FB

October 31, 2017 | 10:22

Radiografi/ ERVIN SALIANJI: Politika është akt

“Aksioni qytetar” mund të jetë “thembra e Akilit” në një botë moderne që stimulohet nga qarqe të integruar, me superprodhim teknologjie e tendencë negative në shpërndarjen e prodhimit bruto. Por, a e zgjidh kjo krizën e madhe globale, apo atë të voglën, që na shoqëron prej vitesh? A e rregullon kjo bilancin e inflacionit e të dekompozimit moral të një shoqërie? Sigurisht që jo. Gjithsesi, në këtë kënd imagjinar lodrash formuese, figuracionesh të krijuara si në një puzzle a kriptogram të çkoduar nga një fjalë magjike kyç, mund të ndërtojnë te kushdo strehën e pasioneve dhe dëshirave për të ardhmen. Një ambicie që e zhveshur nga naiviteti, mund të rezultojë krejt pragmatiste me objektiva të mundshme për t’u realizuar. Pak a shumë, një gjë e tillë ka ndodhur edhe me të, personazhin e këtij numri në revistën tonë. Ky ishte veç fillimi, sepse në rrugëtimin e nisur vite më parë, ajo që do t’i vinte në ndihmë, pa miq e shokë, pa ndërhyrje individësh a strukturash monolite, do të ishte një faqe e përditshme gazete dhe një ekran tabloid që pasqyronte të vërteta të ndryshme. Duke ndjekur logjikën e ngjarjeve, duke i vendosur e mbivendosur për të dalë tek e vërteta reale, ai nuk bëri gjë tjetër veç ngriti një ngrehinë ku qëndrojnë në radhë dosje me projekte tërheqëse. Por ç’ndodhi pas kësaj? Liria e individit, meritokracia, prona, familja, ishin në themelet e formësimit të tij. Dhe këtë nuk e themi ne, e pohon ai. Ervin Salianji, aktualisht Sekretar për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike vjen në një rrëfim te “Psikologjia”, për të bërë të njohur atë që ka shenjuar rrjedhën e krijimit të tij, si një personalitet jo thjesht politik, por të një qytetari në radhë të parë.

untitled

Politika, ishte kjo një zgjedhje e natyrshme e juaja apo e modeluar nga rrethanat familjare apo shoqërore?

Në moshën 10-vjeçare, mes një morie pasionesh të vogla, si ato që ndoshta i kujtohen shumëkujt, mbledhja e figurinave nëpër letrat e çamçakëzëve apo makinat makete dhe kureshtja për modelet, vitet e prodhimit, kubikët etj., pa kuptuar iu shtua edhe vëmendja ndaj gazetave, derisa nisi zakoni, apo ndoshta dhe vesi, që deri sot nuk e kam ndërprerë, blerja e gazetave dhe leximi i çdo gazete të mundshme. Besoj që ajo çka e skaliti bashkimin e pasionit për informacionet politike me politikën praktike, ishte angazhimi i babait shumë herët në strukturat e Partisë Demokratike. Unë shkoja bashkë me të nëpër takime, në kafene apo çdo organizim në tavolina “të rriturish”. Prania aty dhe dëgjesa, më shtynte të merrja pjesë në bisedë, dhe më pas, edhe të aktivizohesha, në mënyrë që të mund të bëhesha “i vlefshëm”. Mendoj që kjo më ka ndihmuar shumë, pasi mbaj mend dhe kam të fiksuar çdo 4 vjet, çdo kandidat të 100 listave emërore për deputet që në fëmijërinë time. Bëja parashikime me vete dhe fiksoja çdo element të mundshëm të fituesve për të dyja partitë e mëdha. Mbaja në memorie me saktësi edhe numrin e zonës zgjedhore, kandidatët për bashkitë dhe komunat, dhe atëherë ishin më shumë se 386 njësi. Leximi i përditshëm i gazetave më mbushte me argumente dhe më bënte që pas këtij informacioni të fitoja një vend në diskutimet në tavolinë. Vetia tjetër që fitova nga kjo përvojë e hershme, duke u përfshirë në çdo fushatë elektorale nga 2003, kur babai im kandidonte në emër të PD-së dhe deri sot, ishte drejtpërdrejtshmëria në komunikim. Këtë, veç të tjerash, ma dha fakti që merrja pjesë në biseda me njerëz shumë më të rritur se unë. Thellimi në lexime në universitet, i përforcoi edhe më bindjet e mia se e djathta është zgjidhja e duhur për të ndryshuar jetët njerëzore. Për faktin se, kjo ideologji vendos të parat lirinë e individit, meritokracinë, pronën, familjen. Aktivizimi i fëmijërisë dhe leximet e adoleshencës dhe rinisë së parë, më krijuan bazamentin për të kaluar në etapën tjetër në politikë, atë të shkrimeve dhe leksioneve të hapura në universitet. Ky gërshetim i prakticitetit, lidhjeve familjare me politikën dhe kërshëria më vonë për leximet dhe aktivitetet politike, mendoj se janë tashmë pjesë e identitetit tim.

