FB

November 9, 2022 | 7:45

Retorika dhe etika në këndvështrimin psiko-social / Rëndësia e komunikimit me zë dhe shikim

 

 

Retorikë sipas Aristotelit është shkenca e oratorisë dhe etikës.

Komunikimi si art, në këndvështrimi psikologjik sa dhe etik ka synuar dhe synon drejt rritjes së efektivitetit të tij; i cili sa vjen dhe zhvillohet edhe më shumë, duke u përfshirë në të sa filozofë, psikologë e sidomos sociologë dhe studiues të ndryshëm të kësaj shkence e cila ka një fuqi të jashtëzakonshme në një shoqëri demokratike në zhvillim e sipër e cila mbështetet në ndryshimet përmes fuqisë për të përsosur performancën e njeriut të qytetëruar dhe të emancipuar sa dhe etik në frymën e iluminizmit.

000

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Objekti i retorikës

Nocioni “retorikë” etimologjikisht ka prejardhje greke dhe nënkupton një dije, e cila i shtjellon rregullat e parimet për të folur bukur e në mënyrë bindëse, së këndejmi shënjon doktrinën e mësimin për një mjeshtri të gojëtarisë. Në dijet letrare (teoritë letrare), konceptualisht ky nocion e ka domethënien e mënyrës së thurjes se një ligjërate, respektivisht bërjen e një ligjërate të mirë, bindëse dhe artistike. Sipas dijetarit amerikan Northrop Frajit, ”retorika”, në kontekstin tradicional na përkujton një trini: ndarjen tradicionale të studimeve të mbështetura në fjalët, një ”trivium” të gramatikës, retorikës dhe logjikës. Përkundër kësaj, poetika ashtu siç e njohim nga Aristoteli gjerë me sot, merret ekskluzivisht me qenësinë e artit letrar, brendësinë e tij, tiparet e tij që e dallojnë nga ligjërimet tjera, të cilat po ashtu janë të shkruara. Ajo që është e lidhur ngushtë me retorikën, nga kohët klasike, ka qenë studim i burimeve bindëse dhe shprehëse: teknikat e gjuhës dhe mendimit që mund të përdoren në ndërtimin e ligjërimeve të dobishme, ligjërime këto të cilat i tejkalonin përmasat e letërsisë. Dijetari i madh Aristoteli e ndau retorikën nga poetika duke e trajtuar retorikën si artin e bindjes, ndërsa poetikën si artin e imitimit a përfaqësimit.

Duke evoluar mendimi për ligjërimin, ka pikëpamje sipas së cilave theksohet një shkrirje të poetikës brenda retorikës, retorika vlerësohet si poetikë, nga fakti që e potencon Roland Barthi se: “artet poetike janë arte retorike, ku retorët e mëdhenj janë poetët”. Ndërkaq, retorika në mesjetë u shndërrua në teori të plotë të komunikimit letrar, ku, siç shkruan mjaft studiues teoricienë dhe dijetari shqiptarë të letërsisë, ku nocionet bazike të saj si: inventio, disposioio dhe elecutio u shndërruan në kategori të poetikës së Aristotelit për mimiesis-in, koncepte që kishin të bënin me ndërtimin e tekstit (kompozicionin), por madje edhe me katarsisin”.

f-1

Zhvillimi i retorikës si disiplinë e vjetër nga Aristoteli, njëherësh si teori e oratorisë, me detyrën që të gjejë argumente dhe forma adapte që ta bindin publikun, ndërsa në shekullin XX u bë kod i përgjithshëm i krijimit letrar, rezultatet e të cilit i gjejmë brenda teorive të zhanreve letrare. Gjatë njëzetë shekujve të zhvillimit të saj, retorika, do të pëson ndryshime esenciale. Së pari humb qëllimin e ndërmjetshëm pragmatik; nuk mëson më se si bindet, por si të ”bëhet” një ligjëratë e mirë. Ajo, gjithashtu, dezinteresohet gjithnjë e më shumë nga llojet deliberative, gjyqësore etj., në mënyrë që letërsinë ta bëjë objekt të vetin në elocutio ose arti i stilit , për t’u shndërruar në teori mbi diskurset, diskutim ky që Roland Barthi e shtron në kontekstin e raportit mes tekstit e veprës letrare, duke konstatuar se “krejt ç’është përtej frazës i takon diskursit, objekt i një shkence normative, retorikës”.

Studiuesi Eduard Sapir, duke u marrë me gjuhën dhe ligjërimin, vëren elemente të veçanta të cilat i koncepton si fjalë, ndërsa me ligjërimin nënkupton sistemin dëgjimor të simbolizmit të ligjërimit, rrjedhën e fjalëve të shqiptuara në një vepër letrare, apo përdorim të veçantë gjuhe për të shtuar se ”gjuha nuk ekziston e ndarë nga kultura, domethënë nga mbledhja e trashëguar shoqërore e përvojave dhe besimeve që përcaktojnë thurjen e jetës sonë”.

Për t’i konceptuar esencialisht problemet e ligjërimit, studiuesit ndajnë pikëpamje të ndryshme, madje edhe qasje të ndryshme. Sipas Dykros dhe Todorovit, çështja duhet të shqyrtohet thellësisht në një perspektivë semantike, duke i identifikuar problemet e domethënies, të rrafsheve të saj, të mënyrave të manifestimit, elemente këto që janë në qendër të gjithë veprës letrare, si krijesë gjuhësore.

 

Retorika, në politikë është një armë e fuqishme

Në mediet shqipe ka dhelpëri retorike. Prandaj, mendoni se si është ndërtuar autoriteti i gazetarit apo shkrimtarit? Shkrimi e fjalimi ka argumentim të mirë, hulumtim të mirë apo është vetëm një “shërbim i mirë” i një ideologjie në dominim?

Retorika sot nuk është e kufizuar vetëm me të shkruarit e fjalimeve. Të gjithë e pranojmë se veçoritë retorike gjinden në të gjitha komunikimet moderne. Në fushën e reklamës, për shembull, këto veçori i takojmë për ditë.

Retorika u themelua me qëllimin që fjalimet tona të jenë sa më bindëse, dhe që folësit “të shesin” sa më shumë argumente tek publiku/populli. Edhe pse populli nuk ka mundësi të kundërshtoj ndikimin e fuqishëm të retorikës, prapë se prapë është pritur që populli, sadopak, do të jetë në gjendje që të kundërshton, debaton dhe të thotë mendimin rreth një vendimmarrje qoftë ajo politike, ekonomike apo kulturore. Ky kundërshtim ndaj ndikimit të retorikës do të zhvillohej me qëllim që diskutimet e mëpastajme do të mund të formësonin një proces demokratik; proces që do të çonte deri tek një qëllim dhe një vendim demokratik e të mirë për popullin.

Shoqëria jonë mediatike është shndërruar në një oborr të ri retorik. Ne mund të numërojmë një sërë dallime që janë të veçanta për format tona të komunikimit.

Ne komunikojmë përmes shumë medieve. Kjo do të thotë se ne komunikojmë me ndihmën e fotografisë, muzikës, fjalimeve dhe shkrimit. Shpesh herë edhe i kombinojmë që të gjitha këto forma të shprehjes mediatike.

