FB

March 8, 2024 | 6:07

Roli i grave: barazia gjinore për zhvillim të qëndrueshëm

Flitet shumë për barazinë gjinore dhe rolin e gruas, në një debat që shpërtheu në fillim të shekullit të kaluar dhe nuk u shua kurrë. Aq shumë është bërë, të paktën në sipërfaqe, deri në atë pikë sa duket pothuajse e tepërt të përsëritet koncepti se gratë kanë të drejta dhe mundësi të barabarta si burrat.

roliigrave

Megjithatë nga lajmet e përditshme dimë se progresi kulturor nuk është përcjellë me fakte, nëse ka ende shumë feminicide, nëse pabarazia e të ardhurave në të njëjtat pozicione pune është ende e madhe, nëse rolet drejtuese janë në fakt të rezervuara për burrat, nëse varfëria është më e fortë tek gratë e moshuara sesa tek burrat. Për të ardhmen e afërt, Axhenda 2030 vendosI në vendin e pestë midis objektivave të saj për “zhvillimin e qëndrueshëm” arritjen efektive të barazisë gjinore. 

 

Roli social i gruas: një detyrë dhe jo vetëm një e drejtë

Arritjet e para në mbrojtjen e të drejtave të grave filluan brenda mendimit liberal dhe demokratik, duke çuar në njohjen e të drejtës për arsimim, të drejtën e votës dhe aksesin në profesionet e lira (1919). Virginia Woolf njohu në këtë pushtim liberal armën e parë për një ndryshim, “armën e pavarësisë së mendimit, fryt nga pavarësia ekonomike”. E megjithatë shkrimtarja e famshme nuk ishte e kënaqur me të drejtën e gruas, por synonte një përmbysje të vlerave në shoqëri për të kaluar nga një strukturë ekonomike dhe sociale e dominuar nga meshkujt, e bazuar në konkurrencë, konfrontim dhe dominim, në vlerat e reja të propozuara nga gratë që ndërtojnë një shoqëri të bazuar në bashkëpunim, jokonkurruese dhe me synim pasurimin kulturor.

Më vonë ishte lëvizja socialiste që luftoi idenë e një diferencimi të roleve të lidhura vetëm me dallimin biologjik midis dy gjinive, duke treguar më tepër çelësin e nënshtrimit të gruas në procesin e gjatë historik, e cila strukturoi familjen dhe shoqërinë sipas një modeli borgjez dhe kapitalist (materializmi historik). Historia e mendimit mbi gratë vazhdoi me reflektimin ekzistencialist të Simone Beauvoir, shoqërueses së JP Sartre, e cila theksoi çështjet kritike të mendimit liberal dhe marksist, në esenë e saj të famshme “Seksi i dytë”. Në qendër të reflektimit të filozofes është fakti se secili është fryt i zgjedhjeve të veta ekzistenciale. “Tani situata e gruas paraqitet në këtë këndvështrim shumë të veçantë: pavarësisht se është një liri autonome si çdo individ njerëzor, ajo zgjedh dhe zbulon veten në një botë në të cilën burrat i imponojnë asaj rolin e Tjetrit” .

Beauvoir pajtohet se aksesi në profesione u ka lejuar grave autonomi ekonomike dhe sociale, por ky kusht është vetëm gjysma e rrugës. Shpresa e Beauvoir, në një shoqëri gjithnjë e më shumë të përbërë nga gra të pavarura, është të ndërtojë një marrëdhënie me burrat të bazuar në reciprocitet dhe vëllazëri dhe jo në nënshtrim, të cilat ndjekin barazinë duke rritur dallimet. Kohët e fundit, filozofja Luce Irigaray, duke u marrë me mendimin e Simone Beauvoir, nuk kënaqet me një hapësirë reciprociteti brenda një bote që flet vetëm një gjuhë mashkullore, por propozon një hapësirë të re për gratë.

“Është gjithashtu e nevojshme të kultivohet dhe zhvillohet identiteti dhe subjektiviteti femëror, pa u dorëzuar nga vetvetja. Vlerat në të cilat gratë janë bartëse, – shton ajo, – nuk njihen dhe vlerësohen sa duhet as nga vetë gratë. Por këto janë vlera për të cilat bota ka nevojë urgjente sot, qoftë kujdesi më i madh për natyrën apo aftësia për të hyrë në marrëdhënie me të tjerët” .