Ka ndonjë moment të këtij prakticiteti ose që ka rrjedhur prej tij?

Mendoj se po. Me shumë pak kohë në dispozicion, mora drejtimin e studentëve me votën e drejtpërdrejtë të më shumë se 1800 studentëve që në nisje të studimeve të mia universitare, më pas drejtimin e klubin e ekselencës, ALUMNI etj. Kjo vijoi me leksionet e hapura, ku bashkë me studentë të tjerë, ftonim politikanë apo njerëz nga jeta publike për të bashkëbiseduar dhe për të ndarë mendime apo për të marrë ide më të sakta. Në vitin 2011, Basha si Kryetar Bashkie propozoi një projekt për 20 studentët më të mirë të ekselencës në universitetet e Tiranës, për t’i punësuar në bashki. Unë si një prej tyre, aplikova dhe u emërova Avokat i Qytetit. Në këtë zyrë gjeta statistika të tmerrshme në pikëpamje të punës dhe organizimit të saj: aty trajtoheshin mesatarisht 8 çështje në vit, ndërkohë që unë takova dhe trajtova me shkresa më shumë se 913 qytetarë në vit, duke i takuar çdo ditë, duke u dëgjuar problemet dhe duke rekomanduar zgjidhje, që në shumë raste kanë qenë edhe të vështira, sepse administrata e mëparshme ishte një bunker i mbyllur për qytetarët. Më pas kalova si koordinator për çështjet ligjore dhe denoncimet në PD, duke dhënë dorëheqjen nga Avokati i Qytetit, për të mos shpërdoruar taksat e qytetarëve, duke punuar diku dhe duke shërbyer diku tjetër. Më pas u zgjodha në Këshillin Kombëtar si Drejtor i Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, anëtar i kryesisë dhe sot jam Sekretar për Aksionin Qytetar.

untitled1

Marka e tij është aksioni!

Çfarë është politika për ju?

Politika përveçse profesion, është pasion i madh. Por unë nuk e konceptoj si pushtet politik, por si “pushtet të ndryshimit”. Ka nga ata që përpiqen ta kapin për të qenë të pushtetshëm dhe ka nga ata që kërkojnë pushtet politik, si një mundësi për të bërë mirë, për të sjellë ndryshime, për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të implementuar ide, që besoj se e përmirësojnë më shumë funksionimin e mekanizmave të administratës dhe, për ta sjellë administratën te qytetari dhe jo qytetarin te dyert e prepotencës qeveritare. Politika bëhet për qytetarët dhe me qytetarët.

Nga ajo çfarë keni konstatuar, sa përqind e popullsisë ju lë përshtypjen se duan një jetë ndryshe?

Për shumë njerëz që nuk dalin nga Unaza e vogël e Tiranës tingëllon si botë tjetër, por me sa kam parë nëpër Shqipëri, më shumë se gjysma e qytetarëve kërkojnë së pari TË JETOJNË. Të jetojnë me një punë, e cila i mundëson të përballojnë ushqimet e faturat, siç ka shumë që kanë vetëm hallin të shlyejnë borxhet e listave të ushqimeve apo të energjisë e çdo mundësie tjetër jetese. Shqiptarët, jo vetëm duan një jetë ndryshe, më minimale në jetë, të jetojnë pa pasur frikë se nesër fëmijës nuk i jep dot as ushqimin, ashtu si qindra-mijëra që nuk blejnë dot ilaçet e prindërve dhe mbajnë një familje me një rrogë minimale. Sigurisht, besoj se të gjitha familjet shqiptare kërkojnë që të rinjtë garën ta bëjnë me vlerat dhe studimet, jo me servilizëm dhe muskuj bandash në rrugë.

Cilat janë zonat ku vëmendja ka humbur?

