Mirëqenie

November 25, 2020 | 8:30

Sekreti i vërtetë për të qenë të lumtur

Na bëjnë të besojmë se për të qenë të lumtur duhet të qëndrojmë në një mendje me botën, njerëzit, masën. Me pak fjalë, të qëndrojmë në kohën e konsumizmit. Përkundrazi, është zbuluar se sekreti i lumturisë së vërtetë është përvoja, dhe jo të mirat materiale.

Jeta në shekullin XXI është një përvojë frenetike, e orientuar nga konsumizmi, në të cilën mediat që na rrethojnë, forcojnë idenë se për të qenë të lumtur duhet të blejmë: shtëpinë perfekte, të ngasim makinën më të mirë, të veshim teshat e modës së lartë dhe të përditësojmë publikimet në statuset e rrjeteve sociale që disponojmë në aparatet më të fundit të teknologjisë. Pra, gjithçka shohim, TV, gazeta, reklama, jemi të rrethuar nga i njëjti mesazh: “PËRFITO, PËRFITO, PËRFITO rrugën tënde drejt lumturisë!”.

Ndërsa blerja e një mjeti të ri ose makine për herë të parë, mund të jetë e kënaqshme ose elektrizuese për pak kohë, emocioni gjithmonë shkon larg dhe ne e gjejmë veten në të njëjtën situatë sërish: në kërkim të diçkaje tjetër, për të përfituar dhe zgjatur ndjenjën e lumturisë. Dhe ja, ndryshojmë makinën kur ajo që kemi është akoma e re, blejmë një celular të ri, kur i vjetri është akoma në gjendje pune, blejmë këpucë dhe tesha të reja kur veshjet tona janë plot e gardëroba gati po thyhet. Biznesi gjithashtu luan me psikologjinë e njerëzve, dhe kërkimi i ndjenjës së lumturisë është padyshim një faktor përcaktues për tregun botëror.

T’i bësh njerëzit të besojnë se për të qenë të lumtur duhet të blesh të mira materiale, është baza e propagandës reklamuese, por nuk është aspak e tillë. Studimet e fundit nga Universiteti Shtetëror i San Franciskos kanë zbuluar se njerëzit shpenzojnë për përvojat sesa për nevojat materiale, janë më të lumtur dhe mendojnë se paratë janë shpenzuar më mirë. Studiuesit qëmtuan se si njerëzit mund t’i orientonin paratë për t’u bërë më të lumtur. Hipoteza ishte se shpenzimi i parave për të mira materiale do të rriste lumturinë, sepse materia zgjat më shumë sesa një përvojë, dhe në fakt është saktësisht e kundërta.

Emocioni i të përfituarit nga blerjet zbehet shpejt, ndërsa kënaqësia dhe kujtimi i përvojave, nga aventurat epike deri tek takimet e vogla, mund të zgjasin një jetë. Më poshtë po ju rendisim disa arsye se pse të udhëtosh dhe të bësh përvoja të reja ju bën shumë herë më të lumtur sesa të shpenzosh për të mira materiale. Lumturia në objektet materiale zbehet shpejt. Blejmë gjëra për të na bërë të lumtur dhe ia dalim. Por ama vetëm për pak kohë.

Në fillim, gjërat e reja na entuziazmojnë, ndërsa më pas u përshtatemi ne atyre. Të emocionuarit pas makinës së re, celularit apo mobilieve, do të zbehet shpejt kur ato objekte bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme. Përkundrazi, përvoja të tilla si udhëtimi, pjesëmarrja në një ekspozitë arti apo një restorant i ri, bëhen pjesë e identitetit tonë, gjë që na jep kënaqësi më të madhe. Përvojat tona janë një pjesë mëe madhe e vetvetes sesa të mirat materiale.

Mund t’i vlerësoni me të vërtetë gjërat tuaja materiale. Mund të mendoni gjithashtu se një pjesë e identitetit tuaj është e lidhur me to, por prapë ato mbeten të ndara nga ju. Përkundrazi, përvojat tuaja janë vërtet pjesë e juaja. Ne jemi shuma e përvojave tona. Përvoja si udhëtimi përcaktojnë qëllimin dhe pasionet. Aktivitetet tuaja të përditshme duhet të udhëhiqen dhe ndikohen nga qëllimi dhe pasionet tuaja, jo nga pasuritë materiale. Për t’ju dhënë një shembull. Supozojmë se muzikanti juaj i preferuar është Vasco Rossi.

Edhe nëse i keni të gjitha albumet e tij dhe disa sende si këmisha apo postera, a keni nevojë për të gjitha këto për ta parë atë në koncert? Ndoshta jo. Në fakt, nëse dikush do t’ju ofronte një biletë në rreshtin e parë për ta parë live në këmbim të të gjitha kujtimeve nga Vasco, ju me siguri do ta pranonit ofertën e dytë. Përvojat forcojnë marrëdhëniet shoqërore. T’i përshkruash një miku për shembull, makinën tënde të re, nuk i intereson, pasi është një pasuri materiale dhe informacioni mund të gjendet kudo.

Përvojat në fakt janë unike. Grumbullimi i tyre rifreskon kujtimet dhe ngjall interes më të madh. Një përvojë, një udhëtim, një aventurë nuk e harron kurrë, një makinë e ke harruar tashmë, pasi ke blerë një të re.

 

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 152

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top