Radiografi

June 9, 2017 | 19:53

Radiografi / Vangjel Tavo: Familja, politika, Gjirokastra…

Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj

Të vuash për njerëzoren… a është ky një postulat që ia vlen të sakrifikosh, pikërisht në një kohë kur shumë njerëz kanë marrë kahun e kundërt e për ca para më tepër apo ndonjë benefic më shumë janë gati të bëjnë dhe pakt me djallin? Padyshim që po, në çdo kohë e në çdo epokë. Dhe Vangjel Tavo hyn pikërisht te kategoria e parë, ku si ligjvënës i një Kuvendi që ka fort probleme me kuadrin, sheh më shumë nga njerëzorja se nga politika e çastit. E këtu me siguri, veç të qenit human, në gen a karakter, me siguri një rol të madh ka luajtur dhe të qenit mjek, marshimi njerëzor përkrah betimit të Hipokratit.

…Ai nuk e mbyll kurrë telefonin dhe nuk ngurron t’i përgjigjet butësisht në 2 a 3 pas mesnate edhe votuesit më të skajshëm e hallexhi. Në fund të fundit, për atë ndodhet në karrigen e deputetit, për të zgjidhur hallet e atyre që e kanë votuar dhe atyre që e kanë kundërshtar politik. Në fund të fundit, elektorati është një. Politikan karriere, me 20 vite mbi supe, ai di të kërkojë falje, familjes për kohën e munguar, qytetarëve të Gjirokastrës për t’u qëndruar më afër e për t’u dhënë më shumë mundësi, por di të japë dhe këshilla për të rinjtë që duan të aderojnë në politikë, të punojnë për të zgjidhur vështirësitë reale që ka vendi.

Por Vangjel Tavo është sa mjek e politikan, aq dhe familjar i devotshëm. Familja mbetet streha e tij shpirtërore, gruaja e fëmijët pika më e dobët. Zemërgjerësia për të tjerët është gjithashtu një tjetër pikë e dobët e tij, apo e fortë duhet thënë në këtë rast. Në modelin e politikëbërjes, anashkalon të marrë si shembull një lider botëror të së majtës, John Kennedy, François Mitterand, qoftë dhe një konservator të djathtë si Winston Churchill, por ai ndalet te risitë shqiptare, e në rastin konkret tek Ilir Meta, për të cilin beson se është plot teknikë e finesë në ringun e ashpër të politikës.

 

INTERVISTA

Ju gjejmë në një periudhë të ngjeshur sa i takon situatës politike në vend, fushatës zgjedhore… Në rrugëtimin tuaj politik, si e shihni klasën politike shqiptare dhe ku ka nevojë ajo sipas jush të rimodelojë veten?

Së pari, ju falënderoj për këtë intervistë! Është e vërtetë që jemi në një periudhë të ngjeshur zgjedhore, por nuk mund të mos kurseja pak kohë për revistën tuaj, e cila është një medium mediatik kulturor tejet serioz dhe i rëndësishëm në vend! Kam pasur privilegjin të jem pjesë e politikës që nga ditët e para të demokracisë në vend, kur si një i ri student, doja të isha pjesë e atij ndryshimi të madh dhe të jepja kontributin tim për të ardhmen e vendit.

Me datë 31 tetor e vitit 1991 së bashku me disa shokë të mirë, me zemrat plot me dëshirën për të ndryshuar vendin dhe për t’i shërbyer rinisë shqiptare krijuam Unionin Studentor Shqiptar. Ajo ishte një ditë e rëndësishme për studentët shqiptarë dhe ato ishin ditët e shpresës së madhe, të ëndrrës së madhe që Shqipëria kishte nisur rrugëtimin e pakthyeshëm drejt Europës. Unioni Studentor u shtri në të gjitha universitetet e vendit dhe u bë zëri i shpresës. Kjo arritje e madhe e disa studentëve të rinj si ne, na dha forcë t’i shërbejmë vendit përmes profesionit dhe politikës. Shumë ëndrra të atij brezi u arritën, por shumë të tjera u shuan. Në dy dekada e gjysmë politika shqiptare herë ka shërbyer si promotore e zhvillimit, e shumë herë të tjera ka qenë pengesë e integrimit. Ajo është maturuar ndër vite, por ende nuk ka arritur modelin europian dhe perëndimor që kanë vendet e zhvilluara. Me kalimin e viteve, pasioni i viteve ’90-të në politikë duket se është zbehur, ndaj besoj që nëse politika shqiptare duhet të reformohe apo të rimodelojë veten, duhet të rikthejë pasionin. Një politikë bëhet më e mirë dhe më moderne, nëse i shërben me pasion njerëzve të thjeshtë!