Kudo. Dilni në Tiranë, jashtë Unazës së vogël, por edhe në mes të Tiranës. Të gjithëve na bren ndërgjegjja ndërsa shohim fëmijë, të cilët shfrytëzohen për të lypur, e që më pas përfundojnë në kontingjent krimi. Do t’ju thoja të pyesnit në dyqanet në Laprakë, në Kinostudio, në Sauk apo dhe në Rrugën e Kavajës. Kudo gjen lista borxhesh për ushqime, lista migjeniane mjerimi. Shikoni sot farmacitë. Për herë të parë kanë filluar të japin ilaçe me listë. Vëmendja ka humbur në gjithë qeverisjen. Nuk ka një strategji të qartë për zhvillimin dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga kjo situatë. Merret borxh jo për të nxitur zhvillim dhe punësim, por për të vënë buzëkuq fasadash. Ka humbur vëmendja ndaj të rinjve. Sot për fat të keq është rritur numri i përdoruesve të drogës, çka është shkatërruese për një shoqëri. Një nga arsyet e mëdha përse jam angazhuar kudo në luftën kundër drogës, është sepse e kam parë nga afër problematikën që shkakton në familjet shqiptare. Unë kam pasur një të afërm përdorues dhe i di traumat, problemet dhe dramat që shkakton kjo varësi e rëndë. Sot në Shqipëri mbillet më shumë drogë se patate. Ka humbur vëmendja ndaj të rinjve, ndaj të moshuarve, ka humbur përgjegjësia se Shqipëria është vendi ku ne jetojmë, duhet ta duam dhe mbrojmë atë. Jemi të gjithë dëshmitarë se si shqiptarët po mbajnë frymën që, për ca para më shumë, po e shesin Shqipërinë duke blerë plehrat e Europës. Askush nuk mendon se në Shqipëri ka akoma turizëm, siç kushdo e di dështimin në ekonomi nga të ardhurat personale, në shëndetësi, nga shërbimi për këdo. Për fat të keq, të gjitha zonat janë njësoj të braktisura dhe të lëna në harresë. Kjo qeveri është për një qerre njerëzish.

Mendoni se ka ardhur koha për zëvendësim të klasës politike?

Po mendësia sa i takon politikëbërjes? Demokracitë funksionojnë dhe sjellin zhvillim edhe përmes ndryshimit të qeverive dhe rotacionit politik. Një parti politike mban përgjegjësitë dhe kostot e vendimeve të qeverisjes së saj. PDSH ka marrë përgjegjësitë dhe është në opozitë, duke kryer më së miri detyrën e saj me ruajtjen e interesit publik, me takimet me qytetarët, me dhënien e alternativës, me propozimin e amendamenteve apo projektligjeve dhe po ashtu, me presion popullor, me protesta, aty ku ka pasur probleme, por përherë ka vend për përmirësim dhe përmirësohet shpesh, duke iu drejtuar anëtarësisë për mendim, siç po ndodh edhe në këto momente. Qeveria është e një mendësie të vjetër, e trajton pushtetin si pronë personale, pa përgjegjësi. Si një mundësi për pasurim të shpejtë në kurriz të qytetarëve. Mendësia kryesore që duhet të ndryshojë, është që politika duhet të bëhet për të përmirësuar jetët e njerëzve me akte. Boll më me fjalë! Politika është akt. Qytetarët presin që kontratat që bëjnë duke votuar njërin apo tjetrin program partie, të zbatohen pikë për pikë, jo votat të merren për një gjë dhe qeverisja të bëhet për gjënë tjetër, duke tentuar që me propagandë të mbulohen dështimet që dëmtojnë në fund të ciklit jetën e qytetarëve.

Cila është marrëdhënia juaj me të ngjashmit në politikë?

