Dëshmi

December 13, 2021 | 13:37

Rrëfimi plot sinqeritet i Ermal Metës: Nuk doja të bëhesha baba sepse kisha frikë të bëhesha si im atë

Ermal Meta, artisti shqiptar i famshëm në Itali, ka folur për veten në episodin e Verissimo i cili u transmetua të shtunën e 11 dhjetorit.

Ermal-Meta1-1200x628

Artisti foli për historinë e tij, dëshirën për t’u bërë një ditë baba dhe sa i shenjtë është normaliteti për të. Silvia Toffanin, e cila filloi të gjurmonte historikun e 40 viteve të tij të para të jetës, dëgjoi nga Meta një histori sa të bukur aq edhe të vështirë.

 “Jam në të dyzetat. Ndihem mirë. Ishte një rrugëtim i bukur, por sigurisht edhe i vështirë. Në muzikë publiku shikon vetëm atë që bëj në skenë, por pas saj ka shumë gjëra që nuk duken. Për të shkruar duhet të shkatërrohesh brenda dhe ndonjëherë e lëndon shumë veten. Këngët janë lule kur dalin, por shpeshherë rrënjët e tyre janë shumë të hidhura. Nuk mund t’i shohësh, por të dhembin. Ti jeton me to, të bëjnë më të fortë. Kur vendos të bëhesh muzikant vendos të “hapësh totalisht veten”. Nuk e kuptova që duhej të ishte kështu deri para disa vitesh. Pyesja veten: “Pse askush nuk më bën rradhë? Ndoshta nuk ia vlen ose ndoshta nuk po jap dicka që vlen.” Mendova se duhet t’u japësh njerëzve diçka të vërtetë. Kur ia heq vetes për t’ia dhënë dikujt tjetër, domosdoshmërisht dhemb. Fillova të gris copa nga vetja. Edhe njerëzit më donin, por gjithçka ka një kosto”.

ERMALMETA

Ermal Meta nuk e ka fshehur asnjëherë se kishte një baba të dhunshëm, me të cilin shkëputi të gjitha marrëdhëniet në vitin 1990. Artisti shpjegoi se për një kohë të gjatë ishte i bindur se nuk donte të bënte fëmijë, pikërisht sepse ishte ndikuar nga marrëdhënia dramatike që ka pasur me babain e tij:

“Kam menduar për një kohë të gjatë që nuk doja të bëhesha baba. Nuk doja kurrë të rrezikoja që një fëmijë të mendojë për mua, atë që kam menduar gjithmonë për babain tim. Kisha shumë frikë nga kjo gjë. Tani…diçka brenda meje ka ndryshuar. Do t’ju thoja që po, do ta bëja, por kur nuk e di.”

Ndër të tjera ai foli edhe për periudhën e vështirë të pandemisë dhe mënyrën sesi kuptoi vlerat e normalitetit, që në të kaluarën, para pandemisë, sipas tij shoqërohej me mediokritet: “Po pres të rifilloj të jetoj plotësisht. Po flas për koncerte, takime me fansat, pra e kam fjalën të bëj aktivitetin më të dashur për mua, koncertet. Por flas edhe për përditshmërinë, atë që nuk e kishim kuptuar dikur: normalitetin”.

Ai përfundoi duke thënë:

“Kur e humbëm, të gjithë e kuptuam se normaliteti është një gjë vërtet e çmuar, fillimisht përdorëm termin normal për të përcaktuar një gjë mediokre. Në fakt, atëherë kuptuam që normaliteti është një gjë e shenjtë, sepse ju lejon të riorganizoni çdo ditë veten , për të zgjedhur atë që është e duhura për ju. Me shumë përpjekje dhe shpresë, ne presim vitin e ardhshëm dhe shpresojmë të pushtojmë këtë normalitet të shumëdëshiruar”.

 

 

Burimi / PanoramaOnline

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top