 

Barazia gjinore për zhvillim të qëndrueshëm

Çfarë do të thotë “zhvillim i qëndrueshëm”, nëse jo pranimi se modeli aktual i zhvillimit ka dekretuar universalisht dështimin e tij, duke u dëshmuar të jetë i paqëndrueshëm për njerëzimin? Jo vetëm për raportin e dominimit dhe shfrytëzimit mbi natyrën, që ka shkaktuar ndryshimet e njohura klimatike, por edhe për theksimin e konflikteve dhe luftërave për shkak të pabarazive të mëdha ekonomike, për flukset migratore të përcaktuara nga varfërimi natyror i territoreve të tëra të planetit, për një model ekonomik dhe një mënyrë jetese të papajtueshme me shëndetin, me zhvillimin demografik, me respektin ndaj mjedisit, me paktin midis brezave.

 

Ç’lidhje ka kjo me rolin e gruas?

Në mars të vitit 2020, Evropa hartoi strategjinë e saj për të siguruar që qëllimi të arrihet deri në vitin 2025 në të gjithë sektorët e Bashkimit Evropian. Tre veprimet kyçe të strategjisë evropiane mund të përmblidhen në luftën kundër dhunës ndaj grave, në mundësinë e grave për të arritur poste të larta në botën e punës dhe në politikë, dhe në miratimin e perspektivës gjinore në të gjitha masat legjislative. Por çështja e gruas nuk duhet konsideruar sikur të ishte vetëm një problem i gruas, një e drejtë liberale dhe individuale që duhet arritur për përmbushjen e saj. Shumë shpesh në media çështja e barazisë gjinore lartësohet duke numëruar numrin gjithnjë në rritje të grave në botën e punës, në role të spikatura, në sipërmarrje dhe në kërkime.

skuader

Por a mjafton gara për të rritur numrin e grave në poste drejtuese?

Nëse gratë e punësuara në profesion, në botën e punës ose në politikë, kanë arritur pothuajse numrin e burrave kudo, cilësia e pjesëmarrjes së tyre shpesh mbetet thelbësisht e ndryshme. Jo vetëm kur mbetet një diferencë e konsiderueshme në pagë për të njëjtin nivel arsimimi dhe pozite, ose sepse gjatësia e karrierës së një gruaje mund të ndjekë një prirje rënëse pas pragut 50-vjeçar. Edhe në situatën më rozë, në të cilën gratë arrijnë pozicionin më të lartë, ka ende një hendek cilësor: perceptimi kulturor i pranisë aktive të grave në vendet ku merren vendimet, nuk ndihet ende si një domosdoshmëri për të mirën e përbashkët.

Është interesant vëzhgimi i Luce Irigaray: “Vlerat që mbartin gratë nuk njihen dhe vlerësohen sa duhet edhe nga vetë gratë”. Ndonjëherë edhe për disa gra, çështja e emancipimit mbetet problem i pushtimit të të drejtave individuale dhe jo më tepër i pretendimit të detyrave shoqërore. Duke synuar “zhvillimin e qëndrueshëm” për vitin 2030, duhet të fillojmë të kuptojmë se nuk bëhet fjalë për “t’u bëjmë një nder grave”, por për të pranuar se nëse përparimi është bërë i paqëndrueshëm, është pikërisht sepse është ndërtuar nga këndvështrim i përgjysmuar (i rremë) për jetën dhe planetin. Zbulimet, pushtimet e lidhura me teknologjinë, tejkalimi i vazhdueshëm i kufijve dhe sfidave, kanë sjellë një mirëqenie të madhe ekonomike, por edhe pabarazi të forta.

Konkurrueshmëria si një mjet për përmirësim, ka sjellë rritje për disa, por gjithashtu ka provokuar tensione dhe konflikte. Ajo që ka munguar në këtë hark kohor të gjatë ka qenë ndoshta një kundërpeshë, një balancim i shikimit, pikërisht i universit femëror, i prirur më shumë për detyrat e kujdestarisë së krijimit të brezave të ardhshëm, nëpërmjet pasurimit të marrëdhënieve, dhe jo konfrontimeve. Vështrimi i gruas, aty ku vendoset, bëhet atëherë domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm, dhe është mundësi diskutimi e pajtimi për dinamikën mashkullore.

Prania e grave nuk është një objektiv numerik, një qëllim liberal, por një parakusht i domosdoshëm për të ndjekur objektivat e tjera të së mirës së përbashkët të vendosur në Axhendën 2030: klima dhe kujdesi për planetin, lufta kundër varfërisë, paqja dhe drejtësia, mbrojtja e të miturve dhe njerëzve të brishtë, ndaj komuniteteve dhe qyteteve të qëndrueshme, konsum të përgjegjshëm. Ajo që është në rrezik nuk është më vetëm çështje e të drejtave të një pjese të njerëzimit, por e përgjegjësive që duhen ndarë së bashku për një të ardhme më të mirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top