Dëshmi

February 24, 2018 | 15:04

Rovena Vata / Komunikimi, një vlerë në rritje apo e zbehur?

Komunikimi sipas saj është çelësi që hap dyert e tolerancës dhe marrëveshjeve mes njerëzve, por gjithashtu, edhe ura që ndërlidh gjuhët e zemrës. Për Doktoreshën e Shkencave, Rovena Vata, komunikimi i bën të pathënat të thëna, e nuk mjafton të ekzistojë vetëm si fjalë, por duhet të dish edhe ta përdorësh.

Dr. Rovena Vata, Pedagoge dhe Studiuese-Albanologe

Dr. Rovena Vata, Pedagoge dhe Studiuese-Albanologe

 Në gjykimin profesional dhe shoqëror, si e shihni gjuhën që përdoret gjerësisht në media, politikë, familje etj?

Komunikimi mediatik është një ndër format më të përhapura të komunikimit dhe që ka numrin më të madh të ndjekësve. Ndikimi i komunikimit mediatik në shoqëri është dominues. Ai është në radhë të parë shoqëror, sepse lidhet ngushtë me organizimin e shoqërisë. Mesazhet e mediatizuara gojore, të shkruara, pamore ose virtuale janë ligjërime shoqërore, në kuptimin e vërtetë. Ato përcaktojnë statuset dhe rolet, qëndrimet, si dhe bartin me vete mënyrat e shfaqjes.

Dje, sot e përherë, që nga koha kur është krijuar media, ndikimi i saj në shoqëri përbën një çështje diskutimi. Njerëzit shohin në media atë çfarë ajo sjell dhe mendojnë shpesh, për atë se çfarë konsideron media si të rëndësishme. Gazetat dhe televizionet i drejtohen lexuesit apo shikuesit, por ai jo gjithnjë arrijnë të dekodojnë qartë mesazhin, që mbetet shpesh i pakapshëm.

Në disa aspekte, mashtrimi për hir të politizimit shoqërohet me nënkode dhe krijohet nga vetë gazeta apo program televiziv përkatës. Megjithatë, sa më afër një grupi interesi të jetë gazeta, TV etj., aq më e qartë është ajo gjuhësisht në shprehjen e ideve. Kështu, gazetat e partive politike nuk kanë nevojë për “errësirë gjuhe”; ato e shprehin qartë pozicionin e tyre pro apo kundër saj dhe anasjelltas.

Media ka fuqinë e plotë të na thotë se “çfarë duhet të shohim” dhe, për pasojë, “të jemi të detyruar të mendojmë mbi atë çfarë shohim”. Ndërkohë, media ndikon në sjelljen e individit në mënyra të ndryshme. Për sa kohë njerëzit janë të ndryshëm, mendojnë dhe logjikojnë ndryshe, ata kanë filtra të ndryshëm, interesa, arsimim dhe kulturë të ndryshme, kjo do të thotë se mesazhi mediatik për dikë do ketë efektin negativ, e për dikë tjetër jo, pasi ai filtrohet nga vetë ai.

Gjithsesi, mediat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë, si në fushën kulturore, ashtu edhe në fushën politike. Media bëhet pasqyrë e këtyre zhvillimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën shoqërore dhe kulturore. Ndryshe nga komunikimi mediatik, gjuha që përdorim në komunikimin familjar është më e thjeshtë, dhe mesazhet që përcillen përmes saj janë më të kuptueshme.

Është i deformuar komunikimi në shoqërinë e sotme?

Komunikimi në shoqërinë e sotme është shumë i deformuar, kjo sepse siç thamë edhe më sipër, ndikimi i teknologjive është shumë i madh. Kjo gjë ka bërë që të rinjtë e sotëm të përdorin shumë shkurtime apo ndërthurje fjalësh të huaja, që e shtrembërojnë krejtësisht gjuhën shqipe si dhe vërehet që gjithmonë e më shumë po shmanget zbatimi i rregullave gramatikore, që e bëjnë gjuhën shqipe të rregullt në drejtshkrim dhe të kuptueshme në vokalofoni. Një tjetër arsye se pse ndodh ky deformim, ka të bëjë më faktin se pavarësisht se ka një bum informacioni, njerëzit kanë shumë mënyra për t’u informuar, ata zgjedhin mënyrën më të shkurtër, e cila jo gjithmonë është ajo e duhura dhe e sakta. Dhe si rrjedhojë, kjo sjell varfëri në leksikun gjuhësor të folësit.

Ndikon shoqëria maskiliste në komunikim?

Për mua personalisht nuk ndikon.

Çfarë e bën komunikimin efikas?

Komunikimin efikas e bën komunikimi i lirë, i cili shkon përtej të qenit thjesht një informacion. Komunikim efikas do të thotë të kuptosh njerëzit, të kuptosh besimet, vlerat, normat kulturore dhe sociale që përcaktojnë jetën e tyre. Komunikimin efikas e bën një dialogues, i cili është i duruar dhe dëgjon deri në fund, si dhe është i matur në dhënien e përgjigjeve. Tryeza në antropologjinë urbane dhe atë sociale është menduar si sheshbetejë e komunikimit në shoqëritë e industrializuara. Pra, komunikimin e bën efikas pranimi i mendimit të tjetrit, diskutimi i balancuar, tolerant dhe parimor.

Çfarë lipset të tjetërsojmë bashkë me tranzicionin në lëmin etiko-kulturor?

Idealja nuk arrihet asnjëherë, por gjithmonë synohet të, arrihet diçka më e mirë se ajo ekzistuesja. E njëjta gjë vlen edhe për shoqëritë. Forma më e mirë për të arritur nivelet e larta dhe komunikimin cilësor është dhënia e vendit të duhur në sistemin arsimor shqiptar të gjuhës shqipe dhe zhvillimin e kurrikulës së saj.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top