Për fat të mirë, politika ka ngjyrime të ndryshme, cilësi të ndryshme dhe background të ndryshëm të njerëzve të përfshirë apo që prodhojnë politikë dhe ide. Gjykimin për të ngjashmit apo se me kë ngjasoj më shumë, është diskutim apo debat mbi terma dhe baza të padefinuara, çka nuk më bëjnë të jap një përgjigje objektive. Mendoj se kam krijuar një profil timin, duke marrë parasysh edhe kritikat apo lavdërimet që vijnë në këtë drejtim. Është utopike të pretendosh që do të jesh i pranuar dhe i pëlqyer për të gjithë në publik, por besoj që ligjësia e të qenit i drejtë të siguron jetëgjatësinë më të madhe në politikë. Po ashtu, politikën e kuptoj edhe si një angazhim me përgjegjësinë, jo vetëm për të aplikuar detyra apo ide, por për të pasur ide për të çuar përpara. Unë jam përpjekur të bëj rrugëtimin tim, duke ndjekur modele politike të këtushme apo ndërkombëtare, por sidomos, intuitën time: atë identitet që përmenda pak më lart dhe që gërsheton historinë familjare, pasionin dhe intuitën time, mbase duke bërë edhe që për ngjyrim, të jem përpjekur të eci në gjurmë mbase të pangjashme domosdoshmërisht me dikë tjetër. Kjo frymë më bëri të shkoj në parcelat me kanabis në fshatin e ministrit të brendshëm, për të treguar gjendjen e rëndë të kultivimit të drogës. E njëjta shtysë më bëri të shkel në “malet” me plehra nëpër Shqipëri, për të treguar që vendi nuk po pastrohet, ndërsa vendi rrit ndotjen nga plehrat e veta. E njëjta frymë edhe për të shkuar në zonat e bllokuara me dëborë. Është fakt thirrja dhe hapja që Basha ka bërë në parti me njerëz që janë shkolluar jashtë, që gëzojnë reputacion në komunitete apo profesionet ku punojnë. Kjo ka sjellë një politike serioze dhe të qartë, me diferencime të dukshme me qeverinë: PD me qytetarin dhe intelektualin, Rilindja me trafikantin dhe banditin. Besoj jam objektiv kur gjykoj mbi veten, që ruaj marrëdhënie korrekte etike dhe madje miqësore me të gjithë. Mendoj që sa më shumë njerëz që përfaqësojnë një vlerë në komunitetet e tyre apo që kontributin e tyre e kanë konfirmuar në fusha të tjera të jetës, duhet t’i bashkëngjiten politikës si mënyra e vetme për ta përmirësuar atë. 

“Në politikë” pat thënë një politikan i vjetër në perëndim, “kam miq të ngushtë kundërshtarë”, duke vijuar se, përtej debateve në parlament mes deputetësh, ai ndante kohën e lirë me ta mes birrash dhe tryezash festive. Po ju keni miq kundërshtarë në politikë?

Njohje kam. Dikush tjetër ka thënë që “politika është vazhdimi i luftës me mjete të tjera”. Nuk ndaj me të gjithë të njohurit tryeza festive apo festa, por kur takohem në ambiente të përbashkëta, përshëndetem brenda çdo norme etike qytetarie. Bindjet politike janë shprehje e demokracisë, por kurrsesi ndarës të qytetarisë. Për rrjedhojë, nuk mendoj që bisedat për të përplasur ide, mund të kenë efekt “të ngjisin sëmundjen” e bindjeve të dikujt tjetër. Unë nuk bëj asnjë kompromis me idetë e mia, e kam treguar edhe kur i vetëm kam votuar kundër për të mbrojtur idetë e mia. Opozitarizmi që mund të bësh dhe që unë e bëj prej tri vitesh e gjysmë, duke u bashkuar me PDnë kur partia ishte në opozitë, bën që të mos toleroj asnjë, as të njohurit. Kompromis me interesin publik nuk bëj!

Çdo njeri e ka një këshilltar të mirë në jetë. Po ju?

Unë hyj te njerëzit që pa modesti (më duhet ta them), jam përpjekur të eci vetë, duke pasur mirënjohje që prindërit e mi më lejuan të jem individ i lirë. Kjo liri më mundësoi të angazhohem shpejt në sipërmarrje të vogla biznesi, të cilat i kam bërë me kënaqësinë që më kanë mundësuar një jetë normale, por mbi të gjitha, më kanë treguar se cilat janë problemet praktike të bërjes së gjërave në këtë vend.

Profili i një politikani të ri autentik!

untitled4Ju gjej në angazhim e sipër në çdo cep të republikës. Cili është misioni real i kësaj lëvizjeje të gjerë?