Retorika kërkon çdoherë një publik, pra kërkon popullin. Shprehjet retorike mund të ndikojnë apo edhe të ndryshojnë mendimet, vendimet dhe veprimet e popullit. Një publik retorik është ai i cili ”pranon” dhe është në gjendje të ndikohet nga diskursi politik dhe po ashtu, të jetë bartës i ndryshimeve në shoqëri.

Retorika krijon bindje, për Sokratin kjo nuk ishte e tëra, se ai donte të dinte edhe më. Për këtë Sokrati e pyet Gorgiasin: ”Ç’lloj bindjesh krijon retorika… bindje që gjeneron besim pa dije apo që gjeneron dije?” Shtrimi i këtillë i problemit prek thelbin e vetë çështjes që diskutohet. Gorgiasi jep një përgjigje kuptimplotë: ”Ajo gjeneron besim”. Me fjalë të tjera, retori nuk është prodhues i bindjeve që gjenerojnë dije, por që gjenerojnë besim, mundësi ose gjasa se diçka mund të jetë ashtu si duket apo siç parashtrohet.

Pra për të krijuar përshtypje të tilla ”kërkohet një aftësi për hamendësime të sakta dhe një shpirt guximtar, i cili për nga natyra është i zgjuar në raport me njerëzit”, e pikërisht kjo i kishte bërë të shquar dhe u kishte dhënë autoritet retorëve. Sa i përket thelbit të retorikës formale, rrjedh se besimi të cilin e krijojnë bindjet që prodhojnë retorët, është një besim i pambështetur, në të vërtetë është vetëm një përshtypje që ata krijojnë. Sokrati angazhohet hapur për një retorikë në mbrojtje të së drejtës, si i vetmi veprim i dobishëm i mundshëm, meqë drejtësia sjell shërimin shpirtëror të individit por edhe të shoqërisë.

Bazuar në parimin e të vërtetës dhe të së drejtës që Sokrati i parashtron si parime të retorikës, te Apologjia e Sokratit kishte theksuar dekidivisht se “aftësia më e madhe e ligjëruesit është të thotë të vërtetën”. Me fjalë të tjera, kjo domethënë se një retor duhet konsideruar i aftë jo për mënyrën vetëm se si arrin të krijojë bindje te publiku për çështjen që u flet, por në përmasën që ai e thotë të vërtetën dhe mbi këtë bazë krijon bindje të drejta te publiku. Ky është një model i ri i retorit në optikën filozofike të Sokratit.

f-3

Në këtë kontekst sipas Aristotelit cilësojmë se:

Retorika është shkenca e oratorisë. Objekti i retorikës janë opinionet njerëzore. Opinionet janë shumë të rëndësishme sepse njerëzit udhëhiqen më tepër nga opinionet se sa nga e vërteta. Aristoteli tregoi dhe fushat e njohjes njerëzore që shërbejnë si materie për retorikën, si lëndë e parë për oratorinë dhe moralin politik. Për të qenë orator ose politikan nuk duhet ndonjë formim i veçantë mjafton të kesh njohuri në fusha të ndryshme.

 

Jeta morale e njeriut dhe morali politik bazohet në tre ide themelore:

  • e dobishmja,
  • ndershmëria,
  • drejtësia.

E gjithë fuqia bindëse e oratorit, politikanit, qëndron pikërisht tek ndershmëria. Orator i zoti është ai që krijon pasione, që nxit, frymëzon, prek, ngjallë ndjenja dhe mendime sepse gjykimet tona nuk janë të njëjta kur ndiejmë dhimbje ose gëzim, dashuri ose urrejtje.

Për të provuar ato që thua duhet të dish të argumentosh, të njohësh mirë zakonet dhe virtytet njerëzore, pasionet, karakterin dhe natyrën e çdo njeriu, çfarë i shqetëson dhe çfarë i prek dhe intereson.

 

Atëherë në përfundim cilësojmë se:

Retorika është dija që shtjellon rregullat dhe parimet për të folur bukur e në mënyrë bindëse, si dhe për të ndikuar te njerëzit me anë të fjalës, pra, më thjeshtë, më rrjedhshëm dhe më bukurinë për sa i përket gojëtarisë.

Pra, në këtë kuptim retorika është aftësi e veçantë e gjithsecilit.

 

Roli i etikës për një komunikimin efektiv

Ku konsiston Etika e një komunikimi efektiv, kur një njeri vihet në rolin e dëgjuesit?

Një komunikim i mirë ndërpersonal përfshin jo vetëm procesin e dërgimit të mesazheve, por edhe marrjen e tyre. Fatkeqësisht jo pak njerëz kanë aftësi të dobëta për të dëgjuar. Ndaj është e kuptueshme se respekti për atë që dërgon mesazhin dhe bindja se marrësi mund të përfitojë nga mesazhi, pa diskutim që rrit aspektet Etike sa dhe përqindjen e të dëgjuarit mirë dhe me vëmendje si dhe plotësisht mesazhin që përcillet. Për të përmirësuar të dëgjuarit efektiv, domosdoshmërish duhen pasur parasysh dhe normat Etike si:

Qetësohu dhe qartëso mendjen kur dikush të flet; kështu ju mund të merrni një pozicion marrësi mjaft efektiv në rolin e dëgjuesit të vëmendshëm edhe se ai mund të harrojë etiketën përshëndetëse (mirëmëngjesi, mirëmbrëma, apo mirëdita. Nuk arrin të prezantohet e të përdorë fjalët magjike e të tjera), ju, bëjeni atë pa ngurrim, sepse patjetër që do të ketë ndikim pozitiv

Jepu rëndësi të njëllojtë, si kur dëgjon një drejtues (epror) dhe një vartës (depror).

Mos u nxito kur dëgjon, se reagimi ndaj fjalëve që nuk të pëlqejnë, nuk e le bashkëbiseduesin të të përcjellë informacionin e plotë.

Nxito të vendosësh kontakte sa më të shpejta me atë që po bisedon. Kjo do t`ju ndihmojë që të dëgjoni në mënyrë korrekte.

Mos kthe kurrizin dikujt vetëm se nuk ju pëlqen paraqitja e tij, zëri apo mënyra e tij e të shprehurit.

Jini gjithmonë të interesuar dhe të hapur ndaj një informacioni të ri.

Mos reagoni emocionalisht ndaj fjalëve të folësit ose ideve që ai përcjell dhe sidomos ndaj atyre që janë kundër mënyrës tuaj të të menduarit.

Përpara se të arrini në marrjen e një qëndrimi apo vendimi disi në daljen e ndo një konkluzioni, lëreni folësin të mbarojë mendimin. Pastaj vlerësoni atë që është thënë, duke ndarë në mendjen tuaj atë që është e mirë apo e keqe.

Mbani gjithmonë në xhep dhe patjetër në tavolinën e punës tuaj një bllok dhe disa stilolapsa dhe lapsa, për evidentimin e problemeve më të domosdoshme, sepse kjo hyn në pjesën më të rëndësishme të të dëgjuarit për rritjen e besimit te folësi apo bashkëbiseduesi.

Rrisni aftësinë tuaj të të dëgjuarit nëpërmjet:

Kuptimit thelbësor të përmbajtjes së informacionit që përcjell folësi.

Shikoni dhe dëgjoni.

Sigurohuni dhe kontrolloni realisht duke gjykuar dhe jo paragjykuar se sytë, fytyra dhe trupi i folësit dërgojnë mesazhe të njëjta me zërin dhe fjalët e folësit.

Krijoi folësit afërsi, ngrohtësi dhe dashamirësi, që ai të mos stepet apo ngurojë që të pyesë dhe të të kërkojë sqarime.

