Psikofakt

November 23, 2020 | 8:35

Rrjetet sociale po na e “vjedhin” kohën dhe ne të gjithë quhemi “përdorues”

 

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

Ambra Hysa, diplomuar për “Financë”, e apasionuar pas letërsisë, psikologjisë, duke sjellë herë pas here reflektime të sajat.

A po i përdorim ne ata në shërbimin tonë apo po na përdorin këta të fundit në shërbim të tyre?

Në kohën e rrjeteve sociale, shumë natyrshëm e humbim kohën. Rrjetet sociale e bëjnë këtë kaq të lehtë. E marr telefonin të kontrolloj diçka “për një minutë”, dhe kur e ngre kokën, mahnitem kur e kuptoj se kanë kaluar 45 minuta.

Rrjetet sociale janë të dizenjuara për të krijuar varësi. Është përjetim stimulues dhe shpërblyes. Kështu që, ne vazhdojmë të rrotullojmë. Pa e menduar, dhe shpesh, me shumë qejf. Dhe gjëra të reja shfaqen vazhdimisht aty, si me magji. Sytë tanë të ngjitur në ekran dhe koha që kalon pa e vërejtur. Mundësitë kalojnë, pa i vënë re. E gjithë jeta jonë parakalon e neglizhuar, përpara syve tanë.

Fëmijët tanë të vegjël na shohin me admirim. Sytë e tyre të fokusuar tek ne, ashtu siç janë sytë tanë të fokusuar në ekran.

Çfarë dimë për kohën? Që është flori dhe që duhet ta menaxhojmë më së miri, por koha po humbet vrullshëm, pa cilësi, nëse nuk kanalizohet siç duhet, sidomos në rrjetet sociale.

Jetojmë në epokën e internetit dhe personalisht e konsideroj këtë një mrekulli, mundësinë e artë të të gjitha kohërave, por çdo mundësi mund të humbet pa u vënë re nëse “bie” në duart e gabuara.

Është e rëndësishme që kohën ta shpenzojmë në mënyrë cilësore, të jemi selektivë dhe të vëmendshëm kur lundrojmë në internet.

Koha është para, koha është vlerë, koha është e vetmja gjë që nuk kthehet pas… dhe rrjetet sociale po na e rrëmbejnë atë me shumicë.

Sigurisht që njerëzit kanë krijuar një lloj varësie ndaj tyre, por a po i shërben kjo në aspektin profesional dhe atë personal?

Tre miliardë njerëz kontrollojnë telefonin të paktën 30 herë në ditë. Kjo tregon se rreth gjysmë milionë njerëz shkëmbejnë mesazhe dhe dërgojnë foto në minutë. Tashmë jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve që vite më parë dukeshin të paarritshme. Psikologët kanë ngritur prej kohësh alarmin mbi ndikimin në shëndetin mendor që shkakton varësia prej rrjeteve sociale. Kontrolli i shpeshtë i telefonit rrezikon të shkaktojë një efekte të dëmshme dhe të pariparueshme të shëndetit mendor.

Një studim i botuar në American Journal of Preventive Medicine vitin e kaluar ka anketuar 7,000  njerëz dhe ka treguar, se ata që shpenzojnë më shumë kohë në rrjetet  sociale janë më të prirur drejt vetmisë.

A i përdorim rrjetet sociale për të lartësuar veten apo po zvogëlohemi çdo ditë dhe më shumë duke humbur çdo mundësi të jetës reale dhe duke qenë të zhytur thellë virtualisht?

Është koha të ndalemi dhe të mendojmë…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top