Në fokus

April 12, 2017 | 10:49

Roza Anagnosti rrëfen para studentëve të Luarasit rrugëtimin e jetës së saj, si grua, nënë e artiste…

Nga Ani Jaupaj

Pas 50 vitesh martesë është e kuptueshme që njëri prej partnerëve të çiftit nuk mund të kuptohet pa tjetrin. Dhimitër dhe Roza Anagnosti shkojnë kudo bashkë, pavarësisht qëllimit të takimit. Dje në Universitetin “Luarasi” e ftuara e nderit ishte Roza, por nuk mund të mungonte as bashkëshorti i saj. E ftuar për të folur për përvojat e saj të hershme, jetën e mandej sukseset e njëpasnjëshme kinematografike, Roza tregoi për etapa të ndryshme të jetës, edhe atëherë kur puna nuk shkonte vaj, për të dhënë shembullin e një kohe që nuk ishte asnjëherë e lehtë. Megjithatë, duket se ajo nuk do të kujtojë asnjëherë momentet kur puna apo jeta ka pasur vështirësi, duke dashur gjithnjë të shohë përpara.

roza

“Emocionet e para i kam përjetuar në qytetin e Shkodrës. Kam qenë kudo e pranishme atje, në takimin e parë të pionierëve, në operën e parë, në shfaqen e parë të estradës e me radhë… Më pas, krahas teatrit, më zbuluan edhe për filmin dhe kështu u bëra pjesë e filmit ‘Murgeshat’. Erdhën në gjimnaz dhe më përzgjodhën. Duke pasur edhe talentin, por edhe duke punuar në vazhdimësi, ia del. Ne jetuam në një kohë që nuk e zgjodhëm vetë. Në çdo kohë njeriu bën jetën e tij si mundet. Fat i madh ishte që në kohën time u njoha me Dhimitrin dhe në fund të filmit ne u fejuam”, tregon Roza. Me kaq kuptohet që jeta e saj profesionale u bë pak më e lehtë.

DASHURIA DHE LIDHJA ME DHIMITRIN

Vendet ku do të lindnin dashuritë e reja, nuk ishin aq të shumta. Në pjesën më të madhe të rasteve ishte puna ajo që i bënte bashkë partnerët. Edhe Roza Anagnosti me Dhimitrin janë njohur pikërisht në sheshxhirim, kur Dhimitri ishte ende operator i filmit “Toka jonë”.

“Ishte një dashuri përmes punës, por ishte shumë e pastër. Kohët sot janë të tjera. Edhe ju jeni të pastër, por ishte ndryshe atëherë. Çdo kohë ka pasionin e vet, dramën e vet… Dhimitri ishte fat për mua sepse ishim të dy të një profesioni. Ndoshta, një ekonomist nuk do të më kishte kuptuar kështu. Më pas, unë vazhdova karrierën time, Dhimitri të vetën. Me një bashkëpunim e mirëkuptim, duke shfrytëzuar kohën në mënyrë të përsosur, lindëm e rritëm vajzat pa i lënë t’u mungonte gjë. Unë mësova të qep, të thur triko, të bëja gjithçka vetë… Pastaj, kënaqësia më e madhe ishte kur dilja në skenë, depërtoja në zemrën e sytë e publikut me zërin tim… Unë sot jam në pazar dhe njerëzit më dëgjojnë zërin e kthejnë kokën menjëherë… Kjo është një kënaqësi e madhe. Mirëpo, artisti nuk është thjesht aktor, ai ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Nëse ai është në piedestal, atëherë duhet të jetë në gjendje edhe ta ruajë vendin që ka fituar. Duhet të përpiqet vazhdimisht që të mos e zhgënjejë publikun”.

Këtë përpjekje Roza nuk e bën vetëm sot që ka fituar emrin e saj, e bënte edhe kur ishte më e re. Përpiqej vazhdimisht jo vetëm për nivelin profesional, por edhe për pamjen. Kjo po që ishte një pikë në të cilën nuk binte dakord me regjisorin…

“Ne aktorët duam gjithnjë të dalim bukur, e kemi këtë ‘të metë’ dhe kjo ishte kontradikta me regjisorin, i cili insistonte të thoshte ‘Nuk ka nevojë… filmi të do të jesh shumë i vërtetë’, nuk mund të gënjesh në film. Ka filma në të cilët mund të jesh improvizues, por ka filma të tjerë, historikë, që duhet të studiosh e punosh shumë gjatë. Të njohësh historinë e kohës, problemet sociale të periudhës etj… Duhet të punosh me seriozitet për t’ia dalë. Fati ishte sigurisht që Anagnosti nuk më ka penguar, por më ka frymëzuar për punën time. Një meritë e madhe është edhe për fëmijët që më kanë dhënë kënaqësi pa fund dhe më kanë ndihmuar me personalitetin dhe formimin që kanë arritur”.

