit e dashur, nënën dhe motrën e saj të shtrenjtë, ka kthyer vëmendjen edhe ndaj qytetit. Është bërë një zonjë e hekurt për t’i dhënë drejtim shumë shpresave të vrara, në një qytet ku duhet thënë, ka shumë kafene dhe të rinj që i popullojnë ato kohë pa kohë. Prej tri vitesh thotë se i ka hyrë me të thella Shkodrës, një mbështetje për ndërgjegjësimin e qytetit dhe futjen e kulturave perëndimore jo vetëm në të bërit biznes, por në atë të një misioni human që duhet ta shoqërojë njeriun përgjatë jetës, mbështetja ndaj shtresave në nevojë. Shtatorja e Isa Boletinit u bë pikëtakimi ynë. Jo se Dielën nuk mund ta shihnim në Tiranë, porse aty merrte kuptim e gjitha iniciativa e përbashkët. Një shkodrane që përfaqëson në rrënjë qytetin e saj të lindjes. Me gjithë angazhimet, telefonin që rishtazi ndriçonte nën zilet e pazëshme të kontakteve të ndryshme, Diela, apo Anna, siç ka emrin e pagëzimit, na u dha në bisedë e na rrëfeu gjithë jetën e saj. Për fat, ndjeshmëri i dha bisedës dhe panorama katëranëshe e ndërtesës, nga ku në katin e fundit bënte jetën aktive media e saj, “Tv Antena”. Gjithçka shihej në pëllëmbë të dorës, e gjithë Shkodra. Emocionet na lidhnin me pika të rëndësishme prej aty, të jetës së Dielës. Shtëpia gati 100-vjeçare e të parëve, shkolla 8-vjeçare, e mesme, Kisha Katolike e Jezuitëve, Pedonalja e deri Fakulteti Ekonomik. Mandej rrugëtimi i saj në fushën e biznesit, mbi 25-vjeçar, nën përfaqësimin me të njëjtin emër konkretizuar me linjën ndërkombëtare të autobusëve “Anna Tours Interlines”, një projekt po kaq madhor dhe ambicioz, i cili pritet të finalizohet së afërmi me terminalin më luksoz në Melgushe të Shkodrës, i cili do të lidhë Shqipërinë me pjesën veriperëndimore të Ballkanit. Por fokusi u ndal dhe te Fondacioni “Anna, zëri i shpresës” i cili prej dy vitesh kujdeset për personat me aftësi ndryshe. Janë rreth 23 fëmijë që përveç ushtrimeve psikomotorike, kanë nxjerrë në pah talentet e tyre në art. Ankandi i dytë i mbajtur në 27 prill i dha jetë dhe shpresë ëndrrave të tyre. Përgjatë vijës së jetës, Diela ndihet e realizuar në të gjitha dimensionet, i gëzohet biznesit, duke e parë atë si shpërblim edhe nga ana e punonjësve me të cilët ka zgjedhur të ecë përpara, ata shqiptarë të punësuar në Greqi, dhe ata që në vendlindjen e saj e kalojnë numrin 100, i cili pritet të rritet me hapjen e shumë vendeve të reja të punës.

untitled

Sa me fat ndiheni në gjithë rrugëtimin tuaj, paraprirë modeleve të trashëguara nga familja? Sa mirënjohës i jeni të parëve?

Jo vetëm i falënderoj, por ndihem kaq mirë prej nënës dhe babait, i cili sot nuk jeton më. Ata gjithmonë më kanë kuptuar. Nuk është pak për prindërit e atij brezi, intelektual mbi të gjitha. Ishin mendjehapur. Nuk ishin nga ata prindër që më kufizonin lirinë time. Unë kam qenë e para femër që kam blerë makinë në Shkodër. Për vitin ’91 që flasim, nuk ishte gjë e vogël, pasi paragjykimet e asaj kohe të frenonin pak a shumë. Nuk ekzistonte emancipimi që mund të jetë në ditët e sotme ndaj figurës femërore. Sa kam pasur nënën e babain në krah nuk kam pasur asnjë problem.

Si ka ndikuar kapërcimi i dy sistemeve te ju? Keni pengje nga e shkuara?

Kam nostalgji, sepse jemi rritur në një vend bio, ndërsa tanimë gjithçka është bërë artificiale. Ndër kujtimet, mund t’ju them që dikur një luleje i vinte era, karafilave apo trëndafilave që kam në oborrin e shtëpisë, zgjohesha në mëngjes dhe çdo gjëje i ndihej era, barit i vinte era…

Si ju duket shoqëria sot? Çfarë i mungon?

