Lifestyle

March 16, 2018 | 13:35

Rolanda Balla: Të kthesh pasionin në profesion

Talenti nuk mund të fshihet assesi, sado pengesa e vështirësi t’i dalin para. Të gjejë shtegun e duhur, është e vetmja mundësi për të ecur në jetë. Rolanda ishte fare e re kur prindërit vendosën t’i bënin një dhuratë simbol. Pavarësisht kushteve ekonomike dhe shtrenjtësisë për kohën, ata mundën të realizonin një ëndërr, që në fakt do të ishte një shpërblim jete për Rolandën.

Makina qepëse “Flutura”, në versionin më të ri të post viteve ’90, me motor elektrik, do të shndërrohej në objektin kult dhe nismëtar të një rrugëtimi sa pasional, po aq dhe ambicioz për një të re në pritje të degës universitare për Inxhinieri Ndërtimi dhe Arkitekturë. Përgjatë investimit trevjeçar për fakultetin në fjalë, jeta e Rolandës do të merrte rrjedhën që, si qëllim përbënte thelbin e asaj që kishte ndërtuar me kohë në fëmijërinë e hershme të saj.

…Në gardërobën e prindërve të saj nuk mbetën më çarçafë. Gjithçka ishte vënë në funksion të diçkaje. Një ngasje që më shumë se vullnet, ishte një talent që kërkonte të dilte në dritë me gjithë meritat që i takonin. Kështu lindi e u krijua një sipërmarrje, që sot pas 18 vitesh i gëzohet edhe një brendi unik siç ajo e quan “Tier”. Ja se si e përshkruan këtë udhëtim karriere Rolanda Balla.

“Babai kurorëzoi idenë që kisha ndërtuar herët në kokë. Ai më bleu makinën qepëse “Flutura”, ku edhe pse me mundësi të pakta, shpenzoi 30 mijë lekë të reja që unë ta kisha. Më pëlqente të vishesha bukur. Duke qenë se vijmë nga një brez me pamundësi financiare për të ndjekur edhe modën, duhej të bëje vetë çfarë të mundeshe. Në pritje të shkollës së lartë, u përfshiva më së shumti në një hapësirë që do të më përmbushte. Punoja në shtëpi.

Nuk dija si bëheshin, por dëshira ishte shumë e madhe për t’i realizuar. Mami im për një periudhë shumë të shkurtër, 6-mujore nuk kishte më çarçafë në shtëpi, sepse merreshin për eksperiment nga unë. Mandej blija rroba të përdorura në masën time.

I shqepja dhe i shihja modelet sesi ishin prerë. Korrigjoja mbi gabimet e mia. Modifikoja dhe rregulloja në kushte shtëpie. Një herë kam qepur gishtin tim, por ama nuk theva më gjilpëra. Ndoshta ishte sipar i mirë për mua. Në mënyrë autodidakte kam mësuar shumë. E ndjeja të nevojshme një shkollë për stiliste. Ajo më ka ndihmuar të krijoj njohje shumë të mira e të ruaj miqtë që i kam edhe sot.

Para 10 vitesh njoha profesorin Petrit Kaceli, i cili ka punuar për anëtarët e ish-Byrosë Politike. Ai hapi shkollën e tij ku kishte profesor për dizajnin Ardi Asllanin. Në momentin që ndiqja shkollën, hapa dhe atelienë e para dhe nuk u dorëzova asnjëherë”.

Kujtimet janë paja e një profesionisti. Për Rolandën, veshja e parë që ka krijuar me duart e saj është gjithaq një kujtim emocionues.

“Është një fund xhins. Pastaj, unë i bëja vet rrobat e mia. Pavarësisht kushteve, mbaheshim si familje që dinim të visheshim për shkak të aftësive që kishim. Gjatë kohës së rritjes në profesion, në shtëpi kishte shumë hyrje-dalje. Mami me babin mërziteshin, por ky rrugëtim i bukur u kthye në një biznes të mirëfilltë, dhe nuk i shmangesha dot”.

Ndër gjërat më të vyera, Rolanda ka padyshim dhuratën e bërë nga duart e saj.

“Është fustani që kam martuar motrën. Është gjëja që e ruaj me fanatizëm. Unë e kisha pasion modën, por nuk mendoja ta ktheja në profesion. Motra e vogël më ka ndihmuar shumë”.

Tashmë rrjedha e jetës së saj njeh një dimension edhe më të arrirë ndër pritshmëritë që i ka vënë vetes. “Flutura” ka zënë vendin e një relikeje të vjetër, fati i së cilës i ka hapur udhën një aktiviteti edhe më të gjerë. Idetë janë shndërruar në projekte, të cilat pritet të kalojnë jashtë kufijve. Klientët janë të shumtë, e me të gjithë ka një marrëdhënie tejet të mirë. 18 vite nuk janë pak për të lartësuar emrin. “Tier” është brendi që e bën edhe më unike Rolandën në risitë e saj.

“Kisha kohë që e mendoja pjesën e eventit. Erdhi shumë spontanisht falë dhe ndihmës së një mikeshës sime, Estela Ujka. Madje ajo e ka pagëzuar. Më pyeti për origjinën dhe i them: Nga Tirana. Dhe fjala më e përshtatshme është një nga rrëfimet që tregojnë për prejardhjen, tjerr anë, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me modën. Gjithaq tingëllon bukur edhe në frëngjisht, ku unë synoj shumë tregun francez.

Në event u prezantuan 15 veshje të përshtatura në 15 personazhe të ndryshme, blogere, personazhe që merren me këtë botë, por që hyjnë në lëkurën tënde, në bazë të karakterit të gjithsecilit.

“Falë stafit të mirë dhe një partnereje afrikano-franceze, e cila është ofruar për të qenë pjesë e Tier, përdorëm copat që u blenë në Francë, material veror afrikan, pambuk, por jo trikotazh, higjienike dhe praktike bashkë me ngjyrat që shprehin shumë. Feedback-u ishte i madh”.

Rolanda Balla punon dhe investon shumë që të gjithë të marrin kënaqësinë nga duart e saj. Sa i takon konkurrencës së tregut, ajo thotë se:

“Kam qejf që të gjithë të kenë mundësinë ta bëjnë të prekshme atë që duan nga unë. Kam shumë qejf që të ruhet linja klasike, brenda saj të importohen trendet e fundit. Unë kam një parim: në modë është ajo që ty të shkon. Sepse mund të jetë shumë e bukur e shumë në modë, por në qoftë se ti nuk e ndjen veten mirë, nuk mund ta përqafosh këtë trend të ri”.

Në ambiciet që i ka vënë vetes, Rolanda pohon se po punon paralelisht në dy-tri linja të ndryshme. Krahas ateliesë, ajo ka hapur një repart që ofron uniforma të të gjitha natyrave, por të një cilësie më të mirë nga tregu. Materiale më të mira, uniforma luksi për ambiente zyrash, administratash dhe biznesesh.

“Po i jap rëndësi pasi shoh po të njëjtat gjëra që qarkullojnë. Pse jo tani, kur investon në një staf të madh, duhet të bësh që dhe ai staf të ndihet mirë kur punon. Kjo gjë duhet kthyer në kulturë”.

E kësaj iniciative ajo i ka përveshur mëngët për një faqe dinjitoze online, web-in personal, si dhe po qartëson idetë bashkë me bashkëpunëtoren e saj, ku synojnë tregun evropian, për të paraqitur sa më shpejt në pasarelat jashtë kufijve koleksionin që është në përfundim e sipër.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top