FB

May 6, 2026 | 13:17

Nga Ilir Çumani: Servet Pëllumbi, ikja e një urtaku që lë pas një shoqëri në kërkim të busullës

 

Largimi nga jeta e profesorit të nderuar të filozofisë, akademikut dhe ish Kryeparlamentarit Servet Pëllumbi nuk është thjesht humbja e një individi me peshë në historinë politike shqiptare. Si ndivid, ai  përfaqëson më shumë se kaq: një mënyrë të përveçuar të qenit në jetën publike, një kod etik që sot duket i rrallë, pothuaj i padukshëm.

servet-pellumbi-dhe-ilir-cumani-3

Me ikjen e tij kësaj bote, nuk mbyllet vetëm një kapitull biografik, por zbehet deri në zhdukje edhe një model i të menduarit dhe të vepruarit që kishte si themel maturinë, reflektimin dhe respektin për tjetrin, për mendimin ndryshe. Në planin emocional, kjo humbje ngjan me një boshatisje të qetë, por të thellë, ngase nuk është dhimbje e zhurmshme që shpërthen, por ajo që mbetet pezull, si një ndjenjë mungese që nuk dihet saktë kur fillon dhe kur mbaron.

Figura të tilla nuk kanë qenë thjesht aktorë domethënës të jetës publike, por më së shumti referenca morale për një shoqëri që kërkonte të gjente ekuilibrin e saj në një kohë përmbysjesh të mëdha. Psikologjikisht, shoqëritë ndërtojnë sigurinë e tyre mbi figura që mishërojnë stabilitet dhe arsyetim. Kur këto figura zhduken, krijohet një boshllëk që nuk mbushet lehtë me zëra të rinj, sidomos kur këta zëra janë më të prirur drejt reagimit sesa drejt reflektimit. Kjo është edhe arsyeja përse humbja e një personaliteti të tillë nuk është vetëm një ngjarje individuale, por një tronditje në heshtje në ndërgjegjen tonë kolektive.

servet-pellumbi-dhe-ilir-cumani-5

Kjo ikje na detyron të përballemi me një realitet të pakëndshëm: me transformimin e elitave. Shoqëritë, në çdo periudhë, nuk mbeten kurrë pa elitë, por në fakt ndryshojnë cilësinë e saj. Ajo që dikur përfaqësohej nga figura me peshë intelektuale dhe autoritet moral, sot, gjithmonë e më shpesh zëvendësohet nga profile më të zhurmshme sesa të thella dhe pa qëndrueshmëri të vërtetë.

Ky ndryshim nuk është thjesht estetik, sepse në fund të fundit prek mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet mes qytetarëve dhe institucioneve, mënyrën se si konceptohet përgjegjësia publike dhe vetë ideja e shërbimit ndaj asaj që quhet interesi i përbashkët. Figura të përveçme të jetës publike si ajo e profesorit të nderuar Servet Pëllumbi i përkasin një kohe kur politika, pavarësisht konfliktit të ashpër, ruante ende disa kufij të pashkruar të gjuhës, të sjelljes dhe të respektit institucional.

Sot, këta kufij duken gjithnjë e më të brishtë. Diskursi publik shpesh dominohet nga polarizimi ekstrem, konfliktualiteti, nga retorika e shpejtë dhe e papërpunuar, nga një lloj performimi i vazhdueshëm që shpesh e zëvendëson përmbajtjen. Në këtë kontekst, mungesa e figurave që dinë të ndërtojnë ura dhe jo vetëm të thellojnë hendekë bëhet edhe më e ndjeshme.

servet-pellumbi-dhe-ilir-cumani-6

Kjo humbje flet për ndryshimin e vetë kulturës politike shqiptare. Çdo shoqëri ka figurat e saj arketipale – njerëz që mishërojnë virtyte të caktuara dhe që shërbejnë si modele identifikimi.

Kur këto figura zhduken pa u zëvendësuar përmes investimit serioz nga të tjera figura me peshë të ngjashme, krijohet një krizë simbolike dhe në kësi rastesh, shoqëria humbet jo vetëm udhëheqësit, por edhe narrativën e saj për atë se çfarë përfaqëson një njeri publik i denjë. Ndoshta më e dhimbshmja në këtë largim është pikërisht ndjesia se nuk po humbasim vetëm një njeri të mirë, por një standard me kualitet të lartë. Dhe standardet e tilla, ndryshe nga individët, janë shumë më të vështira për t’u rikthyer pasi bien.

Në fund na mbetet një pyetje që i drejtohet jo vetëm politikës, por mbarë shoqërisë, se, a jemi ende të aftë të prodhojmë figura që ndërtojnë, që qetësojnë, që mendojnë përtej vetvetes? Apo kemi hyrë në një epokë ku zhurma ka zëvendësuar thellësinë dhe ku kujtesa kolektive bëhet gjithnjë edhe më e shkurtër?

Fatkeqësisht, largimi nga jeta i profesorit dhe intelektualit urtak Servet Pëllumbit nuk na jep ndonjë përgjigje për këto pyetje, por ama, na detyron t’i bëjmë ato, dhe ndoshta ky është akti i fundit i rëndësishëm i një jete të jetuar me dinjitet.

 

Tiranë, e mërkurë – 06 Maj, 2026

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top