Para së gjithash, ka shumë për të thënë sa i takon thelbit të gjërave, natyrales, gjëra BIO që njerëzit duan të gëzojnë në jetë. Jemi shumë larg. Ndërkohë që i mungon po kaq shumë, sinqeriteti. Ka hyrë në mes paraja dhe gjithçka është bërë interes.

Ka shanse të ndryshojë kjo gjë?

Duhet një njeri që t’i organizojë këta njerëz. Më shumë këmbëngul te rinia, e cila akoma nuk e ka kuptuar sensin e punës. Pas dhjetë vjetësh, kjo rini do të jetë e mbaruar, sepse sot nuk kanë tregojnë se nuk kanë asnjë interes. Kjo rini ka nevojë të shkojë në shkollë, ka nevojë për vende pune. Jam përpjekur me një grup të rinjsh t’i ndihmoj, duke i angazhuar, por më duket se janë më shumë të fokusuar te celulari.

untitledSa ka ndryshuar mendësia në raport me mentalitetin e asaj kohe? Si është Shkodra në këndvështrimin tuaj?

Tranzicioni ka krijuar luhatje, por unë do kisha dashur që çdo njeri të dilte jashtë kufijve, ta prekte emigracionin, të punonte që të formonte edukatën e duhur të punës. Se ajo mungon këtu. Jam në Shkodër dhe i kam hyrë shumë thellë me gjithëpërfshirjen time, dhe e shoh që të rinjtë nuk e kanë shumë edukatën e punës, përveç atyre që kanë punuar jashtë, të cilët dinë të japin, të punojnë dhe kanë tjetër marrëdhënie në punë.

Pse ndodh kjo?

Sepse janë mësuar pak dembelë. Nuk ka orare për punën nëse do të ecësh përpara.

Kujtimet janë baza e jetës së një individi. Cilat janë kujtimet më të bukura? A i riktheheni atyre?

Kam pasur një fëmijëri shumë, shumë të mirë. Kam qenë një vajzë që më donin, si nëna, si babai, halla dhe bashkëshorti i saj, sepse ata nuk kishin fëmijë. Jam rritur mes dy familjesh. Pavarësisht se kisha diçka shumë të fortë në familje, kisha një motër që ishte e sëmurë. Ajo pasi mbushi një vjeç, pati një problem. Kaloi meningjitin dhe mbeti gjithë jetën me aftësi të kufizuara. Kjo për mua ishte diçka shumë e vështirë. Qe një periudhë ku nuk kishim probleme financiare, pasi nëna ishte mësuese e histori-gjeografisë dhe babai ekonomist i lartë, e megjithatë gjendja ekonomike nuk është asgjë, por kur ke probleme shpirtërore, kur rritesh një fëmijë i shëndoshë me një fëmijë të sëmurë, gjendja shpirtërore të goditet dhe të merr gjithë jetën. Unë kam pasur një fëmijëri shumë të mirë, pavarësisht asaj që lidhet me motrën time. Vëmendja ka qenë më shumë nga unë. Më kujtohen lojërat, biçikleta… Ka pasur të tjera gjëra në atë kohë. Tani kohët ka ndryshuar, për shkak dhe të teknologjisë.

Ndër lagjet më të preferuara, kujt i rikthehesh me nostalgji ?

“Dukajt e reja”, pedonalja ku dikur bënim xhiro, e cila kishte veçantinë e saj në dytri orë shëtitje aty. Kalonim bukur atëherë, nuk kishte komplekse. Nuk ishin të mirat që kemi sot, por ishte kjo gjë që e mbante. Madje dhe dashuria ishte shumë herë më e bukur sesa sot. Dashuronim pastër, tani ka hyrë interesi financiar në mes.

Në raport me njerëzit e dashur: i riktheheni të njëjtave kujtime?

Kam shumë, pavarësisht se disa jetojnë jashtë, por ata që janë në Shkodër i takoj shpesh. Njërën prej tyre e kam dhe këtu në punë, ish-shoqe klase në fakultetin e Ekonomisë, por unë kam ecur, dikush ka mbetur mbrapa. Unë kam pasur gjithmonë qejf të rrezikoj, t’i hyj gjërave, dhe jo të shoh pas. Kam qejf të eci përpara.

