Psikofakt

March 28, 2020 | 17:09

Raimonda Shundi: Ndoshta për mirë…

 

Ndoshta ka ardhur koha, kur ne që e quajmë vetën të pushtetshëm mbi gjithçka që na sheh syri dhe mendja, të kuptojmë se ka një fund dhe një fillim të ri. Kanë kaluar mjaft evolucione deri sa mbërriti ky brez, i cili dergjet pjesërisht në mbingopje, e tjetra mbijetesë. 

Raimonda Dervishi Shundi, gazetare

Raimonda Dervishi Shundi, gazetare

Një pjesë në luftë, tjetra shkallmi. Ekstremitete ku pakkush ndjehet i kënaqur, mbi të gjitha për atë çka një trup njerëzor është i lindur të bëjë dhe nga teknologjia apo në emër të zhvillimit, ai nuk i bën. Njëra palë në ekstazë, lakmi, çmenduri, tjetra në kurth, trishtim, ngërç, pamundësi. 

Sot po kushtëzohemi me izolimin. Sot po shohim se shumë fenomene ekzistojnë, pavarësisht e kishim apo e kemi në vëmendjen tonë.

Unë nuk hyj te personat shumë socialë, me gjithë qeshjen time të mirësjellur. Ndaj ky ilozim nuk më kap në befasi. Ndërsa privimi me natyrën, botën e pamanipuluar  kafshore, po. Po përjetojmë një situatë që e kishim vetëm të servirur nga produksionet e shumta filmike. Sot ditari i Ana Frankit është përshtatur nga shumëkush. Jemi pjesë e kësaj historie që po shkruhet rishtas, nga ku aktorë jemi ne. 

Sa çudi?! Nuk jemi në luftën e parë, të dytë botërore. Nuk jemi as në izolimin e Holokaustit, as në gjenocidin çam. Jemi në hapat e parë të një njeriu të ri. Atë të vitit 2020. Pas publikimit të shkrimit mbi atë çka doktor Edvin Prifti shpjegonte për formën se si sipas tij do të evoluonte qenia njerëzore pas këtij virusi, i shkruaj në faqen personale duke e ripyetur për atë çka më tronditi nga ai lexim, sidomos në fundin aspak përrallor të shkrimit, ku se si ky virus mund të ndryshonte përfundimisht jetët tona. E më pas e mbylla me urimin që parashikimet të mos i dilnin. Përgjigja ishte edhe më e papritur: “Uroj të mbeten të tilla, e jo më keq”. 

A jemi ne plotësisht të vëtëdijshëm që po flasim e po lexojmë për një jetë tërësisht hipotetike, e cila shpesh etiketohet pas më të marrëve e më të shqetësuarve prej njerëzve? Herë kjo merr emrin “filozofi”, herë “mjekësi”, herë “dashamirësi”, herë “përgjegjësi”, herë “solidaritet”, duke kaluar nga njëra anë e qenies njerëzore në tjetrën. Diskutojmë për të njëjtat gjëra, duke iu përmbajtur një filli të vetëm që ndryshon e ndan, sipas nesh, njërën anë nga tjetra. 

Sigurisht, një fill ndryshimi ka, por pikërisht për këtë arsye nuk duhet lejuar që filli të bëhet tra. Ndryshimi të bëjë dy të ngjashme, të ndryshme. Drita e natës të mos thotë se nuk ka më diell, por të pëshpërisë “gjumë të ëmbël”. Ja që disa njerëz vendosën e vendosin ta krahasojnë në mënyrën më brutale Diellin me Jetën, Sëmundjen me Mirëqënien, Fatalitetin Njerëzor me Vdekjen e Paevitueshme të të Gjithëve. Shumicës prej nesh u mjafton vetëm një përmendje e termave negative dhe frikëprurëse, si “vdekja, uria, varfëria, parehatia, sëmundllëku” për t’i bërë të mendojnë dy herë për veprimet e tyre. Prandaj unë them se ndoshta e gjithë kjo katrahurë ka bërë një lloj ndërgjegjësimi për njeriun e pandreqshëm. 

Një sëmundje e panjohur bën të ndërgjegjësojë njerëzimin në mbarë botën për atë çfarë kanë investuar në vite e shekuj. E them këtë me mirëbesimin se njerëzit do i kuptojnë ndjenjat e mia tërësisht humane, sadopak banale. Koha vazhdon të ecë. Koha që ne e çmonim me kaq shumë xhevahirë, urata, mblesëri, tani na është kthyer pas. Ajo ka vazhduar të ecë në të njëjtën linjë si gjithmonë në fakt, por ne kemi marrë masa për një palë të reja syzesh, e ajo si gjithçka tjetër, duken ende të deformuara. E panjohura do të na zhveshë ende gjithçka, përveç fuqisë për të bërë atë që kemi bërë gjithmonë si njerëz. Të qenit njeri. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top