Pasioni për njerëzit më ka ushqyer dëshirën për punën dhe angazhimin politik në të gjithë këto njëzet vite si deputet i qarkut Gjirokastër, ndaj besoj se është çelësi i suksesit të çdo politikani dhe të gjithë politikës. Shqiptarët e meritojnë të punosh me pasion dhe t’u shërbesh me zell. Dhe duke i shërbyer njerëzve të thjeshtë, politika kthehet në një mision fisnik.

dyfaqeshi

Brenda politikës keni thjesht “armiq”, kundërshtarë apo…?

Unë nuk kam armiq në politikë. Madje nuk kam armiq as në jetën time personale. Për shkak të angazhimit tim të gjatë në politikë, besoj se mund të konsiderohem politikan profesionist, ndaj falë përvojës sime të gjatë kam mësuar që politika është një konflikt idesh dhe jo individësh. Është një përplasje alternativash dhe jo personale. Është një përballje për të ndërtuar të ardhmen e shqiptarëve dhe jo për të shkatërruar njëri-tjetrin. Shqipëria do kishte pamje tjetër sot, nëse të gjithë politikanët do e kishin kuptuar kështu politikën.

Fatkeqësisht, politika është konsideruar si krizë kur ajo është zgjidhje; është konsideruar si interes kur ajo është shërbesë; është njollosur si korruptive kur ajo është një mision; është parë si armiqësore kur ajo është bashkëpunim. Për këtë arsye, unë nuk e njoh fjalën “armik” në politikë, por punoj për të bërë dallimin midis asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar, midis asaj që ndërton dhe asaj që shkatërron, midis integritetit dhe provincializmit.

A është dikush që do ta vlerësonit veçanërisht si personazh në politikën shqiptare?

Absolutisht po! Figurën më kryesore të politikës shqiptare, konsideroj Ilir Metën. Kam pasur privilegjin të punoj një kohë të gjatë me z. Meta dhe më ka impresionuar me intuitën, largpamësinë dhe dhuntinë e tij politike. E kam bindje që z.Meta është politikan i lindur dhe njeriu me më shumë vizion në të gjithë arenën politike shqiptare. Një njeri i mirë, baba shembullor, bashkëshort i devotshëm, dhe lektor i politikës shqiptare, z. Meta është shembull për politikën shqiptare dhe figura politike që ka luajtur dhe do vazhdojë të luajë një rol të jashtëzakonshëm në të mirën e vendit dhe në ecurinë politike shqiptare.

Figurën më kryesore të politikës shqiptare, konsideroj Ilir Metën. Kam pasur privilegjin të punoj një kohë të gjatë me z. Meta dhe më ka impresionuar me intuitën, largpamësinë dhe dhuntinë e tij politike.

fushate1

Politikani është ndër të tjera, zëri i klasave të ndryshme shoqërore si përçues dhe mbrojtës i interesave të tyre. Në karrierën mbi 20-vjeçare si deputet i qarkut Gjirokastër, cilat janë mbresat që kanë shenjuar profilin tuaj politik?

Njëzet vite në politikë kanë qenë një privilegj i jashtëzakonshëm, së shumti për faktin që kam përfaqësuar një qark, i cili në të vërtetë dallon nga të tjerët, sepse është Gjirokastra, zemra e jugut të Shqipërisë, treva e lavdishme historike e vendit dhe vatra e dijes dhe djepi i lindjes së njerëzve patriotë e guximtarë. Për mua ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm t’u shërbej njerëzve të thjeshtë të këtij qarku! Por në njëzet vitet e fundit Shqipëria ka kaluar trauma historike e politike dhe mua më vjen keq që nuk arritëm dot që ky qark, kaq i mrekullueshëm dhe krenar, me njerëz fisnikë e punëtorë, të ishte sot në një gjendje më të mirë ekonomike, më e zhvilluar, më moderne dhe më e begatë! Megjithatë, në këtë luftë të madhe mund të bësh dallimin duke fituar beteja në krah të njerëzve të thjeshtë. Do ishte e padenjë nga ana ime të përmendja me qindra e mijëra beteja që kam fituar në mbrojtje e në krah të banorëve të qarkut tim, sepse nuk ia quaj vetes si drejtësi, por vetëm si detyrim. Por, ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme të ndihmoja një qytetar apo fshatar të thjeshtë të gjente drejtësinë kur i është mohuar, apo t’i dëgjohej zëri sa herë ia kanë shuar. Të qenit pranë njerëzve janë mbresat më të bukura dhe të shenjuara të profilit tim politik!

