Në fokus

April 12, 2017 | 10:38

Nga Afërdita Bano / “Truri i artë”, ura që lidh dhuntinë me talentin

Alphons Daudet, shkrimtar francez, tregon në një nga novelat e tij sesi një fëmijë lindi me një tru të artë, aq të rëndë e të madh sa mjekët menduan se ai nuk do të mund të mbijetonte. Por fëmija ia doli. Ai i kaloi parashikimet e mjekëve dhe jetonte i shëndetshëm pavarësisht peshës së trurit të tij. Askush nuk e dinte sekretin e tij, madje as prindërit e as ai vetë derisa një ditë u rrëzua dhe përplasi kokën në dysheme. Nga goditja e fortë e kafkës, u dëgjua një tingull metalik dhe vërshuan mbi dysheme grimca të  arta. Prindërit u munduan ta mbronin “thesarin” të tij. Kjo legjendë tregon se si ky fëmijë, tashmë i rritur, nuk arrin të përdorë si duhet potencialin e tij. Si fillim, ai do të vazhdojë të  derdhë flori gjithandej, më pas, i trembur nga mundësia për të humbur gjithçka do të tërhiqet dhe do të jetojë nën dyshim dhe frikë, e do të mundohet të harrojë atë pasuri që ai ka që nga lindja.

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Afërdita Bano, Msc. Psikologe Këshillimi

Historia ka një prolog negativ, ku djali  i rrëmbyer nga emocionet   do të ndërmarrë sjellje që do ta çojnë drejt  ezaurimit të  trurit e tij të artë. Nëpërmjet kësaj legjende mund të bëjmë një paralelizëm mes fëmijës me tru të artë dhe fëmijëve  të talentuar. Fëmijët e talentuar kanë mundësi të zhvillojnë potencialin e tyre, por njëkohësisht përballen me shumë pengesa dhe rreziqe nëse nuk mësojnë se si ta përdorin dhuntinë që kanë. Në legjendën e mësipërme, ajo që duket se e penalizon më shumë djalin janë emocionet e tij, të cilat kushtëzojnë sjelljen në mënyrë jo plotësisht të vetëdijshme. Njeriu me trurin e artë përfundon të vuajë nga ajo çka në fillim e lumturonte.

Prindërit e djalit në legjendë kuptojnë potencialin e tij kur ai rrëzohet, sepse ndonjëherë “thesari i fshehur” kuptohet pas rënieve, kritikave dhe pikërisht në këtë kohë, prindërit dhe mësuesit  duhet të tregohen vigjilent, duke i ardhur në ndihmë për mos e lënë të bjerë pre e çrregullimeve emocionale apo demotivimit. Një fëmijë i talentuar ka nevojë për ndihmë për të kuptuar aftësitë që ai ka, por në të njëjtën kohë brishtësinë e tij, pikërisht sepse një fëmijë i talentuar kalon si gjithë fëmijët e tjerë në të gjitha fazat emocionale ende të pazbuluara të moshës së tij.

femijet

Shpeshherë ndodh që prindërit dhe mësuesit të ngatërrojnë zhvillimin konjitiv me atë emocional të fëmijës. Këto zhvillime nuk ecin paralelisht dhe kërkojnë kohë të ndryshme. Është e rëndësishme që një fëmijë i talentuar të jetojë fëmijërinë e tij bashkë me moshatarët. Fëmijëria është edhe periudha e lojërave dhe e lirisë, sigurisht ka edhe detyrime shkollore, por disa fëmijë e kanë kapërcyer këtë stad dhe jetojnë jetën e një të rrituri, duke studiuar me orë të zgjatura, duke mos i lënë hapësirë argëtimit që është tipike për moshën.

Studimet tregojnë se një përqindje e konsiderueshme e popullsisë infantile përbëhet nga fëmijë me potencial mbi normën. Këta fëmijë, duke mos marrë informacionin  e duhur dhe rëndësinë e duhur nga prindërit dhe mësuesit, nuk arrijnë të krijojnë urën që lidh dhuntinë e lindur me talentin.

Shumë mendojnë se, inteligjenca shprehet me zhvillimin e kapacitetit nëpërmjet bërjes së llogaritjeve matematikore infinite, me njohjen e një vepre arti vetëm duke parë një fragment të saj apo duke mësuar përmendësh vargje e histori të gjata. Është e pamohueshme që aftësinë për të kryer ushtrime matematikore, memorien vizive etj., nuk e kanë të gjithë. Por asnjë nga këto kapacitete nuk tregon një inteligjencë superiore dhe as këto ushtrime nuk e zhvillojnë atw, sidomos te fëmijët.

femija1

Inteligjenca është rezultat i variablave të panumërt sipas E.Wechsler. Nuk është një aftësi e veçantë, por një kapacitet global, që në një mënyrë ose në një tjetër, e lejon njeriun të kuptojë botën dhe të përballojë sfidat. Inteligjenca është në funksion të gjithë personalitetit dhe është shumë e ndjeshme ndaj faktorëve të tjerë. Në fakt, termi inteligjencë përcakton një sjellje që secili nga ne ka që nga lindja dhe sipas kushteve sociale mund ta zhvillojë ose jo. Pikërisht, për këtë arsye inteligjenca nuk duhet vendosur në kafaz, por duhet ushqyer tek të gjithë fëmijët dhe duhet njohur kur është mbi normën te disa. Prindërit dhe mësuesit kanë përgjegjësinë të spikasin fëmijët me dhunti të veçanta dhe t’i ndihmojnë  ata të ndjehen të kuptuar nga bashkëmoshatarët dhe gjithashtu, t’i drejtojnë drejt zhvillimit të mëtejshëm të potencialit të tyre.

femije

Disa këshilla për prindërit në mënyrë që të mundësojnë zhvillimin e potencialit të fëmijëve:

Tregoni vëmendje në tiparet e personalitetit të fëmijës suaj dhe stilit prindëror që aplikoni.

Është i rëndësishëm përqendrimi në aspektet pozitive të sjelljes së fëmijës.

Disiplina nuk duhet të konsistojë vetëm në pengesa.

Fëmijët duhet të kenë përgjegjësi të përshtatshme për moshën e tyre.

Rregullat duhet  të jenë të pakta, të arsyetuara dhe të aplikuara korrektësisht.

Për të evituar stresin, fëmija duhet të ndihet mirë fizikisht dhe të mësojë të menaxhojë kohën pa ndjerë presionin e detyrave.

Zhvilloni kreativitetin e fëmijës suaj nëpërmjet krijimit të ambientit të përshtatshëm për natyrën e talentit që ai ka.

Ndihmojeni fëmijën tuaj të zhvillojë mendimin kritik dhe të zgjidhë probleme të jetës së përditshme.

Shmangni  krahasimin e fëmijës tuaj me fëmijë të tjerë.

Shmangni insistimin se ka vetëm një “zgjidhje të drejtë” për zgjidhjen e situatave. Kjo do të ulë te  fëmija aftësinë për të kërkuar zgjidhje të reja.

Lejojeni fëmijën tuaj të ëndërrojë dhe mos etiketoni si pa vlerë fluturimet  e tij të fantazisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top