Në fokus

November 24, 2018 | 8:16

Roli i gjuhës në ndërtimin e kombit shqiptar

Mbi çfarë bazohet një Komb? Pyetje e cila ka një përgjigje aq të vështirë, sa edhe intuitive: trashëgimia kulturore që ai mban me vete. Mjeti më efektiv për të kufizuar edhe më tej dhe për të shfarosur një identitet, një Komb, është pikërisht anulimi i kësaj trashëgimie. Në anën tjetër, ruajtja e fortë e një baze kulturore të trashëgimisë së Kombit ndër vite, ndër dekada dhe shekuj, është mënyra më e suksesshme, arma më e fuqishme që një popull mund të përdorë për të luftuar dhe për të shmangur zhdukjen.

Në fund të fundit, nëse sot e kësaj dite e njohim historinë e njerëzimit, historinë e Greqisë së lashtë demokratike, atë të Perandorisë së fuqishme dhe të lulëzuar Romake, i detyrohemi atyre që në atë kohë zotëronin njohuri të tilla, që sot na japin mundësinë të konsultojmë dokumente të çmuara,  mbi të cilat mund të bazohemi.

Pra, baza e përgjithshme është pa diskutim shpikja më e çmuar dhe më e madhe njerëzore: Gjuha. Më saktë, ajo e shkruar. Falë saj, çdo popull ndër shekuj ka pasur mundësi për vetëshpallje, vetafirmim dhe vetëvendosje, duke trashëguar në këtë mënyrë kulturën e tij.

Por, çfarë ndodh kur kjo mundësi kufizohet, ose më keq, anulohet?

Është shumë e thjeshtë. Gjithçka i përket atij populli, humbet gradualisht. Kur kjo pronësi kulturore të ketë humbur krejtësisht, atëherë ajo nuk mund të rikthehet më. Kjo nuk është shpikje e jashtëzakonshme, por një realitet të cilin ne mund ta prekim me dorë.

Kur një gjuhë dhe një kulturë nuk transformohen, nuk evoluojnë, dalëngadalë ato humbasin. Kur ato të kenë humbur përgjithmonë, rrjedhimisht edhe potenciali intelektual dhe ai kulturor nuk kanë kurrsesi mundësi për tu lënë pas. Me pak fjalë, ruajtja e gjithçkaje që i përket kulturës së një Kombi është pjesë themelore dhe jetësore, e ruajtjes, afirmimit dhe e përforcimit të tij.

Nëse aplikohet kjo “kredo” tek realiteti ynë, ai shqiptar, mund të arrijmë në një konkluzion shumë të thjeshtë. Që të kemi një Komb të fortë, që të mund t’i rezistojë kohës dhe ndryshimit të natyrshëm të kushteve për mbijetesë, edhe sot, si në shekujt e kaluar, është e domosdoshme ruajtja përmes mësimit të asaj që pikësëpari na kualifikon si Komb të Pavarur: Gjuha.

Ne shqiptarët e ndodhur larg territorit të Republikës së Shqipërisë, me shumë vështirësi, kemi arritur disi të mbajmë dhe të trashëgojmë gjuhën tonë të rëndësishme dhe të bukur. Gjuha shqipe ka arritur të transmetohet ndër vite nëpërmjet fjalës edhe pas më tepër se 400 vjet kolonizim shtypës dhe agresiv nga Perandoria Otomane edhe pas ndalimit total të mësimit të saj, e gjithë kjo, falë  përpjekjeve të pandara të popullit shqiptar.

Fatkeqësisht ky trend edhe pas luftërave të shekullit të shkuar ende vazhdon të jetë aktual dhe i fuqishëm. Në një Ballkan tashmë të çliruar deri diku nga ndikimi osman, faktori asimilues sllav, me mbështetjen e globalizimit agresiv dhe të pakontrolluar ka cënuar edhe më tepër territoret etnike shqiptare, tanimë nën kontrollin e shteteve të ish-Jugosllavisë.

Por gjithashtu edhe në shtetin tonë fqinj, siç është Greqia. Aty, tendencat nacionaliste, urrejtja etnike (fenomen që përtej deklaratave paqësore ekziston ende) na përballin sot me një situatë alarmante, që pasqyrohet në mënyrë perfekte me atë që kam shkruar në fillim të këtij artikulli.

