*Elona Çollaku, psikologe
Çdo ditë shohim fotot e personazheve publike, të njohurve tanë, madje dhe tonat gjithmonë e më shumë të modifikuara me anë të programeve të ndryshme për të perfeksionuar imazhin që do të shohin të tjerët. Studimet në lidhje me këtë çështje rezultojnë se përdorimi i programeve të bukurisë priren të kenë një ndikim negativ në shëndetin mendor.
Në përgjithësi, të rinjtë me vetëbesim më të ulët dhe imazh më të dobët të trupit, i përdorin më shumë filtrat dhe në këtë mënyrë ata përforcojnë akoma më shumë mendimin se pamja e tyre nuk është ajo që ata do të dëshironin më së shumti. Kjo ndjenjë fillon shumë herët, rreth moshës 13-vjeçare.
Krahasimi i vazhdueshëm i fotos reale me atë të modifikuar shkakton një burim vuajtjesh dhe ulje të imazhit pozitiv të trupit dhe vetëvlerësimit të dikujt.
Krahasimi social dhe filtrat e bukurisë mund t’i bëjnë përdoruesit të përpiqen për standarde joreale të bukurisë. Si rezultat, të rinjtë mund të përjetojnë një shkëputje midis pamjes së tyre dhe imazheve të modifikuara që ndajnë me botën. Ky është një lloj specifik i vetë-objektivizimit që mund të çojë edhe në kushte serioze të shëndetit mendor si çrregullimi dismorfik i trupit (besimi se një person ka një defekt fizik, që në të vërtetë është imagjinar, pasi pamja e tyre është normale).
Por mund të jetë shumë sfiduese mospërdorimi i këtyre filtrave të bukurisë në një botë ku gjykohemi vazhdimisht për pamjen e jashtme dhe pyetja që shtrohet është: a mund të ketë mënyra që t’i përdorim këta filtra por pa ndikuar negativisht në shëndetin tonë mendor?
Po, ekzistojnë disa të listuara më poshtë:
1-Përdorni selfie-t me kujdes
Vini re sa kohë shpenzoni duke modifikuar dhe postuar dhe si ju bën të ndiheni pasi e keni bërë postimin.
2-Merrni parasysh mesazhet që po i dërgoni vetes
Ju mund të pyesni veten se sa kënaqësi merrni nga pëlqimet dhe komentet nëse imazhi që përfaqësoni nuk është vërtet ai që jeni. Nëse imazhi ynë në internet devijon shumë nga pamja jonë aktuale, ne mund të jemi të kujdesshëm për të takuar njerëz personalisht. Kështu, përdorimi i filtrave të bukurisë mund të rrisë ankthin social dhe të kontribuojë në ndjenjat e izolimit social.
3-Konsideroni aktivitete alternative sociale
Reduktoni kohën që shpenzoni duke postuar selfie, në këtë mënyrë do keni më tepër kohë për aktivitete të tjera. Studimet tregojnë se takimet reale, balle përballë rrisin lumturinë dhe mirëqenien shumë më tepër sesa ato në internet.
4-Përqafoni veten tuaj autentike
Mos harroni se ato që ne i shohim si të metat tona janë pjesë e asaj që na bën interesant, të sinqertë dhe të lidhur me të tjerët. Ju mund të praktikoni dhembshurinë për veten duke pranuar dhe vlerësuar veten për të gjitha cilësitë tuaja. Provoni Meditimin e Pasqyrave për të ndërtuar një marrëdhënie të kujdesshme dhe mbështetëse me veten tuaj. Duke parë imazhin tuaj të pafiltruar për 10 minuta çdo ditë, do të ndiheni më të qetë me veten ashtu siç jeni dhe do të jeni më të qetë duke lejuar që vetja juaj autentike të shihet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.