Posta

March 16, 2018 | 13:43

POSTA nga Denata Toçe / Si mund ta fal?

Përshëndetje. Jam nënë e tre fëmijëve. Jam ndarë nga burri disa muaj më parë. Arsyeja ishte se jemi zhvendosur nga një vend në një tjetër me iniciativën e tij. Pasi u zhvendosëm, filluan konfliktet. Ai nuk donte të rrinim këtu ku jemi aktualisht. Ishte penduar duke më kërkuar që të zhvendoseshim prapë. Problemet tona u përkeqësuan aq sa çdo gjë u bë e padurueshme. Unë vendosa ta lë. Por, gjatë konflikteve dhe pas ndarjes më ka kërcënuar me familje, duke më thënë se do të m’i merrte fëmijët. Ndërsa tani më lutet të kthehemi bashkë dhe më thotë që është i gatshëm t’i ndreqë të gjitha gabimet dhe se është penduar vërtet. Edhe pse më dhimbsen fëmijët, nuk kam besim. Më ka poshtëruar në sy të të gjithëve, si mund ta fal?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur nënë. Është shumë me vend të reflektoni se çfarë doni ju, duke respektuar veten tuaj. Të tjerët, herët e vonë do të respektojnë zgjedhjen tuaj. Ne kulturalisht jemi shumë të lidhur me “tjetrin” dhe kjo shpesh bëhet intrusive në vendimet tona. Ju më dukeni e arsyeshme në veprimet tuaja, dhe jam e sigurt që edhe këtë herë, do të merrni vendimin më të mirë të mundshëm për veten dhe më pas për fëmijët. Këta të fundit meritojnë të kenë një jetë të qetë dhe më të dy prindërit, por mos harroni që, nëse ju të dy do të jeni në një marrëdhënie konfliktuale, çfarë qetësie dhe cilësie do të kishte mes jush? E dyshoj se do e avanconit më shumë marrëdhënien. Ka një arsye se pse ju jeni larguar nga njëri-tjetri fillimisht. Pavarësisht se e kujt ishte kërkesa, dakordësia duket se ka qenë e të dyve. Shiko me vëmendje mes rreshtave të jetës me bashkëshortin tuaj.

Vëreni nëse qëndron mundësia e një marrëdhënieje të qetë dhe të kuptueshme, ku ka brenda atë personin që vetëm ju mund ta njihni si askush tjetër, dhe më pas merrni një vendim. Jam e sigurt që do të jetë më i miri i mundshëm. Fëmijët do të jenë pjesë e familjes në të dyja rastet. Mbi të gjitha ata do të jenë të lumtur kur edhe ju jeni të lumtur. Dashuria për prindin është shumë e madhe në sy të fëmijëve!

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top