Pse Gjirokastra në vazhdimësinë e mandatit si deputet, çfarë ju lidh emocionalisht me të?

Kam njëzet vite si deputet i qarkut Gjirokastër. E dua këtë qark. I dua njerëzit në të gjitha qytetet, bashkitë e fshatrat e Gjirokastrës. I kam shërbyer me përkushtimin tim maksimal e do vazhdoj t’i shërbej derisa të kem jetë. Ky qark më ka votuar gjatë të gjithë rrugëtimit tim politik dhe këtë besim unë nuk ia kam shkelur asnjëherë! Do i mbetem besnik çdo njeriu të thjeshtë të këtij qarku deri në fund! Dikur, në një vit të caktuar të zgjedhjeve parlamentare, m’u ofrua të përfshihesha në listën e Tiranës, në një pozicion të sigurt fitues, por nuk pranova, pasi rrugëtimin tim politik e ka nisur dhe do e përfundojë vetëm Gjirokastra!

Gjirokastra, Tepelena, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Dropulli, janë qytete e zona të mrekullueshme, të cilat nëse i viziton ta rrëmbejnë zemrën. Ftoj çdo shqiptar ta vizitojë këtë trevë e do kuptojë përse jam kaq pasionant për Gjirokastrën!

fushate

Në politikë kemi ndeshur jo pak figura të njohura që startin profesional e kanë nisur nga mjekësia? Sa ka ndikuar mjekësia në të bërit politikë?

Vangjel Tavo së pari është një njeri që i shërben me zemër dhe me mendje komunitetit dhe qytetarit. I kam shërbyer me profesionalizëm si mjek, i kam shërbyer me pasion mbi njëzet vite si politikan, gjithashtu si ministër i shëndetësisë, dhe do vazhdoj me të njëjtin përkushtim edhe në të ardhmen. Si mjekësia, ashtu edhe politika, kanë në themel mirëqenien e individit. Pavarësisht se e para synon një gjendje të mirë fizike, ndërsa politika është më sociale dhe komunitare, të dyja janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Një shëndetësi e mirë kërkon politika të shëndosha dhe një politikë e mirë kërkon një popull të shëndetshëm.

Por mbi të gjitha, në karrierën time, ato janë lidhur më së miri nga dëshira për t’i shërbyer komunitetit, duke dhënë më të mirën time në këtë mision që në fakt nuk duhet ta ketë vetëm çdo politikan apo mjek, por çdo qytetar i këtij vendi.

Cilat janë ato momente kur terreni politik ju ka zhgënjyer e për një moment keni menduar tërheqjen?

Shqipëria ka kaluar shumë momente të vështira gjatë dy dekadave të fundit, të cilat do tundonin çdo politikan të largohej njëherë e përgjithmonë nga terreni politik, madje edhe çdo shqiptar të braktisë vendin e tij, por gjatë të gjithë jetës sime kam ecur i frymëzuar nga një shprehje e njohur e Edmond Burke, i cili ka thënë: “E vetmja gjë që mund ta lejojë të keqen të sundojë është kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë!”. Ndaj sa herë autoritarizmi ka zaptuar pushtetin qeverisës apo arroganca politike ka tentuar të uzurpojë jetën e shqiptarëve, unë kam qenë edhe më i bindur që duhet të luftoj më shumë dhe kjo ka qenë inkurajim jo për të dhënë dorëheqjen, por për t’u përkushtuar edhe më shumë ndaj shërbesës së njerëzve të thjeshtë dhe komunitetit të qarkut tim!

Sa i hidhur është vreri në arenën politike shqiptare? Fatkeqësisht, i hidhur përtej imagjinatës! Sepse shumica e sheh politikën si mjet pasurimi apo sundimi, dhe jo përgjegjësi ndaj komunitetit. Duhet edhe pak kohë që politika shqiptare të emancipohet dhe europianizohet! Derisa të arrihet kjo, unë nuk do resht së luftuari për atë çfarë është e drejtë dhe në interes të njerëzve të thjeshtë.

A keni ju një mesazh për politikanët e rinj shqiptarë, të cilët duket se kanë tërheqje më shumë ndaj të bërit politikë sesa aspektit profesional?

Me shumë kënaqësi do ia drejtoja një mesazh politikanëve të rinj ose atyre të rinjve, të cilët duan të angazhohen në politikë. Mos e shikoni politikën për të përmbushur egon dhe personalitetin tuaj, por për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe më të sigurtë për njerëzit e thjeshtë! Mos hidhni sytë se ku do jeni ju në karrierën tuaj politike pas dhjetë vitesh, por ku do jetë vendi, qyteti, komuniteti juaj pas dhjetë vitesh!