Më mirë i kërkoni folësit që në fillim të përsosë mesazhin, se sa të krijohet një zinxhir paqartësish gjatë bisedës dhe në përfundim të bisedës t`i kërkosh të përsërisë informacionin që nga fillimi sepse kjo është e mërzitshme, konsumohet kohë kot dhe krijohet mosbesim për të dyja palët.

Gjithmonë udhëhiquni gjatë kryerjes së një bisede:

Dëgjo

Analizo

Përgjigju

 

Ç’do të thotë të punosh për komunikimin tënd etik?

Gjithmonë komunikimi shkon drejt disa standardeve të caktuara.

Si duhet komunikuar?

Për të qenë i suksesshëm një njeri, gjatë një komunikimi me një njeri tjetër, apo deri dhe me një audiencë të madhe, duhet domosdoshmërish një përgatitje me një objekt, qëllim apo synim të caktuar, të përshkruara me fjalë dhe fjali të kuptueshme, të qarta, të drejt shqiptuara dhe deri te toni dhe respektimi i pauzave sipas shenjave të pikësimit

Pra, për të përcjellë atë që është ndërtuar nëpërmjet komunikimit duhet pasur parasysh:

Qartësia; Fuqia; Gjallëria; Etika:

Qartësia: Sa më i qartë mesazhi dhe gjuha e përdorur, aq më mirë do të shkojë apo realizohet komunikimi.

Biseda e fuqishme: Fuqishmëria e bisedës konsiston në përcjelljen e thelbit të saj. Duke pasur ton të pranueshëm sipas auditorit, fjalë dhe shprehje të sigurta, përdorim të figurave dhe shembujve sa tërheqës dhe të argumentuar, do të sjellin për pasojë, që biseda do të bëhet tërheqëse, e fuqishme dhe mjaft e besueshme.

Gjallëria: Biseda dëgjohet me vëmendje dhe deri në fund kur përdoret një gjuhë e pastër letrare, e drejt shqiptuar, duke sjellë të rejat shkencore, bashkëkohore dhe sa më interesante, ku patjetër e bëjnë bisedën të këndshme.

Profesor R. Penn lidhur me komunikimin Etik cilëson: ”Një zgjedhje fjalësh është një zgjedhje botësh”. Kjo thënie për Etikën e Komunikimit do të thotë se:

Duhet zgjedhur fjalë dhe fjali të përshkruara nga normat Etike, plot vlera dhe standarde sjelljesh, ku patjetër nuk duhet të zënë vend fjalët e gabuara.

Duke zgjedhur gjuhën dhe tonin, ndikohet në perceptimet e njerëzve se si të sillen dhe veprojnë në mënyrë të kulturuar. Duke bërë zgjedhjen për vlerat morale më njerëzore. Duke realizuar një prezantim sa më dinjitoz që të lejojë të tjerët të bëjnë vlerësime, por edhe të gjejnë veten dhe të reagojnë ndaj të mirës. Duke vendosur një natyrë marrëdhënieje me një individ apo grup njerëzish plot vlera individuale, të cilat në tërësinë e tyre bëhen sa motivuese dhe emocionuese, të baras vlefshme me figurën morale.

Komunikimi verbal / Efekti i fjalëve: Njerëzit që komunikojnë me atë apo atë fjalë kanë efekte të huazuar nga rezonanca simbolike që ato zgjojnë dhe përcjellin te njerëzit e tjerë. Një fjalë, një ide, një mesazh, mund të ngatërrojë gjithë zinxhirin e mesazheve individuale, apo personale që në disa raste, mund të bllokojë gjithë komunikimin.

Pesha e fjalëve: Karakteristikat e një mesazhi nuk janë të njëjta dhe nuk kanë të njëjtën peshë. Aty midis elementeve ekziston një hierarki, ku disa prej tyre luajnë një rol thelbësor apo qendror në kuptueshmërinë e komunikimit ose në interpretimin e tij. Fakti është që, një fjalë e rëndësishme përcaktohet përmes natyrës dhe rëndësisë së një informacioni që transmetohet.

Rregulli i fjalëve: Ka të bëjë me rregullin e vendosjes së fjalëve të cilat mund të luajnë një rol deçiziv në përcjellin e mesazhit. Nëse kemi dhjetë fjalë të ndryshme, për t`i përdorur ato me vend, duhet të nisemi, nga gjinia, mosha dhe statusi i personit me të cilin ne flasim. Në këtë aspekt, fjalët e para, janë mbivlerësuese në krahasim me fjalët e më pasme. Nga ana tjetër, duhet të pranojmë të nisur nga përvoja se jo vetëm fjalët e para që përmendëm në fillim të ligjëratës, janë të privilegjuara, por edhe ato të fundit sepse kanë privilegjin që të memorizohen më kollaj duke pasur kështu një efekt më afatgjatë në komunikim, pra është efekti i të qenit më pas. Këto dy efekte shpjegojnë faktin se përse shumë njerëz të pjekur dhe që njohin metodat dhe teknikat e komunikimit si dhe taktin pedagogjik, kur debatojmë me një njeri apo me një audiencë shprehim me kujdes fjalët e para (mendohen mirë për përcjelljen e fjalëve të para se fjalë të parë s’ka më) dhe të fundit mbahen më shumë mend nga kujtesa, këto mund t`i quajmë edhe oratorë të spikatur apo të shquar, apo siç i quan populli fjalëmbël.

f-2

Ku konsiston kuptueshmëria gjatë komunikimit midis folësit dhe dëgjuesit?

Që dëgjuesi (marsi), të kuptojë se çfarë nënkupton apo përcjell një folës (dhënës), duhet me patjetër që ky (folësi), t`i ketë të përcaktuara më së miri ato në mendjen e tij. Nëse ideja, ose informacioni i folësit, është i vakët në mendjen e tij, atëherë, mesazhi do të jetë sa konfuz dhe i pakuptueshëm. Kuptueshmëria është thelbësore për thithjen dhe marrjen me saktësi të mesazhit, i cili është një proces dy-rrugësh. Kështu, folësi është përgjegjës për të përcjellë apo prezantuar idetë a informacionin e tij qartazi, ndërsa dëgjuesi, duhet të marrë përgjegjësitë nëpërmjet bërjes së përpjekje nga më të ndryshmet, për t’i kuptuar (idetë a informacionin), ashtu siç thuhen apo përcillet nga folësi (dhënësi).

 

Mjedisi gjuhësor

Gjuha përdoret gjithnjë në një mjedis të caktuar. Sipas N. Postman, i cili ka shkruar mbi gjuhën dhe edukimin, cilëson se mjedisi i gjuhës përbëhet prej katër elementësh: Njerëzit; Qëllimet e tyre; Rregullat e komunikimit; Biseda që përdoret në situatën e dhënë: Në këtë aspekt duhet pasur parasysh se në çdo kulturë ka rituale komunikimi, përshëndetjeje të ndryshme në aspektin gjuhësor, të përcaktuara nga vlerat kulturore të asaj shoqërie apo komuniteti. Në këtë këndvështrim zë vend dhe përdorimi i gjuhës së përshtatshme. Gjatë një komunikimi ne i referohemi diçkaje, për të cilën nuk do të ishte e sjellshme të përdornim direkt fjalën- kjo quhet euforizëm, në sens kjo kuptohet: Një fjalë ose frazë ofenduese, që zëvendëson fjalën ose frazën e cila mund të perceptohen si jo e këndshme. Psh ne pyesim: “Ku është tualeti?” edhe pse ne, nuk do të bëjmë tualet në atë vend! Një restorant në Tajvan donte të servirte mish qeni, por mendonte se nëse do ta quante me këtë fjalë “mish qeni”, kjo do të ofendonte shumë klientë dhe për këtë arsye ata përdorën fjalën-“mish i butë”.

