Në fokus

August 27, 2016 | 6:45

Seks edhe pas të 50-ve

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Gjatë një bisede që pata me një mashkull që thoshte se: rreth të 45-ve një mashkull është në kulmin e tij, ka financa, ka bërë karrierë, ka status, është në kulmin e pjekurisë seksuale… e kështu me radhë, ndërsa një femër ka mbaruar, ka rënë dhe është gati t’i fillojë menopauza. Dhe unë i përgjigjem publikisht këtij mashkulli dhe shumë të tjerëve si ky se: nuk është e vërtetë asgjë nga këto. Sot femrat kanë ndryshuar dhe e kanë kuptuar më së miri qenien e tyre, pushtetin, dëshirat, forcën, potencialin dhe për më tepër trupin dhe kënaqësitë e tyre.

Seksi gjatë të 50-tave është i fuqishëm, mjafton të largojmë tabunë se “tani nuk ia vlen më”. Në ditët e sotme femrat janë ato që kanë marrë në dorë drejtimin e shumë aspekteve të jetës, kështu që ndihen më të plotësuara, më të pavarura dhe kanë dëshirë t’i dhurojnë vetes dhe trupit kënaqësi, ndër më të rëndësishmet, ajo seksuale.

 

Disa arsye pse seksi pas të 50-ve është i fuqishëm:

Femrat ndihen konfidente: Më shumë se kurdoherë e njohin veten mirë, dinë se cilat janë, çfarë dëshirojnë në jetë dhe nga partnerët. Femrat e kësaj moshe fokusohen në ato gjëra që u interesojnë më shumë. Konfidenca bën që t’i vlerësojnë gjërat që kanë dhe të shijojnë momentin, duke përfshirë këtu edhe intimitetin dhe jetën seksuale.

Jeta seksuale spontane: Në këtë moshë shumica i kanë fëmijët të rritur dhe janë më të lirshme në shtëpi apo kudo tjetër që mund të shkojnë me partnerin, që të mund të bëjnë seks sa herë që e ndiejnë dhe jo kur të krijohen kushtet. Partneri është aty dhe ato kanë mundësi të luajnë, të provokojnë, të ngacmojnë sido që t’ju pëlqejë.

Nuk ka presion: Kur je më e re seksi ka më shumë lidhje me paraqitjen fizike, ndërsa pas të 50-ve ka të bëjë më shumë me përmbushjen e dëshirave që keni në atë moment. Kur je më e re dëshiron ta impresionosh partnerin më shumë, ndërsa në këtë periudhë jeni paksa më “egoiste”, sepse doni që të kënaqni edhe veten.

Seksi si kënaqësi: Në këtë periudhë ju keni më shumë informacion dhe eksperiencë rreth jetës seksuale. Në këtë moshë ju e keni kuptuar se nuk ia vlen të kesh më ndjenja faji pse bën seks. Gjithashtu, ju e keni kuptuar se seksi dhe jeta seksuale ju afron me partnerin, si dhe ju bën të ndiheni e plotësuar.

Nuk keni më kokëçarje: Në këtë moshë ju nuk rrini më me frikën se do të mbeteni shtatzënë, apo se po ju ikën mosha biologjike dhe duhet të bëni fëmijë patjetër. Pas të 50-ve jeni e çlirët dhe i shijoni partnerët e moshës suaj apo ndoshta edhe më të rinj, të cilët nuk duan dhimbje koke në lidhje me shtatzënitë.

Orgazma: Shumë femra tregojnë se arrijnë orgazma të fuqishme dhe të shumëfishta gjatë kësaj faze të jetës, sepse ju jeni më selektive në zgjedhjen e partnerit, si dhe jeni më intuitive në atë çka ai ofron apo sa rehat ju bën të ndiheni. Femrat e kësaj moshe dinë ta dallojnë personalitetin e partnerit dhe janë më të afta për ta bërë gjithçka më të bukur.

Koha e lirë: Në këtë periudhë njerëzit kanë më shumë kohë të lirë, por më tepër dinë ta vlerësojnë më shumë kohën që i kushtojnë vetes, prandaj edhe femrat janë më të kënaqura nga partnerët e tyre, të cilët tani dinë t’i vlerësojnë ato ndryshe. Një mashkull, i cili është në fund të 50-ve, kërkon një partnere që ta vlerësojë dhe e shpreh hapur përkushtimin ndaj saj. Të dashura femra, edhe pse askush nuk mund t’i shpëtojë rritjes në moshë, jam e bindur se çdo etapë e jetës ka të bukurën e vet. Nuk ka rëndësi se jetoni në kryeqytet apo në një rrethinë, jeni me financa të stabilizuara apo plotësoni vetëm nevojat bazë të jetës, jeni elegante apo jeni mbushur paksa te barku dhe vithet, e rëndësishme është të ndiheni femra dhe ta dëshironi jetën! Në këtë periudhë partneri ju dëshiron më shumë se më parë, prandaj mos rendni vetëm pas fëmijëve dhe të vazhdoni të jeni vetëm nëna të përkushtuara, por plotësojini dëshirat dhe kënaqësitë tuaja, sepse kjo do të reflektohet në gjithë qenien tuaj dhe të tjerët do të reagojnë ndryshe ndaj jush. Dua të ndaj me ju eksperiencën e një gruaje, e cila i kishte kaluar të 60-at dhe më mësoi se çfarë do të thotë të jesh femër në çdo moshë. Pavarësisht se nuk ishte e martuar dhe me fëmijë (siç duhet të jetë në këndvështrimin e njerëzve një femër me jetë normale), ajo kishte ditur të dashuronte dhe ta jetonte jetën në mënyrën e saj edhe atëherë kur nuk lejohej. Ajo më mësoi se si ishte akoma e dashuruar me partnerin e saj, që ishte larguar nga kjo jetë, dhe që nuk e kishte tradhtuar kurrë edhe pas disa vitesh. Ajo ndihej femër si gjithë ne të tjerat, si dhe kishte frikën e rënies në dashuri me dikë më të ri se vetja. Ajo vazhdon të flasë, flirtojë, komunikojë dhe të dashurojë, por jo të bëjë seks. Frikë nga refuzimi apo nga paragjykimi?! Frikë se nuk do jetë po aq seksi sa ka qenë më parë, apo frika e moshës po e tremb?!

Në kulturën tonë, një mashkulli i lejohet që të jetë në këtë moshë dhe të ketë një të dashur shumë më të re nga vetja, sepse ai është mashkull. Për këtë femrat po “hakmerren”, sepse po vazhdojnë të qëndrojnë të reja në shpirt, çka i bën të ndihen fizikisht më të forta dhe mbi të gjitha më konfidente e seksi.

Janë meshkujt ata që padashur po na bëjnë ta zgjasim rininë dhe bukurinë femërore. Kjo, në këndvështrimin tim, ka ndryshuar edhe balancat, edhe tabutë që një femër më e rritur të ketë partner një mashkull më të ri se vetja. Po e përfundoj me thënien e një pacientit tim (48 vjeç), i cili ka tendenca ndaj femrave më të rritura: “Janë shumë të mira, sepse dinë të kujdesen për ty, dinë të të falin dashuri, dinë të të përkëdhelin, dinë se çfarë t’i japin një mashkulli dhe si ta plotësojnë veten. Kush do të kërkonte më shumë…?”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top