Mos përvetësoni vetëm artin e të folurës dhe retorikën politike, por bëhuni teknicienë të zotë të propozoni zgjidhje për problemet e mëdha që ka vendi! Mos i shërbeni me pasion ambicies personale, por shërbejini me gjithë zemër njerëzve të thjeshtë! Sepse një hap më shumë i karrierës suaj personale nuk ka të krahasuar me një uratë zemre që të vjen nga një familje e thjeshtë dhe e varfër, të cilës ti i ke shërbyer me dëshirën më të madhe! Më besoni në këtë që po them, sepse janë këto përvoja, të cilat më japin zemër ende të vazhdoj në misionin tim në politikë.

Keni menduar të shkruani një libër për jetën tuaj politike?

Jo, nuk e kam menduar. Nëse do shkruaja për veten, do detyrohesha të lavdëroja veten, dhe kjo gjë nuk më pëlqen, sepse nuk e kam në karakter t’i thur lavde vetes. Ndaj, do më pëlqente që dikush tjetër, mundësisht nga qarku i Gjirokastrës, të shkruante një libër për mua.

Jashtë politikës, cilat janë angazhimet tuaja?

Shpenzoj kohë me miqtë dhe familjen time.

Si është një ditë e zakonshme e juaja?

Pas punës dhe përgjegjësive si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shpenzoj kohë me miqtë dhe familjen time. Në fundjavë shkoj në Gjirokastër dhe takohem me qindra banorë të zonave të ndryshme për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Unë kam shkuar çdo fundjavë në Gjirokastër për mbi njëzet vite rresht. Njerëzit e thjeshtë e dinë këtë gjë, ndaj edhe kam pasur gjithmonë respektin dhe konsideratën e tyre maksimale.

Cili është ekuilibri që keni vendosur midis të qenit politikan e familjar?

Familja është gjëja ime më e shtrenjtë në jetë! Jashtë politikës bëj më të mirën time për të shpenzuar sa më shumë kohë me familjen.

Në cilat momente keni lënë pas dore njërën apo tjetrën? Kur ndodh kjo?

Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjëherë, pasi kaq shumë vite eksperiencë më kanë mësuar t’i balancoj prioritetet e mia. Megjithatë, nëse për ndonjë moment, pa vetëdije, kam lënë pas dore familjen time, i kërkoj falje përmes kësaj interviste gruas, vajzave dhe djalit tim, dhe nëse kam neglizhuar sadopak banorët e qarkut Gjirokastër, përsëri i kërkoj ndjesë, por i siguroj që kanë pasur e do kenë gjithmonë vëmendjen time maksimale.

Ku e gjeni paqen pas një dite të lodhshme?

Tom, Eva, Anastasia, Suela! Fëmijët e mi dhe bashkëshortja… Ata janë paqja ime dhe streha e shpirtit tim!

Ato që e forcojnë individin janë vështirësitë. Si kanë ndikuar në jetën tuaj?

Si shumë e shumë shqiptarë apo njerëz të suksesshëm në këtë vend apo në botë, asgjë nuk është arrirë me lehtësi! Jeta është një aventurë e mundimshme për të gjithë ne. Disa stepen përpara vështirësive, ndërsa të tjerë i konsiderojnë ato si shtysë për të ecur përpara. Unë i kam konsideruar vështirësitë si ndihmë për forcimin e personalitetit dhe maturimin njerëzor. Dhe, falë tyre jam ky që jam sot, me personalitetin që kam sot. Jeta është e mbushur me vështirësi, por pas çdo vështirësie vjen gjithmonë një surprizë. Unë kam kaluar në shumë vështirësi, por tashmë janë të kapërcyera, kur mendoj për surprizat e jashtëzakonshme që më ka dhuruar jeta: gruan, vajzat dhe djalin tim.

Ia njihni vetes pikat e dobëta? Çfarë vjen pas tyre?

Besoj se po. E njoh veten shumë mirë. Në politikë, sidomos në prag zgjedhjesh do ishte gabim strategjik të pohosh publikisht dobësitë e tua, pasi do shfrytëzohej nga oponentët politikë (më falni për shakanë) megjithatë unë do përmendja zemërgjerësinë. Unë jam njeri me zemër të madhe. I dua njerëzit dhe dua t’i ndihmoj ata me të gjitha forcat e mia. Disa ma përmendin këtë, në disa raste si dobësi, por unë mendoj që është një pikë e fortë dhe tregon integritet! 