Kur euforizmat përdoren ose krijohen nga institucionet apo agjencitë shtetërore, shpesh ato quhen të dykuptimta. P.sh Hitleri përdorte shprehjen- ”zgjidhje finale”, e cila nënkuptonte vrasjen e judenjve (çifutëve), romët dhe homoseksualët, kudo që shkelte ushtria naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu në vitet 90, Milosheviçi përdori një shprehje të ngjashme me atë të Hitlerit duke përdorur termin-“Pastrim etnik”, për të vrarë shqiptarët e Kosovës dhe popullatën tjetër jo serbe.

 

Të bërit e pyetjeve / Pyetja është forma më e përkryer e bisedës. Pyetja zë vend dhe merr përgjigje kur ajo bëhet me takt në kohën dhe vendin e duhur dhe për të kujdesesh si një nënë e mirë që pyet fëmijën e vet, duke e pyetur ngrohtësisht, dëgjuar me vëmendje dhe gjen fjalët më të mençura për ta udhëzuar apo këshilluar.

Disa tipe pyetjesh / Pyetjet e mbyllura: Këto lloj pyetje përdoren për të marrë karakteristika objektive, si dhe për të njohur opinione te cilat kërkojnë përgjigje fikse si- po/jo! e di/ nuk e di!

Shembull: Q. pyet: P.sh., mbrëmë rreth orës 19oo, ishe te klubi i Kaçit? – Po.! apo Jo.!; S.përgjigjet: Po!

Pyetje të hapura / Këto lloj pyetje i lejojnë të intervistuarit lirinë për tu përgjigjur si të dojë, a po të formulojë një mendim si te doje ai/ajo.

Shembull: Pse? si?; Sepse unë mendoj…,duke bërë këtë gjë që…

Pyetje alternative / Këto lloj pyetje, japin një zgjidhje të drejtuar të cilat propozojnë dy mundësi apo alternativa. Shembull: Q.: A preferoni të lëmë një takim për të hënën apo të martën?; R.: Të hënën, se unë të martën jam i zënë!

Pyetje të lidhura / Këto lloj pyetjes bëjnë të mundur pjesëmarrjen e detyruar të tjetrit. Shembull:

I.: Si do të mendonit për trajtimin financiar të Arbenit?; Q.: Do të mendoja për të, si për vete!

Pyetjet jehonë / Këto lloj pyetje kthen një pjesë të pyetjes, atij që e ka bërë pyetjen. Këto lloj pyetje funksionojnë shumë për tjetrin (marrësin apo dëgjuesin), që ai të shprehet mbi pyetjen. Shembull: T.: Besoj se kjo gjë është e pamundur?; K.: E pamundur!

Komunikimi joverbal

Komunikimi joverbal konsiston në atë informacion që, shprehet pa fjalë dhe pa ndihmën e gjuhës. Në krahasim me atë verbal, komunikimi pa fjalë është më pak i kontrollueshëm por edhe më potent, sepse mbart shumë emocione dhe ndjenja, të cilat shpesh, janë të pa mundura të shprehen me fjalë, madje, është mjaft i vështirë për t’u kuptuar mirë.

Sipas sociologut Broçn (1986): Informacionin lidhur me gjendjen e brendshme (të atij që ne intervistojmë) e marrim nga cilësia e zërit të tij, kontaktit nëpërmjet syve, shprehjes së fytyrës, gjesteve, lëvizjeve të trupit, takimeve e tej.

Sipas sociologut Albert Mehrabian (1983): Komunikimi joverbal merr rëndësi të veçantë sepse ai zë pjesën më të madhe të procesit të të komunikuarit. Ku gati 93% e ndikimit total të mesazhit vjen si rezultat e fakteve joverbale.

f-4

Llojet e komunikimit jo verbal

Paragjuha; Lëvizjet e trupit; Mesazhet me sy; Tërheqja; Veshja; Stolitë trupore; Hapësira dhe largësia; Hapësira dhe largësia si tregues të intimitetit; Hapësira dhe largësia si tregues të statusit; Prekja; Koha.

Paragjuha: Komunikimi joverbal ka një paragjuhë e cila konsiston në mënyrë se si ne i themi fjalët. Toni i zërit na e përcakton këtë. Zëri human është shumë i dallueshëm aq sa përmes tij ne mund të dallojmë, nivelin arsimor, gjininë dhe gati moshën (gabimi +, – , 5 vjet).

Paragjuha përfshin karakteristika të tilla vokale si:

1.Shpejtësia e të folurit

2.Timbri (lartësia e zërit)

3.Volumi

4.Cilësia

Shpejtësia e të folurit: Ndihmon në mënyrën e marrjes së mesazhit. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit mesatarisht në komunikim përcjellin 120~261 fjalë, ndërsa ato njerëz të cilët i kalojnë këto parametra, shihen si më kompetentë.

Timbri: ka të bëjë me lartësinë e zërit. Studiuesit kanë eksperimentuar se ata që komunikojnë me zë të ulët, shihen si të pa sigurtë e të padëgjueshëm për të gjithë.

Volumi: Është thuajse e njëjta gjë si dhe timbri i zërit.

Cilësia e zërit përcaktohet nga:

Rezonanca

Ritmi

Artikulimi

Studiuesit e kësaj fushe cilësojnë se, njerëzit me një zë tërheqës vlerësohen si më kompetentë dhe më aktivë, si dhe mbajnë në nën kontroll dëgjuesit.

Lëvizjet e trupit: Këto lëvizje quhen ndryshe si disiplina e kinesikës. Specialistët e komunikimit Ekman dhe Fresen i ndajnë këto lëvizje në pesë kategori si:

Emblemat: këto janë lëvizje trupore të cilat përkthehennë fjali (gishti i madh i dorës i ngritur në një autostradë, krijon një emblemë, që e bën personin se ka nevojë për një automjet).

Ilustratorët: Janë përforcues të fjalëve.

Rregullatorët: Këta kontrollojnë si ecën komunikimi. Ata përbëhen nga gjestet e duarve, lëvizjet trupore e të tjera, që sinjalizojnë fillimin dhe përfundimin e ndërveprimit.

Shfaqja e ndjenjave: kjo përcillet përmes shprehjes faciale dhe lëvizjeve trupore.

Adaptorët: Janë mënyra jo verbale të cilat shprehin gjendjen e brendshme (me anën e tyre shprehet nervozizmi, ose të qenit në siklet).

Mesazhi me sy: Dërgimi i mesazheve përmes syve është më i praktikueshmi dhe më domethënësi. Prej tyre dalin shumë mesazhe të dallueshme, por dhe që shprehin shumë saktësi.

Tërheqja: Shumë stukues kanë dalë në konkluzion se, njerëzit si burrat dhe gratë marrin dritë jeshile shpejt kur janë të bukur e të hijshëm, por nga ana tjetër, ata kanë edhe më shumë propozime dhe oferta, e të tjera.

