“Njohja e vetes është fillimi i gjithë mençurisë”, shprehej Aristoteli 2300 vjet më parë, por nuk ekziston njeri deri tani që të deklarojë: – Unë e njoh veten plotësisht! Dhe ata që e thonë, thjesht gënjejnë veten. Ky moment nuk ndodh kurrë për askënd, përveç 40 ditë pas vdekjes, siç thotë një shprehje e jona. Pse ndodh kjo?
Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike
Të njohësh veten do të thotë të respektosh pikat e forta dhe të dobëta, të pasioneve dhe frikës, të dëshirave dhe ëndrrave, të mendimeve dhe ndjenjave, të pëlqimeve dhe mospëlqimeve, të tolerancave dhe kufizimeve të tua. Deri këtu duket e thjeshtë dhe e realizueshme, por problemi vjen duke u komplikuar kur flasim për realizimin e kësaj njohjeje të Vetes.
Ne e njohim veten përmes të tjerëve dhe introspeksionit të brendshëm që zhvillohet vazhdimisht. Na thonë “je e bukur” e mendojmë se jemi të bukur. Na thonë “je inteligjent” e besojmë se jemi të tillë. Por sa të vërteta kanë pohimet e të tjerëve?
Me rritjen tonë arrijmë të kuptojmë më shumë për veten, duke parë pjesë-pjesë disa të vërteta që vetëm ne i dimë, por sërisht vlerësimi i të tjerëve mbetet barometri kryesor.
Po ne vetë a gabojmë në njohjen e vetes?
Kufizimet njohëse si p.sh, kujtesa e keqe që shtrembëron informacionin, tendenca për të mbuluar çdo vlerësim të keq që marrim, të qënit tepër kritik apo prirja e të parit të gotës gjysëm plot apo bosh… të gjitha këto kufizime emocionale e mendore çojnë në pengim të njohjes reale të vetes dhe të të tjerëve.
Njerëzit këshillohen prej kohësh të “njohin veten”, por studimet sugjerojnë se ne mund të mos e njohim veten aq mirë sa mendojmë se e njohim.
Ndërsa individët mund të jenë më të saktë në vlerësimin e tipareve të tyre të brendshme neurotike, të tilla si ankthi, duket se miqtë, madje edhe të huajt, janë shpesh njohës më të mirë të tipareve të tilla si inteligjenca, kreativiteti dhe ekstroversioni.
Vetja është më e mirë për të gjykuar inteligjencën e miqve sesa të vetën sepse nuk është aq kërcënuese për ne të pranojmë se miqtë tanë nuk janë të shkëlqyer, por është më kërcënuese t’i pranojmë vetes se nuk jemi të shkëlqyer.
Shihemi në pasqyrë gjatë gjithë kohës, por kjo nuk është njësoj si të shohim një foto të dikujt tjetër. Pasi shihemi në pasqyrë për pesë minuta mund të jemi ende duke pyetur veten, “a jam tërheqës apo jo?”… e vazhdojmë të mos e kemi të qartë idenë. Ndërkohë për të tjerët e japim direkt të sigurt mendimin.
Nuk është rasti për të supozuar se jemi të gjithë të bukur, por për disa tipare të personalitetit tonë ne e humbasim disi sepse shohim mendimet, ndjenjat tona, duke injoruar sjelljet që vetëm të tjerët i shohin kur i kemi ekzekutuar.
Eksperimentet sugjerojnë se vlerësimet e të tjerëve për një individ shpesh mund të jenë shumë të papërshtatshme me vetëvlerësimin e atij personi. Vlerësimet e personit të tretë mund të jenë të vështira për t’u gëlltitur, si ilaç i hidhur, pavarësisht se janë të vlefshme për të njohur pjesë të vetes se si jemi të pallogaritshëm, të vegjël, apo të prirur për të ulur të tjerët, të pandjeshëm e plot difekte që nuk duam t’i pranojmë tek vetja.
Zhvillimi i aftësive empatike lejon të shohësh veten përmes syve të tjetrit. Empatia, duke ditur se si t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i një personi tjetër, nuk është e garantuar, por shpesh është e përshtatshme për të na lejuar të shohim veten në mënyra më efektive.
Empatia me të tjerët që na njohin, mund të ndihmojë për të kuptuar pse ata ndonjëherë na shohin kontrollues, të turpshëm apo të shpejtë për të gjykuar.
Pyesni veten apo dikë: Pse zgjodhe atë shtëpi? Apo, pse u martove me atë person? Pse shkove në atë universitet? Njerëzit dhe vetja do sajojnë një histori të besueshme, por që në të vërtetë ata dhe ti nuk e keni idenë pse zgjodhët atë që bëtë dhe bëni.
Ne kemi një Vete të vetëdijshme dhe zërin në kokën tonë, por kjo Vete ka pak akses në pjesët e trurit, që janë burimet aktuale të gjykimit, zgjidhjes së problemeve dhe emocioneve. Ne e dimë se çfarë ndjejmë, por nuk dimë si dhe pse arritëm atje.
Zakonisht ne nuk duam të pranojmë se sa pak dimë për veten tonë, kështu që krijojmë një histori që na bën të ndjehemi mirë e të mos gjykohemi keq nga të tjerët.
Nuk e dimë pse bëjmë atë që bëjmë, pse ndjejmë atë që ndjejmë. Ngatërrojmë ca fjalë kur teorizojmë se përse jemi të dëshpëruar, ngatërrohemi kur justifikojmë bindjet tona morale e kur shpjegojmë pse një pjesë muzikore apo një libër, një film na prek.
Pa dyshim që këto pohime nuk i pëlqejnë askujt t’i lexojë, sepse gjithkujt nga ne i pëlqen të mendojë se po jeton jetën për arsye që i di dhe i kupton. Në fakt kujt do t’i pëlqente ta shihte veten si një buratin i komanduar nga fijet neurale?
Por shpjegimet tona për sjelljen tonë mund të jenë o të gabuara ose egoiste. Një djalë mund të mendojë se dështon në marrëdhënie, sepse nuk e kapërceu kurrë faktin e asaj vajzës që e la në universitet, por mund të ndodhë që ai thjesht ka një shkallë të lartë neurotizmi për të cilin nuk është trajtuar kurrë.
Sot, padiskutim që ka përparime të jashtëzakonshme në kuptimin e rrënjëve të sjelljes njerëzore: Frika nga intimiteti dhe prirja për t’u shmangur emocionalisht e merr përgjigjen me teorinë e atashimit në fëmijëri, ku modeli i mësuar i lidhjes ndikon në marrëdhëniet tona sot.
Por njohja e vetvetes duket të jetë një komponent kompleks e i rëndësishëm i mirëqenies tonë kështu që merr vlerë pyetja: Si mund ta përmirësojmë të kuptuarit tonë për veten?
Strategjia më e mirë duket të jetë kapërcimi i barrierave informative dhe motivuese që na pengojnë të njohim veten.
“Më duket se fillimi i urtësisë të çdo lloji, duke përfshirë njohjen e vetvetes, është njohja e dobësisë së besimeve tona dhe e pamjaftueshmërisë së njohurive tona.”- Mitchell S. Green
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.