Si priu jeta juaj pas viteve ’90?

Kam pasur një jetë të mirë, por edhe më të mirë, në momentin që u martova me një shtetas grek dhe ishte fat për mua, ku kam pasur një ecuri ku iu futa dhe botës së biznesit. Ai ka qenë shtysa që më dha dorën për të ecur përpara në jetë.

Cila ishte sfida e parë me të cilën jeni përballur dhe që kërkonte gjithë forcat tuaja?

Pata diçka të mirë, sepse bëra shkollën në Greqi për menaxhim biznesi. Është një nga shkollat më të mira dhe ku mësova shumë, sepse vërtetë e kisha mbaruar shkollën këtu, por nuk e kisha vënë në praktikë. Dikur në bënim ekonomi politike: para-mall-para dhe nuk dinim sesi funksiononte as paraja dhe as malli. 

Ishte një sfidë e vështirë?

Unë i pranoj sfidat. Më pëlqen të përballem me të renë.

Ju jeni njëherësh edhe nënë?

Unë njëherësh jam nënë e një vajze në fillim dhe e një djali. Të them të vërtetën, është fat për mua për fëmijët që kam. I kam të dy të mirë. Vajza është e martuar, ka dy fëmijë. Edhe ajo ka mbaruar studimet për menaxhim biznesi. Ka biznesin e saj me bashkëshortin dhe është e zonja në rolet që mbart. Aktualisht bën edhe një emision për emigracionin në televizionin “TV Antena”. Edhe ajo e ka pasion televizionin. Edhe djali merret me biznesin, por ai vazhdon për juridik në një universitet të mirë në Athinë.

Si është të jetuarit mes dy shtetesh?

Është shumë më mirë, sepse bëj edhe dallimin dhe mund t’u jap edhe përvojë atyre që vijnë nga jashtë, por edhe atyre që punojnë këtu. Në përgjithësi, punëtorët në bizneset që kam në Greqi i kam shqiptarë, përveç atyre që janë në marrëdhënie me dokumentacionin me shtetin.

Si është një ditë e juaja?

Dita ime shihet sesi nis ose sesi më fillojnë punët. Një ditë pa ngarkesë, mua më streson. Një ditë e ngarkuar më jep shumë fuqi. Unë jam mësuar që, të paktën njëzet orë të jem aktive. Nuk fle shumë. Eci shumë, dal, takohem me njerëzit, di t’i jap gjithkujt vendin e vet…

Ju lodh ky ritëm?

Përkundrazi, ndihem mirë me këtë ritëm.

Të gjitha bizneset e kanë qendrën në Shkodër ?

Jo. Njëri biznes është në Tiranë, ku është i shtrirë në çdo qytet “Anna Tours Interlines” një linjë transporti autobusësh ndërkombëtare Shqipëri-Greqi dhe anasjelltas.

Pse jeni e fokusuar në ngritjen e disa bizneseve në Shkodër ?

Sepse unë jam shkodrane dhe investoj për qytetin tim të lindjes. Boll kemi investuar jashtë, boll kemi investuar nëpër qytete të tjera. Ka gati tri vjet që i jam futur më thellë Shkodrës.

Si ndiheni në raport me realizimet dhe sukseset?

Nuk është edhe e lehtë, sepse sidomos transporti ndërkombëtar është shumë rëndë. Përballesh me rrugë, me klientë, ku jo të gjithë janë të qetë apo korrektë. Jo të gjithë kanë mirëkuptimin e mirësjelljen që duhet, por me thënë të vërtetën, ne jemi munduar që t’i vëmë gjërat në vijë dhe në një sitë, që të dimë dhe ne, që jo gjithmonë kemi të bëjmë as me njerëz të këqij, dhe as me njerëz të mirë. Kjo është ajo që e dallon më pas një punëdhënës me punëmarrësin. Një peshore, ku duhet të dimë t’i balancojmë njerëzit.

Ju më thatë që i pranoni sfidat. Pra, ju pëlqen ta ngacmoni veten për të ecur pë para. Në raport me durimin, si qëndron ai tek ju?

E kam edhe unë një pesëminutësh, por duhet të rëndohem shumë që të kaloj tek ky pesëminutësh. Duhet të ketë shumë gjëra që të ma ngacmojnë trurin. Nuk është krejt e thjeshtë. Nuk mund të bëhesh me çdokënd nervoz. Unë kam shumë durim.