Veshja: Uniforma pohon praninë e kontrollit social në punë, pra ajo simbolizon marrëdhëniet sociale të zakonshme dhe formale.

Stolitë trupore: Stilet e flokëve, mënyra e mbajtjes së mustaqeve, mënyra e bërjes së tualetit e të tjera, shprehin shijet estetike për moshën.

Hapësira dhe largësia; Këto i përkasin disiplinës së proksemikës e cila merret me mënyrën e përdorimit të hapësirës dhe largësisë nga ana e njerëzve. Amerikani, E. Hall në librin e tij mbi proksemikën cilëson se ekzistojnë katër zona largësie si:

Largësia intime: Kjo lloj largësie krijohet deri 30 cm. mes ndërvepruesve. (nënë-baba, fëmijë-prind, marrëdhëniet intime dashurore).

Largësia personale: Është ajo largësi që shkon nga 30 cm deri në katër këmbë (marrëdhëniet mes miqsh, shokësh të ngushtë e të tej).

Largësia sociale: Kjo lloj largësie shkon nga 4 deri 12 këmbë (për intervista pune).

Largësia publike: Kjo largësi shkon përtej 12 këmbëve (është tipike për të folurit publik, kur ndërveprimi midis dy folësve është i rrallë).

Hapësira dhe largësia si tregues të intimitetit: Nga vëzhgimi që mund t`ju bëhet dy njerëzve, formohet mendimi mbi marrëdhëniet midis tyre.

Hapësira dhe largësia si tregues të statusit: Hapësira ku punohet, tregon statusin e dikujt (zyrat, klasat e tej.).

Prekja: Studiuesit kanë zbuluar se dy persona që nuk njihen, ndërveprimin e tyre e fillojnë kur ata arrijnë e preken studiuesi R. Heslen, përshkruan pesë tipe prekjesh:

Prekje profesionale – të detyrueshme (doktori, infermierja, stomatologjia e të tjera).

Prekje e sjellshme – sociale (dhënia e dorës kur takon një njeri).

Prekja e ngrohtë – miqësore (përqafimet, puthjet midis miqsh).

Prekja dashurore – intime (prindër-fëmijë).

Prekje nxitëse – seksuale (shprehin marrëdhënie seksuale mes të dy të dashurve).

Koha: Duke u nisur nga koncepti kohë njerëzit ndahen në dy kategori:

Ata që vijnë në punë dhe takime në orar (mesazh pozitiv).

Ata që vijnë punë dhe në takim jo në orën e caktuar (mesazh negativ).

 

Heshtja në komunikim

Heshtjet luajnë një rol themelor në komunikim. Ato mund të jenë të natyrave krejtësisht të ndryshme. Në këtë kontekst le të shohim dy tipe heshtjesh:

Heshtje e zbrazët (boshe) dhe Heshtje e plotë

Heshtja e zbrazët (boshe): Kjo lloj heshtjeje i korrespondon edhe ndërprerjes së të shprehurit të tjetrit dhe ndërprerjes së reflektimit të tij. Pra, këtu bëhet fjalë se në këtë lloj heshtje, intervistuesi duhet të ndërrojë taktik dhe me patjetër të riformulojë mënyrën e ndërhyrjes për të thyer (prishur), heshtjen.

Heshtja e plotë: Kjo lloj heshtje quhet edhe e rreme…pse !? Sepse, ajo i korrespondon me një ndërprerjeje të të shprehurit të tjetrit (me atë që kërkohet të bisedohet, nga i cili nuk thithet, apo merret asgjë, sepse ai, aplikon një reflektim të brendshëm, d.m.th realizon një aktivitet në heshtje).

Heshtja e plotë: Është një mjet i pazëvendësueshëm për realizimin e një bisede të mirë. Heshtja në asnjë rast nuk duhet ndërprerë. Ndërhyrja e intervistuesit në heshtjen e plotë është e barabartë me një ndërprerje fjale. Për specialistët e kësaj fushe kjo cilësohet si një përjetim agresiv, duke pasur për pasojë prishjen e klimës së mirëkuptimit. Heshtja e plotë, duhet të respektohet, sepse shpesh nëpërmjet këtij respekti arrihet të bëhet më vonë një bisedë cilësore.

Në këtë kontekst, gjatë një dëgjimi të thellë, duhet pranuar heshtja e tjetrit. Sigurisht, ky është një detyrim i vështirë për intervistuesin, për vetë faktin se, heshtja është “gjenerator” i ankthit në një situatë ku, qëllimi është që tjetri (i dyshuari, i dëmtuari, dëshmitari), të flasë.

Heshtja flet (pra në këtë rast gjithçka e brendshme, shfaqet apo ngacmohet, evidenton reagime të jashtme), por mund të jetë dhe tepër aktive duke krijuar një kohë për atë që intervistohet, që ai të përgatitet për të folur, pra të komunikojë.

Midis heshtjes së zbrazët dhe asaj të plotë, nuk ekziston ndonjë dallim i madh, por nga ana tjetër, nuk është dhe aq e thjeshtë për t`i diferencuar! Pra një heshtje, ashtu si dhe fjala – dëgjohet. Në këtë prizëm, nëse ne e dëgjojmë heshtjen e tjetrit, nëse e vëzhgojmë atë (të dyshimtin, dëshmitarin, të dëmtuarin), ajo dërgon gjithnjë apo përcjell një sërë sinjalesh që vinë si rezultat i reagimeve joverbale (nëpërmjet syve, mimikës, lëvizjeve së duarve, prishjes së fytyrë e tej.), të cilat na lejojnë ne në rolin e intervistuesit të kuptojmë lehtësisht reflektimet dhe ky është çasti që me takt të ndërhyjmë për të komunikuar për realizimin e qëllimit (zbardhjes të së vërtetës)

Në këtë këndvështrim duhet kuptuar mirë se, heshtja (e brendshme), nuk duhet ngatërruar me pauzën, (duke ju referuar drejtshkrimit të gjuhës shqipe) sepse kjo, krijon një pushim apo moment heshtjeje e cila ndodh si rezultat i harkut kohor që folësi apo lexuesi respekton për çdo shenjë pikësimi si: pika (.), pikëpresja (;), dypikat (:) e tej…)

 

Çfarë është bindja dhe cili është qëllimi i saj?

Bindja: Bindja është një proces që ndodh kur një komunikues ndikon në vlerat, besimet, qëndrimet ose sjelljet e dikujt tjetër.

Çelësi për të kuptuar bindjen ka të bëjë me:

Influencën dhe motivimin.

Influenca: i referohet fuqisë së një personi ose diçkaje tjetër, me qëllim që të prodhohen efekte pa praninë e një force fizike. Influenca sociale është ajo që ndodh kur vlerat e një personi, qëndrimet, besimet dhe sjelljet e tij ndryshojnë si pasojë e sjelljes ose pranisë së një personi tjetër.

Motivimi: është ndikimi, shtytja apo stimulimi që mund t’i shkaktohet një njeri për të kryer me vullnet, përgjegjësi dhe dashamirësi një veprim a sjellje të caktuar.

Bindja krijohet dhe forcohet nëpërmjet:

Vlerave; Besimit; Qëndrimit

Vlerat: Janë besimet tona mbi faktin se si duhet të sillet sillemi ne në lidhje me qëllimin final që duhet të arrijmë. Ky përkufizim i ndan vlerat në dy tipe: Vlerat instrumentale dhe vlera sekondare:

Vlerat instrumentale: Këto vlera i drejtojnë njerëzit drejt sjelljeve të përditshme. Vlerat instrumentale udhëheqin sjelljet tona në përmjet normave Etike si: Besnikëria, ndershmëria, miqësia, paanshmëria, kurajua, mirësia , përgjegjshmëria e të tjera.

