Perceptim
A e keni parasysh atë fishkëllimën në shpirt që si lule e padukshme kërkon të hedhë rrënjë në tokën e premtuar. Apo atë shkulmën e ngulitur që buron tronditës në dejet apo gjakun e trazuar. Kjo është grishja e vërtetë e një vdekatari. Sepse çdo herë kërkon me ngulm atë forcën e fshehur që do të donte nga miqtë, nga të dashurit, atë injektim shpirtëror të përditshëm.
E gjitha kjo na trishton kur nga ana tjetër shoqëria, i dashuri apo e dashura hesht, kur tipi i njeriut hesht përballë një fakti një zilie apo xhelozie të fshehur. Në fund të fundit duhet të pranojmë se ka njerëz që na duan shumë, janë të ndrojtur në karakter, por që besojnë se uji i lumenjve është i destinuar të rrjedhë aty ku ka ujë të pastër, në atë stacion që ata vetë besojnë se çdo gjë do kristalizohet brenda ujit që zjen në shtratin e vet. Ashtu siç mund të themi se gurët aty në fund trazohen, grishen me njëri-tjetrin dhe uturijnë gjithmonë brenda, duke krijuar imazhin në sipërfaqje të gurëve të palëvizshëm që nuk flasin kurrë.
Ka njerëz që i tremb heshtja,u krijon një pasiguri, një shpërfillje nga i dashuri, ashtu siç ka disa që e humbasin kontrollin duke humbur hapësirën për vetveten. Heshtja për mua flet dhe me sy, zjen brenda, qan nga malli. Kjo është mikluese, një nyjë në stomak që lë shenja në psikoanalizën për vetveten. Në jetë më pëlqen të jem selektive, aty ku fjala dhe heshtja duhet të jenë bashkëudhëtare, çelësi i disponueshëm për të gjetur ekskluzivitetin e jetës së lumtur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.