Çfarë ju bën “të dorëzoheni” pa kushte?

Kur më puthin e përqafojnë fëmijët e mi.

Çfarë ju lumturon në jetë?

Kur jam me të tre fëmijët e mi dhe ata të tre janë të qeshur! Kjo më bën të qesh edhe unë me shpirt dhe më lumturon pa masë!

Çfarë ju motivon?

E ardhmja! Nuk e pranoj dot faktin që brezat e rinj të jetojnë pa të ardhme. Është mëkat universal të lejosh një brez të jetojë pa ëndrra. Është sakrilegj të vrasësh shpresën. Dua të shoh rininë të guxojë e të hedhë vështrimin përtej horizontit, të ëndërrojë përtej ëndrrave tona të censuruara. Të shkruajnë një histori më të bukur nga kjo që shkruajtëm ne gjatë njëzet viteve të fundit.

Kujt i jeni mirënjohës për sa keni arritur në atë që ju përfaqësoheni sot?

Zotit, familjes, miqve, dhe të gjithë bashkëqytetarëve dhe bashkëfshatarëve të mi të mrekullueshëm të qarkut të Gjirokastrës!

Familja është baza ku ndërtohen vlerat. Sa ka ndikuar ajo në personalitetin që përfaqësoni?

Shumë! Familja është shtysa ime e përditshme, ndaj ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në personalitetin tim. Familja shërben si një thirrje e vazhdueshme për të qenë njeri më i mirë, më i matur, më largpamës dhe më i vendosur.

Rrugëtim i dashurisë, si pjesë e kompletuar e familjes janë edhe fëmijët. Si është Vangjeli si baba?

Nuk di si ta përshkruaj veten si baba, pasi këtë mund ta bëjnë më mirë fëmijët e mi. Por mund t’ju përgjigjem thjeshtë në mënyrë të sinqertë, që jam një baba jashtëzakonisht i marrosur pas fëmijëve të mi!

vajzenJanë fëmijët tuaj modeli që ju keni dashur të bëheshin në jetë? Çfarë kanë trashëguar ata nga ju?

Fëmijët e mi janë model më i mirë nga çfarë kam imagjinuar unë! Ata janë surpriza më e bukur e jetës sime! Më ngjajnë shumë fizikisht, por janë më të mirë, më të dashur, më të zgjuar se unë. Përpara tyre nuk jam më as doktor mjekësor e as doktor shkencash, as politikan e as deputet, por një njeri i thjeshtë, tejet krenar për zgjuarsinë që kanë, për zemrën e madhe që kanë, për sinqeritetin që shpalosin në çdo gjë që bëjnë, për rezultatet e shkëlqyera në shkollë, për dashurinë e madhe që kanë për jetën dhe njerëzit!

Qëndroj përpara tyre i përulur dhe thjesht krenar dhe i mahnitur për çfarë ata janë dhe sesa të bukur e kanë bërë jetën time!

Baba tradicional apo modern?

Nuk do doja ta kategorizoja veten sipas këtyre dy grupeve! Thjesht jam një baba që kam besim të plotë në vendimet e fëmijëve të mi, sepse jo vetëm që janë të zgjuar, por janë qenie njerëzore plot integritet!

Cila është këshilla që u jepni gjithnjë fëmijëve tuaj?

Të bëjnë gjithnjë gjënë e duhur! Sa herë të përballen në dilemat midis të mirës dhe të keqes të zgjedhin të mirën, dhe midis të drejtës dhe të gabuarës të zgjedhin të drejtën! Të duan jetën dhe njerëzit, dhe t’i shërbejnë komunitetit dhe vendit me të gjithë aftësitë dhe energjitë e tyre!

Përtej politikës, cilat janë pasionet tuaja?

Më pëlqen të lexoj në fushën mjekësore. Më pëlqen të lexoj edhe libra historikë dhe politikë.

Nëse do kishit një “shkop magjik” dhe do mund të bënit gjithçka që dëshironit, cila do ishte dëshira e parë që do donit t’ju realizohej?

Do kthehesha në kohë në datën 31 tetor të vitit 1991, ditën që krijuam Unionin Studentor dhe do dëshiroja të realizohej ëndrra e të gjithë studentëve shqiptarë: Një Shqipëri si e gjithë Europa; Një Shqipëri plot shanse e mundësi për rininë; Një Shqipëri moderne, të zhvilluar dhe të begatë, nga e cila të mos largohej më asnjë i ri apo e re, por të jetonin këtu me krenari duke i shërbyer së ardhmes!

 

Botuar në revistën “Psikologjia”, në numrin 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top