Harresa totale nga ana e institucioneve, ka bërë që një pjesë e mirë e popullsisë etnike të largohen nga territoret e banimit. Ndalimi i arsimimit në gjuhën mëmë, që sipas Konventave internacionale duhet ligjërisht të jetë e mbrojtur nga shtetet, si dhe mundësitë e pakta për një zhvillimi ekonomik dhe social me të cilën përballen ata që kërkojnë të shfrytëzojnë këtë rrugë arsimimi, në disa vende, detyrohen të zgjedhin mësimin e gjuhës zyrtare të shtetit përkatës.

Kjo sigurisht ndodh edhe për mungesën të një strategjie Kombëtare të mirëfilltë e cila të mbrojë Gjuhën edhe Kulturën. Përkundrazi, faktori etnik ka qenë gjithnjë preh i një përdorimi të paskrupullt shpeshherë nga vetë shqiptarët, për llogari politike aspak të dobishme për çështjen shqiptare.

Në fakt, shteti Shqiptar deri më sot nuk ka garantuar një mbështetje të vazhdueshme për popullatën shqiptare jashtë kufijve të Republikës dhe gjithashtu në disa raste nuk ka mundur ta bëjë këtë. Pra dhe sot e kësaj dite, gjuha jonë, përveçse në Republikën e Shqipërisë, nuk mësohet saktësisht në asnjë prej trojeve ku deri dikur etnia shqiptare ka dominuar edhe në kohën e Perandorisë.

Kjo strategji asimilimi ka filluar pikërisht pas ndarjes së territoreve ballkanike në fillim të shekullit të shkuar dhe si rrjedhojë, sot, në shumë ish-troje me shumicë etnike shqiptare, gjuha dhe akoma më i rëndësishëm, Identiteti, po humbet, ose më keq, ka humbur. Sot, identiteti ynë i përbashkët mbahet në një fije shumë të hollë.

Të moshuarit në fshatrat përkatës janë përpjekur vazhdimisht të mbajnë gjallë dhe të trashëgojnë gjuhën dhe kulturën tek pasardhësit e tyre, por sot kjo nuk është plotësisht e mjaftueshme. Megjithatë, çfarëdolloj përpjekje është gjithmonë e dobishme derisa të hartohet një plan i mirëfilltë.

A ndodh kjo edhe në Vende të tjera?

Sigurisht që jo. 

Një shembull perfekt mund ta gjejmë edhe brenda realitetit tonë të vogël. Dihet që në jug të vendit ekzistojnë shkolla ku mësimdhënia bëhet në gjuhën greke dhe gjuha shqipe vendoset në plan të dytë. Madje gjuha greke është e vetmja që mund të dëgjosh në ato shkolla. Një veprim i tillë nuk është asgjë tjetër, veçse fillimi i një procesi shterues i një shoqërie jo fort të kolauduar dhe të përforcuar, siç është ajo shqiptare.

Por lejimi i shkollave greke është deri diku një veprim demokratik dhe i drejtë, përderisa ata konsiderohen si minoritet etnik në territorin e Shqipërisë. Është një nga pikat themelore të deklaratës të së drejtave të njeriut, mbrojtja dhe trashëgimia e kapitalit kulturor. Por pyetja është: Përse kjo e drejtë shkelet në territorin fqinj?

Përse kapitali ynë është shkelur, është kërkuar të fshihet përgjithmonë gjeneratë pas gjenerate? Nuk dua kurrsesi të gjykoj askënd me këtë, por duhet të reflektojmë. Shtete të tjera kërkojnë të drejta që deri diku është e drejtë që t’u jepen, por përballë disa padrejtësive që ne vuajmë dhe kemi vuajtur vazhdimisht, përse nuk reagojmë?

Përse emigrantët, ose më keq, fëmijët e emigrantëve, gjenerata e parë, ajo e dytë, nuk mund të gëzojnë ato të drejta të njëjta që bashkëqytetarët tanë gëzojnë në vendin tonë? Me kalimin e kohës, largimi i gjeneratave të reja nga kultura amtare mund të çojë në një asimilim total, deri në humbje të një potenciali madhor intelektual për Shqipërinë. Potencial ai i diasporës, që gjatë historisë sonë, ka qenë pjesë përbërëse e një rëndësie themelore për krijimin dhe përforcimin e një identiteti që rrezikonte shfarosjen.