Të gjithë njerëzit e fushës po flasin sot për censurimin e filmave shqiptarë të realizuar në komunizëm. Cili është qëndrimi juaj?

Nuk do të më pëlqente të bëhesha pjesë e polemikave, por unë nuk jam për ndalimin e filmave sepse jemi në demokraci dhe nuk ka asnjë kuptim të ndodhë diçka e tillë sot. Si mund të sillemi njësoj si dikur, sërish duke censuruar? Unë jam për rregull, le të ketë një përzgjedhje artistike nëse është e nevojshme. Nëse një film nuk është ushqimi i mirë e i duhur, le të rishihet, por sot ka aq shumë mënyra për të shkuar tek ata filma nëse do. Megjithatë, unë jam artiste dhe dua të ngelem e tillë, nuk dua të thellohem në këtë çështje që nuk mendoj se më takojnë mua. Nga ana tjetër, jam e bindur që të rinjtë sot dinë ta bëjnë mirë dallimin mes gjërave që janë për t’u marrë shembull dhe atyre që nuk i duhen shoqërisë. Ne jetuam në një kohë që nuk e zgjodhëm vetë, në atë kohë na solli Zoti dhe prindërit tanë. Le të bëhen diskutime me historianë e profesionistë për të gjetur zgjidhjen e duhur. Për ata heronj që ka ngjarje të bukura, që historia duhet t’i tregojë, le të bëjnë vepra të reja, ajo është zgjidhja për mua. Historia le t’i vërë gjërat në vend përmes artit. Ne kemi ndikim në shoqëri, kështu që le të zgjedhin këtë mënyrë për të thënë të vërtetën. Në asnjë rast nuk jam për mbylljen e shtigjeve, le të jenë të hapura”.

A ka pasur momente të bukura, edhe pse jetuat në një kohë që nuk e zgjodhët?

Ka shumë momente të bukura, nuk mund të jetë vetëm një në kaq shumë vite. Kohët e para, rolet e para, gëzimet e para, ato të japin kënaqësi që ende i kujtoj. Roli i Norës, për shembull, më ka lënë mbresa të veçanta. Nga ana tjetër, ardhja në Tiranë, jeta e re e këtushme, që ishte e gjitha për t’u zbuluar, nuk harrohen. Filmi ka ndikuar mjaft, ai të bën menjëherë të dashur për publikun dhe kur filloi lufta e klasave, unë tashmë isha kthyer në personazh të dashur dhe nuk ishte e lehtë të më mënjanonin.

Për shkak të profesionit, ju ka ndodhur shpesh që të mungoni në shtëpi, bashkë me bashkëshortin, për orë o ditë të tëra? Sa e vështirë ishte në atë kohë t’i bëje mirë të dyja gjërat, edhe profesionin, edhe zonjën e shtëpisë?

Këtë e them dhe insistoj fort që të rinjtë të mos e shpërfillin, pa mirëkuptim, pa organizim, në mënyrë që gjithsecili të bënte punën e vet në familje, edhe vajzat e vogla, nuk do të arrihej gjë. Sigurisht që kishte edhe disa momente më të vështira se të tjerët. Kuptohet që kur niste Dhimitri një film të ri, të gjithë ne duhet të krijonim atmosferën e duhur që të ishte i qetë për gjithçka. Në film duhet të jesh i gatshëm në çdo moment dhe ne e kemi mirëkuptuar në këtë pikë. Është lodhje mendore e madhe, arti është pa kohë dhe ai duhet të kishte atmosferë të mirë pune edhe në shtëpi.

“Arti ishte propagandistik, përpiqesha të shmangesha”

1

Regjisori Dhimitër Anagnosti nuk mund të përjashtohej nga pyetjet, edhe pse e ftuara e nderit dje ishte e shoqja. Fjalëpakë, si gjithnjë, ai nuk mund ta linte pa përgjigje interesin për censurën e filmave.

Ju jeni nga regjisorët më aktivë të periudhës së komunizmit. Ç’mendoni sot kur diskutohet për ndalimin e filmave që keni realizuar?

Ky është një problem që nuk dua ta zgjas shumë, vlerat janë aty, nëse ti nuk do të shohësh një film fike televizorin. Ato janë krijimtaria e një kohë të caktuar dhe si të tilla duhen parë. Ato janë krijuar në një kohë kur shteti ishte monist dhe Partia e Punës thoshte qartë: Artistët janë ndihmës të partisë dhe duhet të ndikojnë te masat. Pra, arti ishte propagandistik dhe këtu nuk ka asgjë të re, e tillë ishte koha. E rëndësishme është që të përpiqeshe t’u shmangeshe “urdhrave” dhe të përpiqeshe të bëje gjëra që në një mënyrë ishin neutrale.

A e keni bërë ju këtë?