Vlerat sekondare: I referohen qëllimeve të rëndësishme ose jo të rëndësishme për tu realizuar si: Liria, siguria familjare e të tjera.

Besimet: Janë pohime njohurish, opinionesh, idesh e të tjera. Një pohim njohurie është, ”Unë besoj (di)…këtë gjë”. Instruktori jonë vjen gjithmonë i përgatitur mirë”. ”Djali i mikut tim është djalë i mirë se ai mëson dhe di të sillet”.

Qëndrimet: Janë grupe besimesh që shkaktojnë veprimet apo sjelljet tona, ndaj një personi, situate apo një çështjeje të caktuar.

 

Përse bindja është e vështirë?

Vështirësia më e madhe ndaj bindjes është se, a do ta realizojmë atë si duhet dhe plotësisht?

A mund të arrijmë të motivojmë njerëzit që të binden dhe të angazhohen seriozisht (duke përcjellë diçka të rëndësishme), për realizimin e një qëllim, objektivi apo detyre?

A mund të binden njerëzit se detyra mund të kryhet brenda afateve të kërkuara?

A janë në nivelin e duhur te njerëzit (Grupi), pjesëmarrës vlerat morale, besimet e qëndrueshme dhe qëndrimet e arsyeshme, sepse këto ndryshojnë shumë ngadalë?

Mospërputhja e kulturave, zakoneve, sjelljeve, arsimimit e të tjera të njerëzve apo personave që do të përbëjnë një audiencë një shërbim apo organizatë për realizimin e një detyre të caktuar.

Në të qenit e njerëzve të paaftë profesionalisht për të marrë përsipër dhe realizuar detyrat.

Në të qenit e personave dembelë, të cilët janë bashkuar për realizimin e një pune të rëndësishme.

Një vështirësi mund të jetë se njerëzit se kanë qejf disiplinën dhe kërkesën, pra duan liri të gjerë veprimi, se nuk kanë perceptim të drejtë për lirinë profesionale dhe angazhimin në punë seriozisht.

A do të jenë njerëzit të vetëdijshëm, për ta parë punën apo detyrën në aspektin e detyrave, të drejtave dhe interesave, në këndvështrimin e shtetit ligjor, shtetit demokratik dhe shtetit të së drejtës.

Shumë faktorë të tjerë do të ndikojnë për të realizuar bindjen duke filluar edhe nga: Përgjegjshmëria për të ndjerë dhe kuptuar bindjen. Raporti ditë – natë dhe kohëzgjatja në punë, niveli socio-ekonomik, gjinia, marrëdhëniet e bazuara në sinqeritetin reciprok e të tjera. Mbi këtë bazë duhet domosdoshmërisht të ndërtohet një strategji bindjeje për të arritur suksesin e kërkuar

 

Ku duhet të konsistojë strategjia e bindjes?

Bindja e audiencës është shumë e vështirë dhe për këtë arsye duhet pa tjetër që të ndërtohet një strategji e mirë e plotë e plot dinamizëm, ku të dominojnë vlerat shkencore, planifikim real, i kapshëm, i realizueshëm dhe i kontrollueshëm nga e gjitha audienca.

Në këtë aspekt duhet pasur parasysh:

Në përcaktimin e qëllimit

Në analizimin e përbërjes së audiencës

Në thirrjen e audiencës që ajo të përdorë logjikën.

Në thirrjen e audiencës për tu motivuar nëpërmjet emocioneve.

 

Për sa i përket përcaktimit të qëllimit për të realizuar bindjen: Qëllimi duhet të jetë sa më specifik i koncentruar, i kapshëm dhe mjaft i qartë që të shprehë atë që kërkon strategjia. Për ta përcaktuar atë drejt pyetja e parë që duhet t`i bëni vetes është pikërisht çfarë doni ju të bëjnë apo të mendojnë njerëzit? Pra shkurt, vendosja e qëllimit duhet të jetë një përpjekje për të realizuar bindjen, sikurse ne bindemi se pa bishtin, një çadër kundra shiut apo kundra diellit nuk mund të hapet.

Analizimi i audiencës: Pa njohur dhe analizuar audiencën nuk mund të realizoni një bindje e pritshme. Kjo ka të bëjë me kulturën, aftësitë intelektuale, profesionale, individuale të pjesëmarrësve, për të ndërtuar një punë efikase dhe të suksesshme.

Thirrja që mund t`i bëhet audiencës që ajo të përdorë logjikën: Aristoteli pohon se një bindje efektive konsiston në tre pjesë kryesore: Kredibiliteti; Thirrja emocionale; Logjika.

Thirrja duhet te realizohet nga njerëz me arteritet: Ne lidhje me realizimin e thirrjes qe i drejtohet një audience dhe te jete sa me bindëse duhet te behet nga persona me integritet dhe autoritet. Ai/ajo qe bën thirrjen ka te drejtën morale qe i pranohet mendimi nga rrethe të gjera, si njeri i shquar i cili ushtron ndikim të dukshëm në shoqëri. Atij mund t’i besohet pa e vënë në dyshim, besueshmërinë e thënieve të tij.

Thirrja që mund t`i bëhet audiencës duke përdorur emocionin: Thirrja duhet te jete e qarte dhe sa me emocionale. Një thirrje emocionale mund të bëhet apo përqendrohet duke u nisur nga: nevojat, dëshirat dhe motivet e dëgjuesit. Emocionet janë një mjet shumë i fuqishëm për bindje. Është më se e këshillueshme që një fjalim, mësim, apo diçka tjetër të bëhet sa më shumë bindës duhet të përcillen emocione të pranueshme për të arritur qëllimin apo realizuar synimet. Në këtë këndvështrim duhet të zgjidhet gjuha me shumë kujdes, sepse gjuha e folur evokon imazhe në mendjet e dëgjuesve.

Thirrja logjike duhet te jete e formuluar drejt dhe t`i adresohet aftësisë arsyetuese të dëgjuesit: Kjo realizohet përmes arsyetimit: Deduktiv; Induktiv; Shkakësor ose analogjik.

Arsyetimi deduktiv: konsiston në zhvendosjen nga e përgjithshmja te specifikja. Arsyetimi induktiv: Konsiston në zhvendosjen nga specifikja te e përgjithshmja.

Arsyetimi shkakësor ose analogjik: Konsiston në krahasimin e dy rasteve të ngjashme për të konkluduar se nëse një gjë është e vërtetë për njërin, ajo duhet të jetë e tillë edhe për tjetrin.

Bindja mund të krijohet kur strukturohet mirë një material mësimor, informacion, fjalim e gjithçka tjetër: Kjo pikësëpari realizohet nëpërmjet të pyeturit të cilat mund të jenë: Faktike; Me vlerë; Të politikës.

Pyetjet faktike: Këto pyetje konsistojnë në atë çfarë është e vërtetë ose e gabuar?

Pyetjet me vlerë: Këto lidhen me një aspekt moral si P.sh. kur gjykojmë për një veprim se është i mirë apo i keq, i moralshëm apo i pamoralshëm, zemërgjerë apo dorështrënguar e të tjera?