Si jeni ju si drejtuese? Si ndiheni?

Unë jam edhe liberale, por ndonjë që nuk kupton, nuk e kupton liberalizmin tim. Unë kam edhe atë anën tjetër, që di edhe të them “stop” deri këtu. Nuk jam as unë aq punëdhënëse e mirë me dikë që nuk më kupton.

Si e shihni Shqipërinë pas kaq vitesh liberalizim?

E kanë keqkuptuar pak liberalizimin, demokracinë, por më vjen keq për rininë, sepse rinia është duke u marrë vetëm me teknologjinë e rrjetet sociale dhe janë duke humbur sensin e punës e të kohës njëkohësisht. Një xhiro të bësh në Shkodër dhe i sheh vetë sesi janë kafetë mbushur plot me të rinj, në vend që të shohësh të moshuar. Kjo nuk më pëlqen, por për t’i dhënë pak drejtim kësaj pjese, duhet një dorë e fortë. Nuk është kaq e lehtë. Ndoshta këtu keqkuptohen njerëzit, por po nuk u mblodhën bizneset, ata që kanë dëshirë për ta ndryshuar vendin, asgjë nuk ndryshon. Nuk duhet të vijë vetëm nga qeveria kjo dëshirë. Pra, njerëzit duhet të bëhen më të ndërgjegjshëm në veten e tyre, për atë që është e mirë për ta.

Flasim për investimet tuaja në Shkodër. Sa për qind zënë ato? Si ia keni dalë me vështirësitë?

Turizmi është “A”-ja e alfabetit dhe pjesa sociale. Unë kam hapur një fondacion, një qendër ditore për fëmijët ndryshe, ku merr përparësi ndihma për këta fëmijë. Kështu i quaj unë, sepse janë mbi 18 vjeç, ku këtu në Shkodër mungon.

untitled

Si e menaxhoni gjithë këtë pjesë në fondacionin “Anna zëri i shpresës”?

Nuk është e vështirë, kur diçka e do shumë. Asgjë nuk vështirësohet, kur e do shumë, me shpirt. Kur e bën me zor, çdo gjë vështirësohet. Këtë pjesë e kam dhe e bëj me shumë qejf dhe nuk e kam të vështirë që çdo natë të ulem dhe t’i kushtoj dhjetë minuta rëndësi pjesës së stafit për t’u informuar sesi ka kaluar dita e këtyre fëmijëve ose të shkoj vetë aty, sa herë që jam në Shkodër.

Si janë fëmijët për sa i takon problematikës? Kanë pasur ndryshime që kur kanë filluar të jenë pjesë e fondacionit?

Nuk është krejt e thjeshtë të punosh me këta fëmijë. Madje dhe për vetë stafin, edhe pse ata janë shumë të kualifikuar. Psikologia që është atje, punonjësit socialë, janë në vendin e duhur. Gjithçka është ashtu siç duhet për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve. Kemi dhe një minibus që i sjell në qendër dhe i rikthen në familjet e tyre. Ata janë me ne që në mëngjes deri në orën 14:00 ku bëjnë të gjitha aktivitetet zhvillimore, duke i ndarë në programe të veçanta. Kanë një ndryshim të paparë. Brenda dy viteve janë përmirësuar ndjeshëm, saqë edhe po t’i pyesësh ata vetë ta japin një shpjegim.

Kanë dalë në pah aftësitë për shkak të mungesës së pedagogjisë ndaj tyre?

Unë them, sa më shumë qendra të tilla për këtë kategori, aq më shumë mundësi do t’u japim kësaj shtrese në nevojë, që të bëhen edhe ata si gjithë të tjerët.

Së fundmi, punimet e fëmijëve të qendrës “Anna zëri i shpresës” do të jenë pjesë e një ankandi bamirësie. Si erdhi kjo?

Kam dymbëdhjetë vjet që bëj bamirësi, duke sjellë ndihma nga Greqia për Shqipërinë dhe serioziteti më bëri të hap edhe qendrën. Në 27 prill ne bëmë ankandin e dytë me punime artistike nga fëmijët e qendrës sonë, ku të ardhurat ishin për më shumë kontribute bamirësie për vetë ata.

Çfarë ju dorëzon përpara tyre?

Sa më shohin mua dhe pamja flet vetë. Unë kam një problem kur flas për këtë pjesë, që fëmijë. Më rritet mjaft ndjeshmëria.

Ke ndonjë nga ata pikë të dobët?