Unë kam punuar në Kinostudio një numër të madh filmash nga e kaluara, jo prej temës së ditës që ishte shumë e politizuar. Duke vepruar kështu, mbase nuk isha i plotësuar, por të paktën isha më i pastër me shikuesin. Filmi ka jetë të gjatë dhe duhet të mendoje për të nesërmen. Nëse filmi nuk përcjell vlera, nuk përcjell traditat e popullit, atëherë nuk ke bërë gjë! Unë e ndiej veten shumë mirë me atë që kam bërë, me atdheun tim e me historinë time. Ka gjithmonë për të rregulluar, për të sjellë vlera e për të kontribuar dhe për këtë shpresoj që fëmijët tanë të na vlerësojnë. Unë nuk e fshij me gomë historinë. Njerëzit që kanë vuajtur, që kanë qenë të persekutuar, që janë burgosur, kanë kaluar fatkeqësinë e tyre dhe kjo është sigurisht për të ardhur keq, por dy gjërat nuk lidhen njëra me tjetrën.

Regjisori: “Luarasi” është fat për vendin

Te Kolegji Universitar “Luarasi” nuk flitet vetëm për Drejtësi dhe Ekonomi, por edhe për art. Konceptuar si një mënyrë për të vendosur pika kontakti me të kaluarën, salla e të rinjve “Auditorium” e “Luarasit” hapi dje dyert për artisten e merituar dhe mjeshtren e madhe të punës, Roza Anagnosti. Në rrëfimin për rrugëtimin e jetës së saj, si grua, nënë e artiste, Anagnosti tha se një avokat apo jurist i mirë, e bën punën e tij shumë më të lehtë në rast se është sadopak artist.

“Ka shumë lidhje arti me drejtësinë, sepse çdo avokat interpreton. Edhe një njeri që ka talent brenda vetes, këtë punë e bën shumë më mirë, sepse mënyra se si e prezanton çështjen apo kazusin dhe se si e mbron atë, është shumë e rëndësishme”.

Në bashkëbisedimin e hapur me studentët e Universitetit, ikona e kinematografisë u ndal edhe në rolin e edukimit, duke vënë në dukje se një alternativë si “Luarasi” është fat për vendin.

“Portreti i një artisti është një libër i hapur, që komunikon me spektatorin nëpërmjet personazheve të tij edhe karaktereve të veçanta. Jeta e artistit ka bukurinë, vështirësinë. Po mendoj se kemi një fat të madh, që kemi këtë universitet të mrekullueshëm. Një universitet me dy shtylla: ekonomik dhe juridik. Njëri drejton shtetin dhe tjetri bën menaxhimin e tij. Janë jashtëzakonisht të rëndësishëm”.

Duke vlerësuar kontributin e figurave të tilla në shoqëri, rektori i Universitetit, Arben Malaj, tha se ato shërbejnë si model për të rinjtë e nuk vdesin kurrë.

“Këto janë personalitete që kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e shoqërisë. Dje, një shkrimtar tha se përherë politikanët mundet që të jenë edhe ish-ministra, ishguvernator, ndërsa këta kanë gjithmonë një titull. Nuk thuhet asnjëherë ‘ish-artist’”.

Leksioni i hapur i një dite më parë erdhi si konkretizim i bashkëpunimit të “Luarasit” e Fakultetit Ekonomik të Tiranës, i cili u hap rrugë të tjera projekteve me vlerë.

“Sot është një ditë e veçantë për ‘Luarasin”, sepse ne po materializojmë bashkëpunimin me partnerin tonë strategjik, që është Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës. Do ta kemi partner strategjik në pjesën akademike, në kërkimet shkencore, edhe në aktivitete të përbashkëta”, tha rektori Malaj.

Ndërsa dekani i Ekonomikut, Dhori Kule, vuri në dukje se vetëm artistët mund t’i paraprijnë një zhvillimi të shëndetshëm të shoqërisë.

“Brezi i ri ka nevojë që të ketë pika kontakti të vendosjes së ekuilibrave. Unë falënderoj çiftin Anagnosti për iniciativën, për çfarë kanë bërë, por edhe që do të bëjnë, sidomos për shoqërinë dhe për brezin e ri. Artistët janë ata që i paraprinë dhe që kanë vizione që të përcaktojnë dhe të hulumtojnë rrugëtimin e shëndetshëm, sidomos për të shkolluarit, që është një iniciativë shumë e mirë”.

Në leksionin e hapur për më shumë se një orë, artistja iu përgjigj me dashuri të gjitha pyetjeve të studentëve lidhur me vështirësitë e sfidat që e kanë shoqëruar në kohë, ku krah saj ka qenë gjithmonë bashkëshorti, regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti, i cili nuk e la vetëm as në aktivitet. Në fund, rektori Malaj i ftoi ata të jenë pjesë e një cikli leksionesh mbi “Artin e të folurit në publik”.

Burimi: Panorama

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top