Me ngrohjen e motit dhe zgjimin e natyrës, trupi edhe mendja e njeriut kalojnë në një moment tjetër që për secilin individ reflektohet në forma të ndryshme. Por kjo është përgjigje normale e trupit dhe mendjes kundrejt pritjes së gjatë të stinës së pranverës.
Nga Aurora Çeliku Minga
Stina e pranverës sapo ka hyrë dhe njerëzit presin me padurim rrezet e diellit të mbizotërojnë mbi dimrin e lodhshëm. Me ngrohjen e motit dhe zgjimin e natyrës, me çeljen e luleve dhe këngën e zogjve, edhe trupi edhe mendja e njeriut kalojnë në një moment tjetër që për secilin individ reflektohet në forma të ndryshme. Ka persona që ndjejnë ndryshim në humor, lodhje dhe përgjumje. Por kjo është përgjigje normale e trupit dhe mendjes kundrejt pritjes së gjatë të stinës së pranverës.
Disa ekspertë e quajnë dhe Depresioni Sezonal, që shumë persona nuk e besojnë, por që në të vërtetë e shikojmë në simptomat si më lart: lodhje, ndryshim i humorit, përgjumje, ndryshim i presionit të gjakut. Në gjuhën popullore ky lloj ndryshimi quhet dhe “ndërrimi i gjakut”. Menjëherë pas kësaj faze, pjesa më e madhe e njerëzve kalojnë në një lloj euforie, që sigurisht ka të bëjë me ditët më të gjata tashmë dhe me diell. Me rritjen e temperaturës, ritmet e proceseve biologjike në trupin e njeriut janë më të shpejta, dhe gjithashtu hormonet punojnë në një kapacitet tjetër. Ndaj këtij ndryshimi hormonal, individë të ndryshëm u përgjigjen në forma të ndryshme.
Shumë njerëz preferojnë të ecin në ajër të pastër herët në mëngjes. Shumë prej tyre fillojnë ndjekin palestrat më me intensitet. Ka njerëz që reflektojnë gjendjen e tyre shpirtërore në veshje, duke veshur ngjyra të hapura. Ndërsa shumë të tjerë fillojnë merren me mbjellje lulesh dhe pemë. Por kjo pranverë nuk erdhi si gjithë të tjerat. Në ndryshim nga vitet e kaluara, kalimi nga stina e dimrit në pranverë u shoqërua me një virus që po dëmton mbarëvajtjen e shëndetit të njerëzve.
Kryesisht ky virus godet njerëzit që kanë probleme të frymëmarrjes dhe të mushkërive. Edhe njerëzit me imunitet jo rezistent po goditen nga ky virus. Këshillat nuk mungojnë nga shumë ekspertë, përveç faktit kryesor që njerëzimi po e lufton me të gjitha forcat dhe mundësitë. Në këtë fazë, njerëzit duhet t’i japin kurajë njëri-tjetrit dhe “të ngujohen” për të mirën e gjithsecilit. Kjo pranverë vërtet erdhi “egër” dhe po godet anën fizike dhe shpirtërore të njerëzve.
Por që të shijojmë këtë pranverë, dhe pranvera të tjera në vazhdim, duhet durim dhe këmbëngulje. Diellit asnjëherë nuk mund t’ia pengosh rrezet…
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.