Kantautori i mirënjohur shqiptar Frederik Ndoci rikthehet përgjithmonë në vendlindje. Në një postim në rrjetin social Facebook ai ndau qëndrimin se nuk do të emigrojë më nëpër vise të huaja. Pas një karriere mundësish dhe arritjesh ku suksesi dhe vlerësimet ishin të pamata, Ndoci mirënjohës për ata qiej, thotë se ka ardhur koha të vendoset për të mos lëvizur më. Do të kthehet në tokën më të ëmbël, në vendin ku nëna e lindi.
Ja qëndrimi i tij:
Të dashur miq, ju që më ndiqni nga afër dhe nga larg, ju që më mbështesni e më inspironi ne çdo moment të aktivitetit tim! Dua të ndaj me ju një vërtetë të madhe që me shumë dhimbje e vërtetova duke vendosur një “bast” të madh me jetën time.
Shqiptaria ka pasur e ka prodhuar vazhdimisht jo vetëm artistë, njerëz të pasionuar dhe talente të kalibrit ndërkombëtarë, por edhe mendimtarë e koka, shkencëtarë e sportistë të shquar. Kombit tonë sot nuk i mungojnë vlerat, as mendjet… Kombit tonë i mungon më shumë se “zemra”! Kur nënës i merr bijtë, i ke tharë shpirtin, e njësoj ky KOMB po thahet nga eksodi i bijve më të vyer. Bota po na merr sot, si dhe dje, si dhe ndër shekuj, po zgjedh e merr për vete më të mirët ndër …duke na tharë shpirtin si komb!
Të dashur bashkatdhetarë, unë si dhe shumë prej jush iu dhashë tash e 10 vjet botës për mundësitë që më ofroi. Këndova, krijova e jetova me të tjera gjuhë e vise, në të tjera skena, në të tjerë qiej!!!
E sot pas kaq vitesh me mundësi të rralla që m’u dhanë anekënd botës, vlerësime të arta, respektin dhe bashkëpunimin e “peshave të rënda” të skenës dhe artit botëror, vendosa për vete, për ju, për ne, të kthehem në votrën teme, në tokën më të ëmbël, në vendin ku e shtrenjta nan më lindi, ku zemra rrahu fort në këngën e parë dhe atë të fundit, ku lash shpirtin dhe ëndrrën më të bukur që më dhatë të gjithë ju bashkë. E unë do kthehem tash përgjithmonë! Të këndoj për këtë vend, ma t’bukrin dhè e qiell, ma t’bukrat male, fusha e dete, do këndoj për shqiptarinë këtu, sepse këtu më knon zemra, këtu ma don shpirti me ken!!!
Ju falënderoj që më ndiqni, dhe ju ftoj në projektet dhe aktivitetin tim artistik në vijim! Zoti ju bekoftë kudo që jeni!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.