Partia Demokratike dhe kryetari Lulzim Basha kanë krijuar një sekretariat të ri për qytetarët, aksionin qytetar dhe unë si sekretar i mandatuar nga partia më e madhe opozitare, përpiqem dhe kryej funksionin tim sa më mirë të jetë e mundur, duke ndjekur një model të ri, një stil të ri të të bërit politikë. Jo propagandë, jo fjalë boshe dhe jo paradë nëpër sallone dhe lokale me emër në Tiranë, por duke shkuar në çdo cep të Shqipërisë dhe kudo ku ka probleme për një komunitet, për një grup të caktuar apo në shumë raste edhe për një qytetar të vetëm. Jeta e tyre, cilësia e jetesës, shërbimet jetësore apo infrastrukturore, pamundësitë që ata kanë në shumicën prej rasteve për të siguruar një jetesë edhe një minimumin jetik, bëjnë që kudo nëpër Shqipëri të boshatisen qindra fshatra, të largohen nga ky vend i bekuar mijëra profesionistë dhe njerëzit më të aftë për punë. Kjo ka bërë që në këtë vend të humbasë shpresa dhe fajin për këtë gjendje ku ndodhet sot Shqipëria, e ka qeveria, e ka politika në tërësi, e cila nuk i sheh qytetarët si mision për të përmirësuar jetën, por i sheh si mekanizma për të ardhur në pushtet dhe më pas për t’u pasuruar në kurriz të tyre. Pabarazia, mungesa e shpresës, humbja e meritokracisë apo e shpresës në këtë vend, mund të fitohet dhe jetohet duke punuar ndershëm. Humbja e besimit te politika dhe tentativa për të kërkuar një jetë të re, më të mirë nëpër rrugët e botës, është drama më e madhe që ky vend po pëson në këto kohë të qeverisjes dhe pasurimit të një grushti njerëzish që kanë në dorë pushtetin ekonomik, pushtetin kriminal dhe tashmë, edhe pushtetin politik, çka po bën që biznesi i ndershëm të përpëlitet dhe të vuajë, po bën që disa të pasurohen pa të drejtë dhe disa të tjerë të vuajnë për bukë, ngrohje, ilaçe. Shqipëria është kudo e dërrmuar nga kjo situatë dhe unë kam qenë në çdo cep të Shqipërisë, në çdo qendër urbane, por edhe nëpër periferi të ndryshme. Ne po i japim zë shqetësimeve të tyre, duke shkuar dhe treguar me gisht në publik aty ku është problemi, duke qenë rojtarë të interesit publik apo të secilit qytetar veç e veç. Shqipëria ka shpresë dhe ka njerëz që e duan atë dhe këtë e konfirmoj. Sa më shumë njerëz takoj, qytetarët janë shumë më përpara se qeveritarët apo politikanët, janë më mendjehapur, më punëtorë, më të zgjuar në shumë raste, por çka është më e rëndësishmja janë më të ndershëm. Ne, përveçse i japim zë publik, për çdo rast ofrojmë alternativë konkrete. P.sh. propozuam në shtëpitë e të varfërve, që u kërkohej pagesa e energjisë përnjëherësh, t’i paguanin me këste dhe qeveria u tërhoq dhe mori vendimin e propozuar nga ne, etj. Në shumë raste, problematikat e ngritura nga ne gjejnë zgjidhje nga ndjenja qytetare që kanë vetë banorët. Në shumë raste të situatave të vështirësive njerëzore, vetë banorët kanë bërë atë që dështon të bëjë qeveria. P.sh. në Laprakë, një nëne 82-vjeçare, e cila mblidhte kanaçe nëpër kazanë, OSHEE i kishte ndërprerë energjinë për arsye se ajo në 15 vjet nuk kishte pasur mundësi të paguante 40 mijë lekë.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, ajo e kishte të pamundur dhe qeveria nuk reagonte. U desh që disa të rinj, komshinj të saj, bashkë me ne, të mblidhnin paratë dhe t’ia zgjidhnim problemin. Qindra raste janë zgjidhur si këto. Nuk mungojnë as kapacitetet dhe as mundësitë në këtë vend. Thjesht, duhet vullnet dhe njerëzit e duhur për ta bërë. Boll më me interesaxhinj personalë, që e shohin administratën si plaçkën e askujt që duhet vjedhur dhe shkatërruar! Kjo qeveri po vjedh çdo ditë sikur të jetë dita e fundit.

Kujt i jeni mirënjohës për ecurinë e deri më sotme?

