FB

March 8, 2024 | 6:11

Sociologia Orilda Kalami na ndihmon se si t’ua shpjegojmë të vegjëlve festën e 8 Marsit

 

 

Pranvera fillon me festa. A e keni menduar ndonjëherë që ne në Shqipëri kemi fatin të kemi dy ditë njëra pas tjetrës dedikuar figurave më madhështore dhe të rëndësishme të shoqërisë? Dhe ja, pas mirënjohjes dhe vlerësimit për mësuesit, luleve e këngëve dedikuar atyre, vjen 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas.

 

orilda-kalami

Orilda Kalami, Sociologe

Mësuesi, si ndriçues e ndihmues, që të nesërmen vijon me misionin e tij të reflektimit e ndërgjegjësimit për këtë datë të rëndësishme dhe bashkë me prindërit shpjegon çdo ditë, çdo vit, çdo 8 Mars, kuptimin dhe vlerën e kësaj date.

Le të festojmë!

Për t’ua shpjeguar më lehtë fëmijëve mund t’u themi se data 8 Mars është si një ditëlindje, një datë e rëndësishme, një festë, por e të gjitha grave në të gjithë botën. (Për ta bërë dhe më festive ditën dhe joshës shpjegimin, mund të përgatisim edhe ëmbëlsira.)

Në këtë ditë festohet për të gjitha mamatë, gjyshet, motrat, mësueset.

Në këtë ditë të gjithë festojmë se sa shumë gjëra të bukura bëjnë gratë.

Në këtë ditë ne të gjithë mbrojmë gratë kudo që janë.

Nuk mjafton vetëm një ditë që ne të kujtohemi për mamin tonë, për gjyshen, mësuesen etj. Ne duhet t’i duam ato çdo ditë.

Prandaj hapi tjetër është t’u shpjegohet vlera e dashurisë, dashuria për çdo qenie njerëzore (sa shumë i duam të afërmit tanë, shokët, kushërinjtë, etj., sa shumë e duam mamin, motrën, tezen, hallën, gjyshen, mësuesen…).

klasa

Si e shfaqim ne dashurinë ndaj tyre?

Dashuria ndaj tjetrit na jep gëzim dhe na zbukuron jetën. Çdo qenie njerëzore duhet respektuar. Dashuria shprehet në shumë forma, por më kryesorja është respekti.

Si e shfaqim ne respektin ndaj grave të jetës sonë? Çfarë bëjmë ne për t’u falur atyre kënaqësi? Sa mirë ndjehemi ne në praninë e tyre? Sa i falenderojmë për gjërat që bëjnë për ne? Sa pranë na rrinë ato edhe kur bëjmë gabime?

Siç edhe kuptohet, një shpjegim bazuar te dialogu, duke ndërvepruar me fëmijën, është mënyra se si kjo bisedë bëhet aktive dhe reflektive. Përveç prindërve, edhe mësueset në shkollat fillore mund t’i dedikojnë kësaj feste, këto ditë, kohën e vet për të zhvilluar biseda me fëmijët.

Fëmijët pyeten nëse kanë dëgjuar për këtë festë, nëse e njohin etj. Më pas pyetjet specifikohen në drejtimin gender: Sipas jush cilat janë ndryshmet mes meshkujve e femrave? Cilat janë pikat e forta të një femre e cilat të një mashkulli? Po dobësitë e tyre cilat janë?

Përgjigjet e tyre nxisin bisedën dhe diskutimi zgjerohet. Kështu dalin në pah edhe çështje që të vegjëlve mund t’iu duken normale, por në të vërtetë nuk janë, p.sh: pse kur themi “pilot” mendja na shkon te një burrë?

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është që fëmijëve t’u shpjegohet se sa punë e luftë është bërë gjatë këtyre 100 viteve për progresin e gruas. Mamatë dhe gjyshet e tyre kanë luftuar shumë dhe janë treguar të forta e kurajoze për të fituar të drejtat e tyre, për të fituar atë që kanë arritur sot.

Dikur gratë nuk mund të vishnin pantallona, as funde të shkurtra, nuk mund të votonin, nuk iu lejohej të mësonin të shkruanin dhe të lexonin, nuk mund të shkonin në shkollë, nuk mund të zgjidhnin partnerin e tyre, duhej të rrinin vetëm në shtëpi me fëmijët, nuk mund të punonin, por sot këto të gjitha janë të mundura edhe pse ka ende shumë për të bërë. Mamatë, si çdo njeri tjetër, kanë dëshirat dhe ëndrrat e tyre dhe duhen respektuar. Ato janë të forta, të bukura, të shkathëta, e bëjnë të bukur familjen.

(Gjatë bisedës në klasë fëmijët i konkretizojnë me shembuj nga mamatë e tyre këto arritje, duke u stimuluar me pyetje mbi punën që bën mami, tezja, halla etj.)

Biseda mund të shoqërohet duke përdorur imazhe (foto e video) dhe fjalë të përshtatshme për moshën, pa nënvlerësuar zgjuarsinë e fëmijëve dhe duke iu thënë gjithmonë të vërtetën.

Shpjegimi bëhet edhe më i lehtë i shoqëruar me simbole. Simbolika e festës janë lulet (të mimozës dhe lule të tjera). Fëmijëve iu shpjegojmë se në datën 8 Mars të gjitha grave iu dhurohet një lule për t’u treguar që i duam shumë, që i mbështesim dhe ndihmojmë në gjërat që bëjnë.

Gratë kanë shumë sfida në jetën e tyre dhe çdo ditë ato bëjnë shumë punë, përpiqen të gjejnë kohë edhe për punën edhe për familjen, etj. Për këtë flitet me fëmijët se a e vënë re ata sa shumë punë bëjnë mamatë e tyre në shtëpi, a lodhen ato në punë etj.

Temat e respektit ndaj gruas, barazisë, dashurisë në familje sigurisht që nuk janë tema që zhvillohen / mësohen brenda një dite, por ky prag feste mund të jetë një moment i mirë për të nxitur më shumë refleksionin, ndërgjegjësimin te fëmijët.

Fëmijëve u thuhet se gratë duhen dashur dhe respektuar çdo ditë dhe jo vetëm më 8 Mars. Të gjithë kanë të drejtën të duhen dhe e kemi për detyrë t’i respektojmë të gjithë ashtu siç janë.

femijeloje

Si ta kalojmë ditën e 8 Marsit me fëmijët?

Ka disa mënyra për të materializuar këtë festë për fëmijët, e rëndësishme është që ata të kuptojnë rolin e madh e të rëndësishëm që gratë kanë në shoqëri dhe luftën e tyre të përditshme për pozicionin e tyre në shoqëri.

Kështu mund të shihen së bashku filma të ndryshëm vizatimorë, ose t’u lexohet një histori ku figura kryesore është gruaja, mund t’u tregohen histori të grave të suksesshme në fusha të ndryshme (shkencë, art, politikë, histori etj), ose edhe histori personale suksesi e arritjesh.

Pas atyre syve të mëdhenj që përpijnë informacionin që ne japim, janë ca zemra që na takon t’i mbushim me dashuri për jetën, për të bukurën, për gruan.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top