Motrën time, Lidën.

Çfarë bën Lida kur të takon ty?

Rri më urtë kur jam unë, por kur shkojmë në shtëpi është më e lirshme. Para Lidës unë dorëzohem. Është arsyeja më madhore pse jam kthyer këtu dhe pse kam bërë këto gjëra që kam bërë.

Ju ka rritur kjo gjë para kohe?

Më ka dhënë shumë forcë dhe ajo që kam arritur deri këtu është falë edhe motrës sime.

Sa ia dedikoni motrës suaj, Lidës jetën tuaj?

Unë kam vetëm një motër dhe ka qenë ajo arsyeja e vetme që unë e kam kthyer vëmendjen nga Shqipëria. Lida ka qenë busulla ime, që edhe ajo të bëjë një jetë si të gjithë ne.

Çfarë ju lumturon në jetë?

Gjithçka e bukur, fëmijët e mi, mbesa dhe nipi im, që quhen Angelos dhe Eleana, e cila ka marrë emrin tim. I kam arritur të gjitha me nipërit dhe fëmijët e mi.

Si është raporti midis të qenit nënë dhe gjyshe?

Gjithkush ka dashurinë e vet dhe nuk ngatërroj asgjë. Unë dua shumë punën, fëmijët, nipërit. Gjithkujt i jap dashurinë që i takon. Nuk jam natyrë që i llastoj shumë. Jam shumë e mprehtë. Di të ndaj pjesën e dashurisë me të llastimit.

Në raport me biznesin që je marrë gjatë gjithë kësaj kohe, sa ua keni transmetuar fëmijëve modelin për punën?

Ua kam kultivuar që në vogëli këto interesa. Ata na kanë shoqëruar nëpër punërat tona, në çdo vend. Sot mund të them me plot gojën se janë po kaq të suksesshëm në fushat që përfaqësojnë.

Ju motivon dhe jua rrit vetëbesimin lumturia?

Sigurisht, shumë. Pa punë njeriu nuk ecën përpara. Puna është ajo që ma fal lumturinë, gëzimin.

Në cilat raste jeni ndier si në qiellin e shtatë?

Kur ke mbyllur ciklin e realizimit të atyre gjërave që ke dashur në jetë. Unë sot mundem të them që dua vetëm shëndet dhe asgjë tjetër.

Çastet e bukura i thamë, po më të trishtuarat?

Në familje kam kaluar vdekje, si humbja e babait, bashkëshortit, por të gjitha këto më kanë dhënë më shumë forcë. Nuk më kanë shtyrë drejt trishtimit.

Ato që e forcojnë individin janë vështirësitë. Si ndiheni pas një rrugëtimi afro tri dekadash në të gjitha dimensionet e jetës?

Shumë më e fortë, shumë më e gëzuar që kam arritur gjithçka, pavarësisht pikësynimeve që i kisha vënë vetes. Them që jam një nga femrat më të privilegjuara dhe më të plotësuara.

Çdo njeri ka ëndrrat e veta në sirtar. Përkojnë ato me realitetin tuaj?

Unë e kam hapur sirtarin, i kam shtruar të gjitha. I kam palosur gjërat, kam arritur aty ku kam ëndërruar dhe kur kam qenë shumë e re. Besoj që ëndrrat e mia i kam bërë realitet.

Sa e vështirë është të qenit sipërmarrëse përballë staturës mashkullore?

Unë nuk e kam problem. Jam përballur me situata të tilla. Jam me parimin, të qenit e drejtpërdrejtë.

Pra, në raport me të tjerët jeni e drejtpërdrejtë apo heshtja flet vet ?

Kam qejf t’ia them tjetrit në sy dhe ta shoh në sy kur ia them diçka.

Si është marrëdhënia juaj me paranë ?

Nuk kam lekë që t’i fus nën dyshek, por kam për t’i vënë në punë. Ky është qëllimi im dhe prandaj ndoshta kam ecur. Nuk më pëlqen kur bëj para për t’i depozituar në bankë, por më pëlqen t’i investoj ato dhe t’i jap aty ku duhet. Ka humbje dhe fitime: këto janë risqe të biznesit.

Në çaste të rëndësishme dhe jo vetëm, sa e nevojshme është mbështetja e dikujt. Këshilloheni?

Mua më ka ikur pjesa e këshillimit. Tanimë unë u jap këshilla të tjerëve dhe e bëj me shumë dashamirësi këtë gjë.