Pyetje të politikës: Këto lloj pyetjesh lidhen me kushte specifike veprimi, dhe zakonisht ato përmbajnë fjalë si psh- duhet të jetë…., do të luftojmë do të jetë……, do të arrijmë….. e të tjera.

Të bërit pyetje: Në mënyrë që të jenë efikas, mësimdhënësit punonjësi i marrëdhënieve me publikun, gazetari tej., duhet të bëjnë pyetje të drejta që t’i përshtaten situatës dhe të nxjerrin informatat që ata dëshirojnë. Mësimdhënësi, punonjësi i marrëdhënieve me publikun, gazetari etj., duhet të njohin strategjinë e duhur të pyetjeve, duke përfshirë:

  • Vënien e kontekstit duke shpjeguar qëllimin e bërjes së pyetjeve dhe udhëzimeve që duhet përcjellë,
  • Ndryshimin e pyetjeve, dhe
  • Të mbahet në mend se duhet biseduar me njerëz, jo ata të merren në pyetje

Parafrazimi (Pyetjet udhëheqëse)

Parafrazimi nënkupton kur polici interpreton fjalët e personave me fjalët e tijat.

Përmbledhja, krijon sens të vendosmërisë dhe autoritetit. Mund të përdoret për të vazhduar komunikimin që është ndërprerë. Për të bërë përmbledhje të efektshme polici duhet të përsërisë atë çfarë është thënë: Saktësisht; Me pak fjalë; Qartë.

Hapat parafrazuese (Pyetjet udhëheqëse)

Parafrazimi është mjet i fuqishëm i komunikimit. Për të parafrazuar saktësisht, mësimdhënësi duhet të rifrazojë me folësin e parë dhe të jetë në gjendje për të përmirësuar gabimet.

Personi që bën parafrazim të mirë, kujdeset që kurrë të mos “vendosë fjalët në gojën e personit tjetër.” Kur bëhet parafrazimi, polici duhet të:

Përdor aftësi të dëgjimit, ndërsa personi flet për atë që i kërkohet apo që i është shtruar pyetja.

Përsëritja e tregimit të bërë nga personi, me fjalë të policit. Mësimdhënësi, punonjësi i marrëdhënieve me publikun, gazetari e tej., mund të fillojnë me fraza siç janë: “Më lejo te sigurohem qe ju kam kuptuar. Ju thate që….”

Përcakton nëse personi pajtohet se përsëritja është e saktë.

Përsërit çdo gjë që personi mendon së është e pasaktë.

Vërteton prapë nëse personi pajtohet se përsëritja është e saktë.

Vazhdoni procesin, sipas planifikimit, derisa të arrihet qëllimi.

t

Marrja në pyetje

Gjatë punës së policëve, mund të jetë mund të jetë e nevojshme që ata t’i pyesin njerëzit për shkaqe të ndryshme. Pra, në këtë aspekt dhe pyetjet përgatiten të ndryshme, të shumëllojshme, të cilat i krijojnë kushte policit për të:

Ndihmuar personin i cili është i stresuar dhe që të arrijë ta qetësojë atë

Ndihmuar që personi të reagojë dhe minimizojë rezistencën

Mbajtur nivel intelektual dhe paraqitje profesionale. (Pyetjet të jenë jo të shumta dhe të përgjithshme, që të mos e bëjnë policin të duket i pasigurt dhe jo profesional).

Kemi tri lloje pyetje si: a-Pyetjet për gjetjen e fakteve: Këto pyetje, siç edhe emërohen, përdoren për të gjetur fakte duke përdorur pyetjet në vijim si:

Kush?; Çfarë?; Kur?; Ku?; Si?; Pse?.

Shumë pyetje faktike të drejtuara personit i cili është i shqetësuar mund ta keqësojnë situatën dhe përgjigjet mund të jenë të pasigurta. Nëse pyetësi ndeshemi me rezistencë, kur aplikon pyetjet për gjetjen e fakteve, ai me patjetër duhet të ndryshojnë pyetjet e drejtpërdrejta duke kërkuar mendimin e tij.

Shembull:

“Çfarë mendoni se ka ndodhur këtu?”

“Çfarë mendoni për atë qe ka ndodhur këtu?”

Të drejtpërdrejta (mbyllura): Këto pyetje kërkojnë vetëm një përgjigje të shkurtër e të mbyllur apo përgjigje me një fjalë. Ato shpesh herë kufizojnë informacionet e marra brenda formulimit të pyetjes.

Shembull:

“A e keni ofenduar x?”

Pyetjeve të drejtpërdrejta mund t’i përgjigjen me “po” ose ‘jo”.

Pyetjet sugjestive (drejtuese)

Si rregull i përgjithshëm pyetësi duhet t’i shmangen përdorimit të pyetjeve që mund të sugjerojnë përgjigjen në formulimin e tyre, p.sh. “A ishte automjeti qe u fut në oborrin e shkollës “Ford Sierra” me ngjyrë të kuqe?”

Njerëzit mund të jenë të ndjeshëm dhe mund të japin përgjigjet që priten vetëm që të jenë ndihmues sepse ata janë të hutuar apo janë të frikësuar. Ata mund të mendojnë që pyetësi di më shumë për temën dhe të ndihen të pasiguritë apo të bëhen qesharakë duke kundërshtuar. Kjo është veçanërisht e vërtet për fëmijët dhe për njerëzit me aftësi psikike të kufizuara.

Pyetjet sugjestive munden lehtë të vendosin informacione në mendjen e tyre për gjëra mbi të cilat ata nuk kanë njohuri apo të krijojnë ide që ata më parë nuk i kanë formuluar.

Shembull:

“A nuk është e vërtet se…?”

“A nuk thatë ju më pare se…?”

Bindja krijohet e palëkundshme kur bëhet një dëgjim i mirë: Dëgjimi: E kundërt me atë se çfarë shumica mund të mendojnë, dëgjimi është një aftësi aktive. Dëgjimi nuk është një proces pasiv por një aftësi e domosdoshme ne procesin e komunikimit.

Dëgjimi aktiv: përfshin kuptimin e fjalëve të përmendura ”në mes rreshtave” dhe njohjen e shenjave joverbale që në mënyrë të pashmangshme përcjellin ndonjë shprehje verbale.

Studimet dhe kërkimet ndërkombëtare lidhur me aftësitë e dëgjimit kanë treguar se: 70% e kohës së një individi, në përjashtim të kohës së kaluar në gjumë, kalohet duke komunikuar. Nga tërë kjo kohë e kaluar në komunikim, është zbuluar se:

45% e kohës kalohet në dëgjim; 30 % e kohës kalohet duke folur; 16 % e kohës kalohet duke lexuar; 9 % e kohës kalohet duke shkruar.

Një person ne rolin e pyetësit më shumë kanë nevojë të marrin informata sesa të japin. Një pjesë e madhe e kohës së tyre kalon duke marrë informata. Ata marrin informata gjatë intervistave, për idetë, apo projekte paraqesin nxënësit ne te gjitha rastet kërkohet kontrollimi i kujdesshëm dhe dëgjimi aktiv.