“Diaspora Shqiptare ka një kontribut të padiskutueshëm në historinë dhe identitetin Kombëtar[…] Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina kanë potencial të konsiderueshëm intelektualësh që jetojnë në Diasporë[…] Në vitet e hershme të pavarësisë, roli i pjesëtarëve të arsimuar mirë të diasporës ishte i rëndësishëm[…] (i)

Vetëm në Europë, duke konsideruar vende si Italia, Greqia dhe Gjermania, numri i emigrantëve shqiptarë vlerësohet diku tek 2 milionë.

Pra po të konsiderojmë këtë shifër (jo-zyrtare), kemi në emigracion aq potencial sa bashkë popullata e Kosovës dhe e Shqipërisë. Numër aspak i vogël. Këtu nuk kam konsideruar komunitetin në SHBA apo vende të tjera të Europës, si edhe popullsinë etnike në Republikën e Maqedonisë, Malit të Zi, në pjesën veriore të Greqisë dhe në Luginën e Preshevës.

Me një potencial kaq të madh dhe që sigurisht vjen gjithmonë në rritje, të nisësh një projekt nga baza, do të ishte padyshim një strategji fituese.

Krijimi i shkollave apo i kurseve të kualifikuar të gjuhës dhe kulturës Kombëtare, me qëllimin  e përgatitjes dhe dhënien e njohurive të përshtatshme për te rinjtë dhe të miturit, të cilët kanë lindur dhe po rriten në Diasporë, do të sillte gradualisht një afrim EFEKTIV të gjeneratave të reja me origjinën. Si rrjedhojë, do të ketë gjithmonë e më shumë një gatishmëri EFEKTIVE dhe KONSTRUKTIVE për të investuar energji në Atdhe.

Si fillim, një shoqatë, me një projekt dhe një qëllim të tillë është pa asnjë dyshim një investim më fitimprurës se çfarëdolloj projekti me një “background” thjesht propagandistik. Nisma të këtij lloji janë ndërmarrë në të kaluarën në vende të ndryshme, por mungesa e një qëllimi real, si dhe (shumë e rëndësishme) mungesa e një ndërlidhjeje, ka rezultuar një dështim.

Ideja themelore është krijimi, falë ndihmës së organizatave të ndryshme shqiptare dhe të huaja, i një subjekti (Shoqatë) kulturor, që të ketë si objektiv dorëzimin e trashëgimisë sonë në gjeneratat e reja në Diasporë, në mënyrë më komplete dhe më të kualifikuar, përveç transmetimit të gjuhës shqipe nëpërmjet fjalës, gjë e cila bëhet nëpërmjet familjes. Kjo në vetvete është tepër e rëndësishme, por jo krejtësisht e mjaftueshme. Por jo vetëm kaq.

Ashtu siç e përmenda edhe më lart, nismat sporadike dhe të izoluara nuk janë shumë të dobishme. Kusht themelor për funksionimin e mëtejshëm të këtyre subjekteve, duhet të jenë ndërlidhja dhe bashkëpunimi midis dy shteteve. Të krijohet një rrjet më i gjerë shoqatash, të cilat nuk punojnë thjeshtë për një interes të vogël personal, por që ndajnë një projekt me themele të forta dhe që kanë një qëllim të përbashkët. Të jetësohet një rrjet i cili të jetë në gjendje të përhapë në mënyrë homogjene njohuri mbi gjuhën dhe kulturën tonë, duke rrënjosur një identitet të përbashkët, të pa ndotur nga faktorë të jashtëm.

Falë bashkërendimit të ngushtë me Shoqata të shumta ekzistuese, falë eksperiencës të tyre, me dëshirën për të shfrytëzuar sa më shumë një potencial intelektual të konsiderueshëm dhe për të mos e humbur atë duke ia falur dikujt tjetër edhe ndihma me e vogël nga ana e Shtetit, do të ishte shtylla mbi të cilën do të mbështetej gjithçka.

“Shpresa kryesore e një kombi qëndron në edukimin e drejtë të të rinjve të tij” Erasmo Roterdami

 

Burimi / albanianews.it

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top