Punës, përpjekjes së vazhdueshme për të arritur dhe për të bërë më të mirën, për të bërë edhe të pamundurën të mundur. Një mirënjohje kam për Lulzim Bashën, i cili e hapi partinë dhe i dha mundësi kujtdo për të dhënë kontributin e vet në këtë parti. Familjes i jam mirënjohës, sepse nuk kam qenë korrekt nëpër takimet apo festat familjare. Qindra dhe mijëra mbështetësve që më kanë pasuar në këtë rrugëtim të përbashkët, ku unë kam fatin, privilegjin dhe mundësinë të flas në emër të tyre. Pa diskutim, miqve të afërt dhe të dashurës time, Eneidës.

Po të kishit një shkop magjik çfarë do të ndryshonit menjëherë?

Vendosjen e meritokracisë! Kjo do të sillte balancë në shoqëri, do të vendoste themelet e një shoqërie të drejtë, të një shoqërie ku promovohet dhe ecën ai që punon më shumë, ai që lodhet më shumë, ai që studion më shumë, ai që ka ide më shumë, ai që ka mbështetje popullore më shumë. Do të vendoste një themel gare vlerash në çdo fushë dhe do të ndreqte gjithë gabimet apo deformimet në sistem që kanë prodhuar servilizëm, miqësi, korrupsion, promovimin e të paaftit, ngritjen në krye të sistemit të banditit, kriminelit etj.

Liberal, i moderuar, apo mospajtues i kundërshtive? Cili është profili juaj në politikë?

Besoj në politikat e që rrallëherë kuptohen qartë me termin liberale (si liberalizëm ekonomik dhe jo social), por po ashtu besoj që Shqipëria ka trashëguar shumë parakushte, të cilat impononin implementimin e shumë masave dhe rregullatorëve që nuk ishin thelbësisht liberale. Partitë popullore në përgjithësi janë parti të orientuara drejt qytetarit dhe nuk janë parti që kanë vlera apo ndarje strikte ideologjike në ditët e sotme, prandaj do të thosha që diagnostikimi i plotë dhe me ekspertizë i situatës së zhvillimit, shpesh të formëson edhe qëndrimet e domosdoshme në politikë. Një parti politike nuk është dhe s’mund të jetë një korporatë me vetëm një synim. Ajo balancon shumë nevoja të shoqërisë, veç atyre ekonomike. Konservator në vlerat që mbart shoqëria. Familja, kombi, prona janë vlera të patjetërsueshme. Liberal në ekonomi, pasi besoj te sipërmarrja e lirë, tregjet e hapura, taksat e ulëta. Besoj gjithashtu te shteti i vogël, tek ajo se ndërhyrja e shtetit duhet të jetë sa më e papërfillshme; qeveria duhet të jetë e vogël dhe efikase; që individi të prevalojë, që profesionistët dhe individët që investojnë në dije dhe arsim, të promovohen më shumë.

Jashtë politikës…

Po sa i takon pjesës private, si ju cilësojnë?

Është një pyetje, të cilës mund t’i përgjigjen më mirë ata që më njohin, por unë mendoj që kryesorja cilësi që miqtë shquajnë, është se unë nuk i lë në baltë miqtë. Jam mbështetës dhe nuk bëj kompromis me të vërtetën.

Vetëm një njeri që ka pasion punën që bën, arrin të materializojë idetë e veta. Sa këmbëngulës jeni?

Kur ke një ide, një projekt apo një alternativë zgjidhëse, duhet të jesh këmbëngulës. Planet dhe projektet mbase asnjëherë nuk realizohen 100%, por këmbëngulja, ndërtimi i një raporti të sinqertë ku puna bëhet pa hile dhe është vendosmëria, sepse ti mendon se i shërben më mirë grupimit dhe jo interesit personal, bën që shpeshherë të arrish të materializosh idetë që ke. Nga përvoja jam i sigurt që, sidomos në politikë nuk të dhuron njeri gjë, e nëse dikush të dhuron, gjëja e dhuruar është e pavlerë si për atë që e merr, ashtu edhe për partinë politike në tërësi. Punë dhe vetëm punë, pa u marrë me të tjerët, por duke kapërcyer edhe pengesat jo të pakta që ka rruga, duhet të jetë dhe është këmbëngulja ime për t’ia dalë. Pasioni e mban gjallë, që në shumë raste kur shikon padrejtësi, shkelje, hile, të mbyllësh sytë e të ecësh për të mos u marrë asnjëherë me njerëzit, por vetëm me idetë dhe projektet.

Cila është ambicia juaj më e madhe?