Dëgjimi aktiv: Personi ne rolin e një dëgjuesi duhet të shfaqet serioz dhe dëgjues aktiv duke i hedhur hapa të sigurt drejt një dëgjimi aktiv, i cili duhet të përfshijë:

Të qenët i hapur dhe i paanshëm!; Korrektësinë, për të evidentuar fjalë për fjalë, pra, atë se çka thuhet!; Sjelljen në kujtesë dhe Interpretimin për atë që është thënë!; Interpretimin e asaj se çfarë po thuhet dhe lidhjen e saj me atë çka thënë!; Përmbledhjen e saktë dhe koncize se çfarë është faktuar e pranuar!. Bindja krijohet edhe kur argumenti i njëanshëm përcjell drejt dhe qartë ato të dyanshmet të një problemi faktik. Nga një folës, mësues, lider, ligjërues e të tjera prezantimi i të dy anëve të një problemi do të luajë një rol të madh në kredibilitetin e tij. Pra, kur bëhet fjalë për një çështje publike, prezantimi i të dy anëve është shumë i rëndësishëm, sepse ekziston kërkesa, dëshira për të bërë diçka dhe kjo shprehet optimizëm, por nga ana tjetër, del se tani për tani nuk ka fonde të mjaftueshme për ta realizuar.

Për të realizuar një bindje të efektshme duhet me patjetër të njihen dhe zbatohen rregullat e prezantimit.

Për të bërë një prezantim të pëlqyeshëm dhe me efektivitet duhet të ndiqen hapat e mëposhtme: bërja e një prezantimi të shkurtër identifikues; pozicioni, angazhimi, synimet, ambiciet për të realizuar mësimin, formimdijen, detyrën apo diçka tjetër.

Pikat kryesore nëpër të cilat do të shtjellohet materiali, informacioni e të tjera. Koha e pranueshme për të zhvilluar dhe përfunduar në kohë mësimin, informacionin e të tjera.

Tërheqja e vëmendjes së pjesëmarrësve, audiencës për angazhim total me mendime dhe ide e të tjera.

Theksimi i problemeve, nevojave kryesore apo thelbësore dhe nënvizimi i tyre për të nxjerrë përfundime të shkurtra.

Rrugët, mënyrat e realizimit të nevojave, kërkesave e të tjera.

Vizualizimi i situatës, problemit pas realizimit të kënaqjes së nevojës.

Dalja në përfundime të plota, konkrete, se çfarë u përfitua, dhe a u arrit qëllimi nëpërmjet synimeve të caktuara.

Për të krijuar një bindje sa më të plotë, duhet që të vendoset dhe kredibiliteti.

Kredibiliteti konsiston në aplikimin e katër cilësive: Ekspertiza; Dinamika; Saktësia; Etika.

Ekspertiza: Kjo cilësi ka të bëjë me zotërimin e aftësive të një njeriu i cili i manifeston ato nëpërmjet sjelljes së përgjithshme kulturore, atyre profesionale si dhe atyre intelektuale dhe këto bëhen edhe më të efektshme kur shoqërohen me figurën e pastër morale. Një folës që duket ekspert për çështjet, problemet që trajton, krijon kredibilitetin e tij personal. Kjo sigurisht nuk krijohet vetëm nëpërmjet shkollës, trajnimeve, por edhe nëpërmjet eksperiencës dhe përvojës sa personale dhe e të tjerëve që janë të suksesshëm. Gjithashtu, ekspertiza, krijohet, ruhet dhe përsoset nëpërmjet, impenjimit, përkushtimit por lartësimit të vazhdueshëm intelektual e sidomos për fushën apo formimdijen që jep, për tu bërë me të vërtet sa ekspert dhe profesionist me ambicie për punën, mësimdhënien dhe shkencën.

Dinamizmi: Një folës, mësimdhënës, specialist, drejtues, e të tjera e tregon dinamizmin e vet nëpërmjet pasionit, entuziazmit, tonit, lëvizjeve, reagimeve me sy, sjelljes së argumenteve të sakta e të tjera. Dinamizmi përcillet dhe konstatohet nga të tjerët si verbalist (me fjalë) dhe jo verbalisht (me anën e gjesteve).

Saktësia: Një folës i saktë, i cili bëhet i tillë nëpërmjet të dhënave precize, të argumentuara, që i përdor ato si fakte dhe në momentin dhe kohën e duhur kur përcjell informacionin. Ky lloj folësi nga ekspertët është i perceptuar si i vërtetë dhe i varur.

Etika: Një mësues, folës, specialist dhe dikush tjetër, i cili tregohet Etik gjatë prezantimit të mësimit, materialit apo informacionit, duke respektuar vetë dhe bën të përgjegjshëm dhe audiencën t`i pranojë dhe zbatojë ato, që nga standardet e sjelljes e deri te normat, parimet, vlerat Etike, ai bëhet sa i pranueshëm por dhe mjaft bindës.

Ja disa parime Etike që mund të përdoren gjatë një fjalimi apo mësimi i cili të bëhet sa më bindës:

Trajtojini dëgjuesit me respekt. Besoni dhe pranoni faktin që natarët e audiencës janë njerëz të interesuar, duan të përfitojnë sa më shumë dhe të përcjellin mendime dhe ide për ta bashkëqeverisur audiencën.

Mos i ekzagjeroni apo shtrembëroni faktet, të cilat janë të bëra prezent, sidomos ato nga media e shkruar dhe ajo elektronike dhe aq më keq kur ato janë nëpër faqe librash dhe revistash shkencore.

Shmangni gënjeshtrën dhe përmendjen emrave me vend e pa vend. Edhe se pjesëmarrësit në audiencë nuk janë shumë të përpiktë mos i cilësoni vazhdimisht, por aktivizoni ata sa më shumë për t`ju bashkuar asaj pjese të audiencës që është më e avancuar.

Tregoni respekt për atë pjesë të audiencës që mendon ndryshe dhe sjell argumente plus për idenë apo informacionin që ju përcillni.

Bëjeni të vlefshme kohën që audienca harxhon duke ju dëgjuar ju, dhe mos u merrni asnjëherë me persona që janë të vështirë në atë moment, se harxhoni kohë në kurriz të të tjerëve.

Përdorni humorin me vend dhe pa përdorur e vënë në lojë krahasuese pjesëtarë të audiencës, se sedra nga njëherë hap punë dhe krijon kontradikta të panevojshme.

Ruajuni nga emocionet e tepërta, të cilat ju bëjnë më të ndjeshëm se sa duhet dhe o krijojnë laritet në audiencë, ose reagimi juaj me tone të panevojshme, ul interesin dhe angazhimin e pjesëmarrësve.

Të dish të komunikosh do të thotë që të:

Dëgjosh me vëmendje; Pyesësh me takt; Kërkosh atë që duhet dhe saktësisht; Udhëzosh me “urtësi”, durim dhe ashtu siç do të deshe për vete; Zgjidhësh problemin.

Në komunikim duhet pasur parasysh se:

Qetësia është e mrekullueshme!

Nxitimi i rrezikshëm!

Interesi është i papranueshëm!

Banaliteti mungesë qytetarie!

I pranueshëm në komunikim bëhesh kur të:

Mendosh me zemër.

Dëgjosh me shpirt.

Buzëqeshësh me sy.

 

Përfundime:

Në këndvështrimin që u trajtua komunikimi, ky mund të quhet me plot gojën sa shkencë dhe art, që ka por dhe kërkon një vlerësim edhe më të madh për rëndësinë dhe vendin që zë në komunikimin midis njerëzve, për të realizuar midis tyre gjithçka që lidhet në aspektin social dhe në përgjithësi për të përcjellë performancën në mënyrë sa më të plotë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top