Si i keni gërshetuar rolet: të qenit femër, nënë, grua? Si e gjen kohën për të gjitha?

Gjithkush ka vendin e vet dhe gjithçka e bëj me plan. Ai që do diçka e gjen kohën për gjithçka. Në qoftë se e ndjen, pse jo? Prandaj kam ecur në jetë.

Si e kompensoni kohën kur mungoni në familje?

Ia heq gjumit atë kohë, që t’u gjendem pranë njerëzve të mi.

Si ndiheni kur ndihmoni dikë?

Ndoshta në rrugë nuk ndaloj shumë, pasi nuk mundem të ndihmoj çdokënd, se janë bërë shumë, por unë ndihmoj ata që duhet. Këtë ia kam vënë qëllim vetes. Për fëmijët që janë ndryshe, që i kuptoj dhe e ndjej që kanë nevojë për ndihmën time.

Keni një figurë që ju ka udhëhequr në atë që ju përfaqësoni sot?

Figura ime është motra ime, e cila më ka dhënë forcën që kam ardhur deri këtu. Jo gjithkush e kupton këtë, por unë që e kam kaluar e kuptoj.

Psikologët thonë që edhe pas një diçkaje negative fshihet ana e saj pozitive. E nisni ditën me pozitivitet?

Diellin kam pas vetes. Dita ime nis e lumtur dhe kjo falë njerëzve të dashur që më rrinë pranë. Asgjë nuk ma heq buzëqeshjen.

untitled

Si i shihni sot femrat shqiptare në karrierë?

Femra shqiptare ka ecur përpara. Në një rang me meshkujt nuk mund të jenë kurrë gjithsesi. Në ecuri, femrat mundohen, por kanë brishtësinë dhe butësinë karakteristikë të tyren. Unë nuk e kam me qejf të eci krah për krah me burrat. 

Pasioni i fundit i juaji: “TV Antena”. Nga lindi ideja mbi këtë iniciativë të guximshme?

I bëra një dhuratë vetes. Nuk jam natyrë e tillë, por “TV Antena” e konsiderova kështu. Më pëlqen shumë, sepse ia kam ndryshuar komplet natyrën që ka pasur dhe kam qejf që televizioni im të ketë në fokus turizmin, artin, kulturën dhe gjënë më kryesore: profilin social.

Sa i keni ardhur në ndihmë publikut? Shumë, këtë ma ka pohuar dhe drejtori i televizionit Blert Delia. Ju ka dhënë pushtet televizioni?

Nuk vuaj për pushtet. Besoj kam vënë shumë emër dhe pushtet, por TV ka një qëllim të veçantë për mua, i cili është pjesa sociale që nuk është prekur fare, turizmi, etj. Këtu qytetarët njohin veç pjesën politike. Ajo do ta ketë vendin e saj, por parësore janë temat e mësipërme.

A është politika një nga ambiciet tuaja?

Kam pasur oferta shumë, por për momentin jo. Në qoftë se përmirësohet klasa politike shqiptare, ndoshta. Për momentin kam zgjedhur t’i qëndroj larg. Duhet të kem përballë njerëz që e meritojnë që të jem pjesë e politikës, që të më ngacmojnë vërtet. Përndryshe është humbje kohe. Politikën e shoh thjesht si një mision, domethënë kam arritur diçka dhe ta vë në shërbim përmes politikës.

A ka kuptim fundjava për ju?

Mua më duket si të gjitha ditët e tjera, sepse janë ditë të Zotit. Edhe kur shkoj diku për punë, ia kaloj mirë, qesh, konsumoj një mbrëmje me muzikë. Ato dy-tri orë e kam mendjen aty.

Marrëdhënia me Zotin?

E shoh si diçka të mbinatyrshme. Besoj aq sa duhet të besoj te Krijesa. Nuk bëj keq, mundohem të ndihmoj sa më shumë.

Si i keni marrëdhënien me artin?

Arti dhe kultura më pëlqejnë shumë. Më pëlqen fort muzika jazz.

Po kohë të lirë për veten?

Librat, i preferoj sidomos kur jam në avion dhe lexoj shumë. Në këtë moment po lexoj “Sekreti”, se jam një pjesë e atij sekreti.

Pasione të tjera?

Biçikleta, të eci. Heq shpesh dorë nga makina për të shëtitur në Shkodrën time.

Botuar në revistën “Psikologjia”, Nr.119

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top