Që brenda punës që bëj, të vazhdoj të kem ambicien pozitive, pasionin për ndryshim dhe besimin te vetja. Duke qenë vetja, të vazhdoj të kontribuoj edhe përtej mundësive për një Shqipëri më të mirë!

Familja është një derë e rëndësishme ku gjejmë dashurinë dhe paqen pa kushte. Cila është marrëdhënia juaj?

Ka 12 vjet që jetoj më vete: periudha e studimeve bëri që fizikisht të shkëputesha nga familja. Gjatë viteve të para flisja tre herë në ditë me prindërit; më pas, me kalimin e viteve dhe angazhimet, tempi i komunikimit u ul, por asnjëherë nuk e mbyll ditën pa komunikuar me secilin prej tyre. Familja ka qenë mbështetësja kryesore dhe siguria e madhe që, nëse dështoja në projektet e punës apo nuk do ia dilja dot, gjithsesi do të isha mirë, sepse kisha sigurinë që asnjëherë nuk do më linin në baltë. Po ashtu, vëllai im që studion për Drejtësi, është kudo kur unë kam nevojë për mbështetje apo punë, më jep besimin që vetëm mes vëllezërve mund të jetë i tillë.

Sa kohë i kushtoni familjes? Ndiheni borxhli?

Do të doja të kaloja më shumë kohë me ta dhe të ndaja më shumë prej shqetësimeve dhe problemeve që ata kanë. Unë rrallë u tregoj për shqetësimet e mia, për të mos i vendosur në një presion apo merak që ata e kanë më të vështirë ta përballojnë. Komunikoj për çështje politike me babain, duke qenë se ka përvojë të gjatë 26-vjeçare në Partinë Demokratike. Jam mirënjohës, por borxhli jo.

Po jeta juaj private në cilin stad ndodhet?

Është e ditur marrëdhënia ime e gjatë me Eneidën, juriste dhe pedagoge, lidhje që në universitet, kur të dy ishim studentë.

untitled

Më shumë për Ervin Salianjin…

Si nis dita juaj?

Jo me ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Zgjohem me vështirësi në orën 8, kur jam në Tiranë. Dal përherë pa mëngjes, gabim i madh ky. Në orën 9 nis aktivitetin, që në këtë periudhë është kryesisht me takime që vazhdojnë gjatë, shumë gjatë. Kur shkoj nëpër rrethe, në takime, çohem në orën 6 ose dhe më përpara, që të kaloj gjithë ditën atje ku shkoj dhe kthehem në darkë. Rrallë shkoj në shtëpi para orës 23:00. 

Çfarë ju motivon në jetën pas punës?

Gjithçka: sporti, pasionet, familja, vetë puna për ditën tjetër.

Çfarë është për ju koha e lirë, çfarë ju vë në paqe dhe qetësi shpirtërore?

Varet nga momentet në të cilat ndodhem. Unë nuk jam i vështirë. Të jem i qetë kur marr diçka përsipër dhe e kam në proces, nuk më vë në qetësi asgjë derisa ta përfundoj. Pushimet i bëj përherë në udhëtime të gjata dhe asnjëherë prej vitesh nuk rri më shumë se 3 ditë në një destinacion. Qetësi shpirtërore më jep leximi, filmi në shtëpi, bisedat me miqtë etj.

Pasionet, sa vend zënë në kohën tuaj të lirë, pas kujt jepeni më shumë?

Këto kohë jo shumë, por pasione kam shumë. Çdo javë luaj futboll. Përpiqem çdo javë të ndjek Interin dhe në çdo fundjavë të lexoj se çfarë bëhet në kampionatet europiane të futbollit. Shkoj në paintball, në not, të cilin e kam ndërprerë (u bë muaj), shkoj për rafting, ecje, etj. Sportet më japin shumë kënaqësi dhe i ushtroj shpesh edhe duke provuar. Kam shkuar edhe në taekwondo. Palestrën s’e duroj dot te sportet. Është e padurueshme që duhet të xhirosh në vend.

Cilat janë pritshmëritë në vitin që sapo ka hyrë?

Të jem konstant dhe permanent në punën që bëj. Të shërbej sa më mirë për qytetarët dhe për Partinë Demokratike, që në zgjedhjet e 2017-ës të jemi ne partia që do fitojë zgjedhjet dhe do qeverisim Shqipërinë drejt një stadi të ri zhvillimi!

Botuar në revistën Psikologjia, nr.116

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top