FB

March 27, 2021 | 8:26

Rikthehet ora verore, akrepat shkojnë 60 minuta para. Ndikimet në shëndet dhe mënyrat e duhura për t’u përshtatur

Nga e hëna e javës në vijim dita do të jetë më e gjatë, duke hyrë zyrtarisht në stinën e pranverës. E sikurse çdo vit mes të shtunës dhe të dielës së fundit të marsit ora ndryshon duke ecur me 60 minuta përpara dhe këtë vit përkon pikërisht sot, mes datës 27 duke u gdhirë data 28.

Ky ndryshim do të thotë se kemi mundësi të shijojmë një orë më shumë dritën e diellit, por edhe humbim një orë gjumë. E pavarësisht avantazheve psiko-fizike që na jep ekspozimi në diell mund të kemi edhe disa shqetësime që i përkasin kryesisht orës biologjike e cila mban në ekuilibër pushimin dhe aktivitetin. Por ka disa këshilla sesi organizmi juaj t’i përshtatet sa më mirë ndryshimit të orës.

A ka shqetësime për zemrën? Prej kohësh ora pranverore ka qenë pjesë e studimeve për të kuptuar më mirë efektet që ka në organizmin tonë. Disa kërkime vënë në dukje se rriten mundësitë që njerëzit të preken nga infarkti. Specialistët shpjegojnë se stresi i lidhur me ndryshimin e orës mund të përshpejtojë mundësitë e një ataku kardiak.

Gjëja e parë që duhet të bëni për t’iu përshtatur kohës së re është të evitoni të qenit në alarm. Ora verore përfaqëson thjesht një alternim të zakoneve të përditshme, në veçanti të bioritmit. Truri dhe trupi ynë ka nevojë për disa ditë që t’i përshtatet ndryshueshmërisë.

Dhe mënyra më e mirë për të minimizuar efektet negative, sipas mjekëve është që të zgjoheni çdo ditë në të njëjtën orë dhe jo një orë më vonë. Organizoni një ecje jashtë në ajër të pastër e cila ju mbush me energji, ose praktikoni sport apo aktivitet fizik. Në këtë mënyrë në darkë jeni të lodhur dhe gati për të fjetur në orën që jeni mësuar.

Një tjetër këshillë e specialistëve është të shmangni telefonat apo tabletat gjatë darkës dhe kjo shpjegohet me faktin se ritmi ynë rregullohet nga drita natyrale dhe drita blu e aparateve teknologjikë e bën më të vështirë që të na zërë gjumi sidomos gjatë kohës kur duhet t’i përshtatemi ndryshimit të orës.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top